Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Misionarët

171
Sigal

Pse u shkrua ky memorial?

E gjithë jeta ime është lidhur me arsimin. Respektin për shkollën ma kultivoi herët një burrë që nuk kishte shkuar kurrë në shkollë, që mësoi me të vjedhur disa germa sa për të lexuar gazetat e rralla, që punonte nga mëngjesi deri në darkë për të mbajtur familjen e shtuar me nëntë frymë.

E shihja të ndalonte para shkollës, të nxirrte kutinë e duhanit, të mbushte çibukun, ta thithte dy-tri herë para se të vazhdonte rrugën për të korrur, pluguar apo kositur. Atëherë e mendoja rit duhanpirësish, po më vonë e kuptova se qe shumë më tepër se aq: respekti gati hyjnor për shkollën i njëjtë me faltoren e fshatit që do të prishej shumë shpejt.

Ky burrë ishte babai im.

Respektin për shkollën, mësuesit, që udhëtonin dy e tre orë në këmbë çdo të hënë në orën pesë të mëngjesit për ta arritur fillimin e mësimit në shkollat e largëta, nxënësit që vinin me duar të mardhura në godinat modeste të kohës, e ruajta viteve kur punova mësues, drejtor, inspektor, shefi i seksionit të arsimit të rrethit.

Atë respekt e ruaj të pacënuar edhe sot.

Si detyrim ndaj shkollës dhe misionit të shenjtë të mësuesit, bashkë me historianin Florian Çela vendosëm të shkruajmë këtë memorial për mësuesit e spikatur në vite. Nuk e dimë nëse kemi bërë më të mirën, po jemi të sigurt se do t’u lëmë brezave një thesar që do t’i mbijetojë kohës. E kishim të pamundur të gjenim renditje tjetër, pos asaj alfabetike, pasi secili prej personazheve të këtij libri është personalitet i pa të dytë, secili ka ndërtuar obeliskun e vet origjinal të pakrahasueshëm me të tjerët.