Që kur ka nisur kjo fushatë,
dolën servilët një nga një.
Vrapojnë të gjithë nëpër mitingje,
gatishmëria, Nr. 1.
Duartrokitje të pafundme,
të gjithë së bashku vënë në rresht.
Disa janë njerëz të verbuar,
të tjerë në listë për deputet.
Servilë kudo, servilë pa fund,
që me zvarritje u shkon jeta,
dhe shtyjnë me bërryla njëri-tjetrin,
t’i shohë më mirë udhëheqja.
Shpejtojnë të bëjnë ndonjë foto
me kryetarët e partive!
Atdheu ynë prej kaq shumë vitesh,
lëngon edhe për faj të tyre.
Mund të ndryshojnë qeveritë,
po kurrë servilët s’kanë ndryshuar.
Se disa njerëz s’gjejnë paqe,
nëse s’jetojnë të gjunjëzuar.




















