Suplementi Pena shqiptare/Jovan Bizhyti -Rrëfimi i një zonje

431
Sigal

Marrëdhëniet në familje kanë qenë dhe mbeten një problem shqetësues për shoqërinë tonë. Shpesh ndodh që dëgjojmë shumë histori nga rrëfimet e njerëzve të ndryshëm për këto marrëdhënie, për dashurinë në fillimet e para të jetës dhe zhgënjimet që vijnë më pas. Por rrëfimi i Zonjës që shpaloste rrjedhshëm e në detaje jetën e saj, më befasoi, ndaj mu desh të ndalem për të ndarë me opinionin çështjet për të cilat ajo foli hapur dhe pa rezerva. Zonja me të cilën u ndodha përballë, preferoi të rrëfehej për jetën e saj. Nuk është e lehtë, ndaj në fillim e pati të vështirë, nuk e dinte që ky rrëfim po regjistrohej në mendjen time, ndaj pasi foli për fillimet e jetës së saj, më pyeti:

-Ju, a keni ndërmend të shkruani për këtë temë? Jemi dhe në prag të Shën-Valentinit,- më tha ajo, duke më vështruar me buzëqeshje.

-Edhe mundet,- i thashë,- po iu dëgjoj me shumë vëmendje. Ajo nuk po i besonte fjalëve të mia, pasi unë nuk kisha mbi tavolinë as laps e as letër. Ajo nuk e dinte që stili im nuk ishte shumë gazetaresk, unë nuk mbaja shënime në bisedat e kafeneve, por e dëgjoja dhe e regjistroja në mendje çdo histori dhe mendim që ajo shprehte në rrëfimin e saj.

-Dikur gratë rrëfeheshin,- shtoi ajo,- kishin një vend të caktuar, të besuar, që e quanin “Shtëpia e Zotit”. Ato rrëfeheshin në kishë, i rrëfeheshin priftit, gratë katolike i rrëfeheshin pastorit, ndërsa gratë e besimit mysliman i rrëfeheshin hoxhës, që i quanin përfaqësues të Zotit. Ai rrëfim bëhej vetëm për vetëm pa dëshmitarë, i vetmi dëshmitar ishte prifti, pastori apo hoxha. Para rrëfimit betoheshin, duke mbështetur dorën mbi librin e Ungjillit, “Bibla e Kishës”, apo dhe “Kuranit” dhe betoheshin se do thoshin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Përfaqësuesi i Zotit i dëgjonte dhe në fund u jepte këshillat e nevojshme. Dhe gruaja i dukej sikur çlirohej nga hallet e mëkatet e saj, pra ishte një çlirim shpirtëror. Burrat, me sa kam dëgjuar, nuk e ndiqnin me seriozitet këtë ritual, ata nuk rrëfeheshin, ndoshta ndonjë rast i rrallë dhe këtë e kishin për sedër, për kryeneçësi, ose dhe krenari burrërore, sepse burri quhet kryetar familje dhe kryetari nuk bën gabime, nuk bën mëkate, mëkatet i bëjnë të tjerët dhe pesha bie mbi gruan, “mëkataren e njerëzimit”. Zonja bëri një pauzë pas kësaj ndërhyrje, sikur donte të më thoshte:-“kjo është e përgjithshmja, pas kësaj nis e vërteta e jetës sime”. Unë nuk hyj në gratë e bindura fetare,- shtoi ajo,- nuk jam fanatike e mbyllur dhe e heshtur, kam qenë pak rebele dhe nuk i jam nënshtruar asnjëherë këtij rituali. Ndoshta, se në vitet e jetës sime u ndalua feja nga shteti komunist dhe jo pak, por rreth një çerek shekulli. Kështu që, gratë e moshës sime, nuk janë rrëfyer asnjëra në kishë apo në xhami, se nuk kishte as kisha dhe as xhami, ishin ndaluar nga shteti. Sot ka forma të tjera më të civilizuara e më moderne, ku njerëzit e rrëfejnë jetën e tyre në rrjetet sociale, si në emisionet e ndryshme televizive, ose në shtyp në gazeta e libra, por shpesh dhe në biseda të ngushta me shokë e miq të afërt e të veçantë. Kështu po ndodh dhe me mua, është hera e parë që po rrëfehem dhe kjo po ndodh me ty, mikun tim të hershëm dhe shumë konfidencial. Nuk është se po të ankohem, as po kërkoj prej teje mëshirë, apo ndonjë mendim a rrugëdalje, jo, jetën time mirë a keq e kam menaxhuar vetë dhe ajo nuk ka si ndryshohet më tani në fundin e rrugëtimit, por dua të çlirohem shpirtërisht dhe ja, gjeta kishën e priftin e rrëfimit. Ajo pas çdo momenti rrëfimi bënte një pauzë, duke qëndruar statike dhe herë pas here më vështronte sikur donte të merrte dhe aprovimin tim. Pastaj shtoi:

-Prapa këtij rrëfimi shpalosen shumë ndodhi, dashuri të humbura, miqësi të ngurtësuara, një lidhje që prodhoi më shumë zhgënjime e urrejtje se dashuri, xhelozi e pabesi vetë shkatërruese, të cilat të gjitha së bashku kanë prodhuar ndjesi të rënda në kalvarin e jetës sime. Dhe kur Zonja nga goja e saj shprehte momente të tilla mërzie e zhgënjimi, errësohej pamja e saj fisnike, bëhej si ajo koha me diell, që papritur e mbulojnë disa re të çastit dhe nis rrebeshi i shiut me erë e suferina.

-Të isha rast i vetëm në jetën e kësaj shoqërie,- vazhdoi ajo,- nuk do kishte vlerë ky copëz rrëfimi, kjo pikë uji në oqeanin e madh të njerëzimit, por dyshoj se ka dhe shumë zonja e mikesha si unë, që kanë përjetuar e vazhdojnë të përjetojnë raste të ngjashme, apo dhe të përafërta me problemet e mia dhe kur ato bëhen shumë, është një thirrje alarmi që kërkon të ngrihet në këmbë një shoqëri e tërë, aq më tepër zonjat e zonjushat, për të rritur sado pak dinjitetin e tyre dhe vendin që duhet të zërë gruaja në familje e në shoqëri. Jeta nuk është kaq e lehtë, ajo ka zigzaket e saj, ngritjet e uljet, gëzimet e trishtimet, por është dhe luftë ndjenjash e pikëpamjesh për të fituar pak a shumë një barazi gjinore si dy sekse të barabarta dhe kjo kërkon që dhe ne gratë e vajzat të luftojmë më shumë për dinjitetin tonë, kundër ndrydhjes, poshtërimit dhe trajtimit në shumë raste sikur jemi pronë e meshkujve që na ra fati të bashkëjetojmë me ta. Jo në pak raste, ata kanë kaq shumë pushtet mbi gruan, saqë duket sikur kanë në dorë fatin e saj!

Duke lexuar një libër, ndesha në një ngjarje që dua ta nënvizoj:- “Një sociolog në një auditor, kish mbledhur 300-400 gra e vajza ku po u fliste për familjen, për marrëdhëniet burrë-grua, për dashurinë, për rolin dhe vendin e gruas në familje e në shoqëri e tjera. Në fund bëri një sondazh, ku pyeti:

-Sa prej jush vazhdojnë ta duan burrin me atë pasion si në fillimet e jetës bashkëshortore? Ngritën dorën rreth një e katërta e auditorit. Sociologu nënqeshi me ironi dhe tha:

-Ja pra e vërteta e jetës, dashuria e gruas për burrin dhe anasjelltas, në vend që të forcohet e të konsolidohet, zbehet, bëhet zhgënjyese. Dhe kjo ka shkaqet e veta të veçanta dhe të përbashkëta.

Për të mësuar notin, sigurisht duhet të futesh në ujë, por jo menjëherë në thellësi të detit se rrezikon të mbytesh, por ta fillosh nga cektësia e bregut dhe pasi të sigurohesh se e ke mësuar dhe ke fituar rezistencë, atëherë mund të notosh dhe në thellësi. Kështu ishte dhe rasti im, një guxim i tepruar, pa ditur not u hodha në mes të detit dhe më thanë lëviz krahët mos të mbytesh. Pasi u martova, atëherë më duhej ta njihja burrin nëse na puqeshin karakteret apo jo. Sa vlerë ka kjo për një lidhje të qëndrueshme, për një familje të shëndoshë? E keqja është se në ato kohë të shekullit të kaluar, por jo pak raste ka edhe sot, këto lloj lidhjesh zënë një pjesë të mirë të çifteve, veçanërisht në zonat rurale, që pasi martohen, nis njohja me burrin me të cilin do shkosh jetën. Pra, kërkohet ta mësosh notin në mes të detit dhe jeta pastaj kalon me rreziqe, që e detyrojnë femrën ti nënshtrohet fatit edhe jashtë dëshirës së saj. Kështu ndodhi dhe me jetën time. Atëherë shumë vite përpara ishte ndryshe. Nuk e zgjodha vet burrin me të cilin jetoj prej shumë vitesh, rrethanat dhe mentaliteti i kohës na vunë përballë njeri-tjetrit, dhe mu duk sikur më thanë:-“Na merre se ky është fati yt!” U mundova ta fusja në zemrën time, se e mblodha mendjen, që me këtë njeri do bashkëjetoja, s’kisha rrugë tjetër. Por ai vit pas viti nuk u bë dot pjesë e këtyre ndjenjave, jo për fajin tim, por për veset e tij, për vesin e pijes, kumarit, xhelozinë e sëmurë dhe mungesën e sinqeritetit, që nuk i largoi asnjëherë në veprimet e tij të përditshme. Unë nuk i kam lënë asnjë shkak që ai të dyshonte në marrëdhëniet tona. Jam munduar të jem korrekte dhe besnike në moralin tim. Ai gjithë kohën mbeti i trembur, dyshues, mbeti bari me kërrabë në dorë, duke gjurmuar gruan si një agjent sigurimi. Dhe ja ku jemi, ai ende dhe sot që të dy jetojmë moshën e tretë, vazhdon avazin e pijes, të xhelozisë, grindjet, që i kanë çuar marrëdhëniet tona gjithnjë e më acaruese. Me kalimin e kohës, e këshillova Zonjën t’i shkruante këto ngjarje e mendime për jetën e saj në formë kujtimesh, por ajo pranoi më mirë të fliste, të bashkëbisedonte, se sa të mbyllej në dhomë për të shkruar kujtimet, ku nuk do ta dëgjonte askush. Dhe pas disa seancash me biseda nga rrëfimi i saj, nuk e pata të vështirë ti shkruaja këto ndodhi në formë të një libri. Nuk e vrava mendjen për të krijuar ngjarje e situata, as për të gjetur personazhe me të cilët do ndërtoja një vepër letrare. Ato mi shfletoi ditë pas dite e rast pas rasti Zonja e rrëfimit, e cila ishte e drejtpërdrejtë për gjithë historinë e saj, ku i përshkruante ato me hollësi dhe në mënyrë shumë letrare. Ajo qëndronte karshi meje me një pamje fisnike dhe tërheqëse, fliste me një zë të ngrohtë skenik, kishte një mënyrë komunikimi sikur aktronte, një shikim të thellë shoqëruar me mendime të rrjedhshme dhe të mbushura me ngjarje e ndodhi konkrete për jetën e saj. Në qetësinë që e karakterizonte, shprehte dhe një krenari të veçantë, duke u ballafaquar me jetën drejtpërdrejtë, ku në plan të parë theksonte karakterin dhe moralin e saj, që nuk i vuri asnjëherë në dyshim e në diskutim, pavarësisht xhelozisë së sëmurë dhe dhunës psikologjike të burrit, që i ka qëndruar tërë jetën si një mjegull reje, që është munduar ti zinte ndriçimin e diellit në gjithë rrjedhën e jetës së saj. E vetmja pyetje që i bëra Zonjës në një ndërhyrje të veçantë ishte:

-Në rrëfimin tuaj shpalosët dhe një peng, dashurinë për mikun tuaj të vjetër, Vangjushin? Dihet tashmë që kalimi i kohës shuan zjarret e vogla dhe ndez ato të mëdhenj. A mos vallë ky zjarr mbas kaq kohësh u rindez dhe në zemrën tuaj?

-Jo, më tha,- ajo s’ishte dashuri, po dhe ashtu siç ishte, kanë kaluar shumë vite dhe gjurmët e atij zjarri janë shuar, janë venitur, bile dhe janë fshirë nga faqja e dheut.

-Po si mund ti kuptojmë gabimet që ti i ke veshur si qyrk moshës tënde të rinisë? Sa herë ke përmendur fjalët, “kam gabuar”, “jam nxituar”, apo “papjekuria e moshës” e tjera. Ajo më hodhi një vështrim të thellë dhe mu përgjigj:

-Në një libër të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Nasho Jorgaqi thuhet: “Gabimet e rinisë, nuk korrigjohen në pleqëri”. Ndaj Vangjushi tani për mua mbetet shokë e mik ashtu siç ishte, ndërsa Piloja, pavarësisht se unë e kam zbërthyer në detaje personalitetin dhe karakterin e tij në gjithë rrëfimin tim, ai prapë mbetet burri dhe bashkëshorti im deri në fund të jetës. Në të gjitha seancat e rrëfimit, ne jemi takuar në një kafene të zakonshme në qendër të Tiranës, rreth një tavoline të vogël me tre karrige, ku Zonja pinte vetëm çaj, pasi kafja i jepte alergji dhe fliste qetë e qetë, ndërsa unë si një gazetar i kujdesshëm, vetëm dëgjoja sa mundesha për të kapur çdo fjalë e ligjëratë të saj, për të cilat më befasonte me shprehje shumë të kulturuara filozofike, si dhe me citime nga librat që kishte lexuar dhe që disa nga shprehjet e veçanta i citonte përmendësh.

-A je e lumtur?- i thashë.

-Lumturia nuk është një vlerë që mund të matet me saktësi, as të peshohet me kandar, as të debatohet dhe të analizohet nga secili. Nuk e pyesin tjetrin për çmimin e kostumit që mban veshur, apo për të ardhurat që nxjerr nga puna e përditshme e tij, nuk e pyesin as për llojin e makinës që ka në përdorim, aq më tepër për diçka kaq intime që është e pamundur të përcaktohet me saktësi,- ma ktheu ajo. Unë isha thjesht një mik i Zonjës, që veç vëmendjes për ta dëgjuar me kujdes çdo moment të rrëfimit, mundohesha të zhbiroja edhe ndonjë çështje që ajo përpiqej ta kalonte kalimthi. Më bënte përshtypje sinqeriteti i saj dhe detajet me të cilat përshkruante momente të veçanta nga jeta e saj në vazhdimësi.

-Mbi bazën e këtij rrëfimi shumë interesant, dëshiroj të shkruaj një libër,- i thashë,- ku në qendër do të jenë këto probleme të familjes që shtjelluat ju. Ajo qeshi!

-Pse qesh?- i thashë.

-Nuk dua të jem objekt në opinion,- më tha,- libri shpërndahet dhe e lexojnë të gjithë.

-Nuk e kam fjalën për të shkruar konkretisht historinë tënde. Libri do të jetë përgjithësues, do të ketë brenda problematikën, sigurisht dhe me ndodhi të tjera të kësaj natyre. Edhe personazhet do të jenë përgjithësues. Libri do të jetë artistik, jo historik, as monografi.

-Jo,- më tha,- nuk dua të jem në qendër të opinionit, të egoizmit që përfshin shoqërinë tonë.

Mendova se ky është ngurrimi që kanë të gjitha gratë për tu rrëfyer. Rrallë publikohen këto probleme. Ajo më vështroi me vëmendje dhe pastaj shtoi:

-Gruaja është si kasaforta, është hermetike, për ta hapur atë kasafortë nuk duhet vetëm çelësi, por gruaja ka edhe kodin që e di vetëm ajo. Unë të tregova vetëm çelësin për këtë rrëfim të gjatë e të detajuar, por mesa po shoh më kërkohet edhe kodi për ta publikuar.

-Më ke lehtësuar,- i thashë,- rrëfimi i yt jo vetëm ngre një problem  madhor të familjes, por është dhe shumë konkret e i detajuar. Nga rrjedhshmëria e shprehjeve, duket që ti në jetë ke lexuar shumë libra, që e kanë pasuruar fjalorin tënd me thënie të bukura artistike. Ajo buzëqeshi.

-Dikur kam qenë artiste,- më tha,- kam aktruar në skenën e teatrit, por rrethanat e jetës familjare më hodhën këtu ku jam.

-Megjithatë ti reflekton ende si artiste,- i thashë,- edhe zërin vazhdon ta kesh skenik, edhe shkëlqimin e syve dhe mbi të gjitha ti interpreton në rrëfimin tënd sikur aktron në skenë.

-Të lutem mos më publiko,- përsëriste ajo shpesh këto fjalë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe i dhashë në dorë dorëshkrimin që kisha hedhur nga rrëfimi i saj.

-Kaq shpejt e shkrove!- më tha gjithë habi.

-Libri nuk matet nga koha kur e shkruan,- u përgjigja,- por nga ngjarjet dhe problemet që trajton. Dhe nuk kaluan veç pak ditë kur dëgjova një zile telefoni.

-Uau.. !- dëgjova një pasthirrmë habitëse.- Më befasove,- u shpreh ajo. Si është e mundur të shoh kaq realisht jetën time të shkruar në këtë dorëshkrim!

-Aty nuk je vetëm ti,- i thashë- janë dhe zonja të tjera të përafërta me ty.

-Nuk e di për të tjerat,- më tha,- unë shoh realisht veten time. Sa mirë do të ishte që në librat e letërsisë të trajtoheshin sa më realisht problemet e jetës sonë, pasi shpesh shkruhet për imagjinata absurde. Nëse ke ndërmend ta bësh libër këtë dorëshkrim, të lutem mos e boto tani,- vazhdonte të ngulte këmbë ajo. Më duket sikur në të shpaloset jeta ime. Dua që lexuesi të më gjykojë pasi të kem ikur nga kjo jetë. Dhe më shpjegoi arsyet…

E besova, pasi një pjesë e mirë e ngjarjeve lidhej me jetën e Zonjës, si dhe shumë prej personazheve janë ende prezentë në jetën e saj. Në takimin e radhës, e falenderova dhe duke i shtrënguar dorën i thashë:

-Do e respektoj kërkesën tuaj.

-Le të jem unë heroina e Zonjës që ti ke vënë në qendër të librit,- më tha ajo me krenari dhe u ndamë përzemërsisht si miq të vjetër.