Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Vizitë në mesnatë

18
Sigal

Telefoni në mes të natës më ngjethi. Zilja u përsërit, prishi të përnatshmen në krahët e tim shoqi. Urdhëro? – u përgjigja me zë të ulët. – Duhet të takohemi, – zë femre. Nuk u prezantua. As ishte nevoja, do ta njihja mes qindra të tjerave. Përse të këqijat ogurzeza presin natën të vijnë? Nuk do të gdhinte? E di sa është ora? – e pyeta me gjysmë zëri. Përçapjen e mjerë për të fituar kohë e shpërfilli. Të vij në shtëpi? Më prit aty, – u binda. Nuk më la zgjedhje. U çova e ngadalë mos zgjoja Mikelin, fsheha thellë vetes parandjenjat e liga, që filluan të gumëzhijnë në kokë. U gjenda jashtë. Eniana priste. Unaza e martesës, zinxhiri prej ari mezi dallueshëm rreth qafës, e tregonin grua të sjellshme, siç e njihja, po shprehja e fytyrës ma ftohu gjakun. – Të qe ditë do të ftoja brenda, – i zgjata dorën. Refuzoi ta kapte.- U takuat prapë sot? – në zërin e butë klithnin nota të forta xhelozie. I largova sytë, por edhe ashtu ia lexoja tendosjen.- Festuam ditëlindjen e mikut tonë… – Nuk të pyeta për këtë, – më pengoi të vazhdoja.- Atëherë? Ngriti kokën, më pa drejt nën sy. Lëkura e zbardhur, vështrimi i ftohtë, dridhja epileptike e duarve, përjashtonin çdo dyshim. E dinte…- Që kur? – zëri mu drodh.- Ka rëndësi?Nuk ishte pyetje.- Si e zbulove?- Do të ndryshonte gjë? Ula kokën, prita.  – Daljet në orare, gënjeshtrat e përsëritura, mesazhet… Gruaja e dikton e fundit dhe unë s’i shpëtova ritualit fatal. – Mjaftojnë? Nuk denjoi të përgjigjej. – Përse erdhe? Të mendoja më të zgjuar, – u krekos.  Sytë e hapur tej mase më ngjethën. Gjithçka ishte e mundur.

E kuptoi sakaq. Nuk u përkas atyre që i zgjidhin problemet me kapje flokësh, erdha të sqarohemi si gra të qytetëruara. Tunda kryet mirëkuptuese. Shtrëngoja dhëmbët të mos çmendesha sa herë dilte me ty. Orvatesha të përligjja të papërligjshmen, qeshja kur duhet të qaja. Nxori shaminë, fshiu sytë, më pa nga koka te këmbët. Kam vetëm një pyetje. E pamundur ta përballoja atë shikim, ktheva sytë nga rruga. Për një çast m’u duk vetja e pavlerë. Pse burrin tim? Thua ka përgjigje për këtë pyetje? E di se je lindur një gjeneratë më herët? Pyetjet i shkrepte njërën pas tjetrës, si të parapërgatitura. Pohova me kokë. Yt shoq të mban në pëllëmbë të dorës, përse ia shpërblen në këtë mënyrë? Nëse nuk rrije dot me një burrë, kaq e re, e bukur, mund të gjeje fare mirë dikë më të ri, fjala vjen beqar. S’besoj se e more rrugën të më japësh mësime morali.

Puliti lehtë sytë, sa mezi e pikasa. Duhet ta dish se nuk është nga ato flirtet e zakonshme, siç dëgjojmë përditë, as diçka e përkohshme…Më ndërpreu me lëvizje nervoze të kokës. U shkoi dorën krehër flokëve, kaloi pëllëmbën prapa, shtrëngoi zverkun, të mos i ikte mendja. Sytë e çapëlyer, lëvizjet e pakontrolluara, ishin përpjekje mbinjerëzore për të ruajtur gjakftohtësinë. Cili e filloi i pari? Unë. Ai? U mposht. Nuk je rasti i parë. E di. U ul në gjunjë. Disa sekonda shtrëngoi kokën mes duarve. Qenka më keq nga sa kujtoja, – mërmëriti. Dashuria zbriti nga lart, si flakë hyjnore, më lëvizi çdo muskul, përpara se të paralizohesha…Lëri budallallëqet! – më pa me neveri. E di sa femra kam çuar në djall? Kur e prisje në oraret e  përpikta, i telefonove ndonjëherë? Kurrë! E bëja unë. Ndërsa flije në krahët e tij, gdhija netët ta largoja nga gjithfarë laviresh. Nuk doja gënjeshtra në dashuri… Mjaft! – ngriti për herë të parë tonin. Edhe unë: Pas kaq vitesh duhet ta dish çfarë burri ke në krah! Nuk do të braktisë kurrë, veç nëse e bën ti.

Pothuaj nuk më dëgjoi. Gjer kur do ta vazhdoni këtë marrëzi? – pyetja i doli thellë nga brendësia e pafuqisë së vet. Lus të kem jetë. E di yt shoq? Luajte? Kujton se nuk do t’ia them? E ke djegur rastin. Shantazh? E vërteta e pastër. Nata u shty, heshtja ra e përkohshme. Atë e habiste këmbëngulja ime, mua vetëpërmbajtja e saj. Pas gjithë këtyre, pse je kaq miqësore? – prisha qetësinë e dyshimtë. Çfarë do të fitoja? Ndihej inferiore. Më tepër se unë. Do të vijë koha kur burrat dhe gratë të mos frikësohen nga dobësitë e njëri -tjetrit, – fola me intuitë femërore.

Dhe njëlloj kompetence të çartur. Leksione di të jap më mirë se ty, e kam profesion. Përse të mos i lëmë gjërat kështu siç rrodhën, – guxova më tej, – gjithçka tjetër do të na rrënonte të dyjave. Më në fund! Sa doja t’ia thosha këto fjalë! Nuk je në pozita të vësh kushte, – më hodhi pjerrtas shikim sfidues. E gjora, ende s’e kuptonte! Tepër vonë, – i thashë. Frymëmarrjet e shpejtuara ndoqën njëra-tjetrën në garë nervash. Si quhet burri yt? Pandeha se e dije. Dua të ma thuash me gojën tënde. Mirëkuptimi ia la vendin hakmarrjes.Mikel, – bërtita…Zgjohu, zemër, je bërë ujë! Nuk ishte ajo. Ishte Mikeli.