Çaste jete nën pelerinën e muzgut në vendlindje
–peizazh i jetuar-
Grifsha çirret në vetkënaqësinë e saj duke kuvenduar me gjethet vrarëlije të vidhit. Ajo ndjen ardhjen e mbrëmjes dhe e lodhur nga dita punëshumë për gjetjen dhe çarjen e kokrave të arrëve të mbetura tek-tuk nëpër degë të holla, nis t’i lutet vidhit ta strehojë sonte. Gala cergëzezëveshur lëndon degën e krekzës me krrauitjet e saj zëçjerë . Gushkuqi tronditet pakëz nga lajkat e dhelprës që është fshehur poshtë ferrës ku ai kërkon të kalojë natën gjysmë të ftohtë të vjeshtës. Ai e ka parë herë të tjera se ajo e heq bishtin zvarrë sikur do që të mbulojë gjurmët e saj tinzare drejt qymezit të pulave të shkujdesura ndaj edhe i qëndron larg syrit të saj djallëzor.
Petalet e lulekungullit tepër të vonë, me verdhësinë e tyre të venitur, duke ua bërë më sy gjetheve të brishta e vezake të luleshpëndrës gajasen së qeshuri për trungun e gjatë e të lakuar të kungullit plak që ka nisur të përpjetën mbi degën e një furke të rrëzuar të një hardhie trupplagosur, pa u frikësuar nga i ftohti që po troket në derë. Duket sikur po qajnë hallet : hardhia për moshën e thyer që nuk duron dot krasitjet e rënda dhe trungu i kungullit kokërmadh që s’pranon ta përqeshë askush e jo më lulet e veta. Gjethet e ashpra djegëse të hithrës dhe ato paksa të kuqëremta të lëpjetës shprehin habi midis tyre të trëmbura nga zotësia e dredhëzës, e cila mbyll me ngadalë dy lulezat e veta ngjyrë qumështi që ato të mos friksohen nga errësira e natës.Krimbat kanë braktisur banesat e tyre, pa e ditur as vetë pse-në dhe pa u shqetësuar shumë për çka i pret; po zvarriten edhe ca anash plevicës ku në të perënduar të diellit këndezi kërp ka zakon të ndjellë pulat
kur syri i tij i mprehtë dikton ushqimin e majmë për një darkë të bollshme para se t’i drejtohen kotecit.Urithi vrapon për t’iu fshehur mugëtirës pa harruar të hedhë herë pas here një sy vigjilent rretheqark duke nuhatur rrezikun e ndonjë skifteri që gjuan mbrëmjeve. Karkalecët lozonjarë poshtë gjetheve të verdha sa kanë filluar të harmonizojnë telat e mcic-jeve, cërr-itjeve dhe cirt-eve të korit të tyre madhështor të këngës së mbrëmjes vjeshtake, që do ta kishte zili edhe dirigjenti më i mirë i një orkestre moderne qytetëse. Pak më në cep të murit të gurtë pa llaç që mban të ngrohtë rrënjët e një pjergulle trevjeçare, breshka ka futur trupin e zhgualltë sikur do të luajë symbyllazi me shokun e vet që tulatet tek e dala e një gropëze dheu të hedhur. Iriqi këmbëshpejtë nxjerr kokën poshtë ‘pyllit’ të gjëmbave dhe nis të kërkojë pikla vese nëpër fijet e barit jeshil rrëzë trungut hijerëndë të arrës së madhe.
Lisat e korijes sipër shtëpisë, me një fërfërimë të lehtë të gjetheve verdhoshe mbarojnë përshëndetjen solemne vezullonjëse për rrezen e fundit të diellit që rrëshqiti e mekur tutje thellë mbi malin epik emërlashtë të Kolajkës pjesa lindore e të cilit ka hedhur pelerinën e muzgut. Trumcakët me fluturime të shkurtra e gjysëm të heshtura, aviten pranë mullarëve të dushkut. Duken pak si të hutuar kur turren duke u shtyrë për të kërkuar folezat e tyre të natës midis gjetheve të buta e të ngrohta të degëve të dushkut të thatë.Tutje në arat paksa të pjerrta të malit karshi, zhurmon me ëmbëlsi një traktor i vogël që punon tokën e ngrohtë për të mbjellë pa ikur vlaga e vjeshtës. I zoti i shtëpisë, një i moshuar mustaqelli, paksa kurrizkrrusur, por me sytë shpuzë dhe ballin plot rrudha krenare, hyn e del nëpër kasolle e qilare për të mbyllur dyert, për t’u siguruar se gjëja e gjallë e ka ushqimin e natës në grazhd, për të parë sopet e kadeve me bërsi rrushi… Me gëzimin e begatisë së djersës së ditës së ngjeshur me punë e hare, të fëmijve, nipër e mbesa që me çuçurima të ëmbla mbushin avllinë e tërë shtëpinë, ai hyn në dhomë për t’u çlodhur mbi divan, duke parë, një film familjar në një nga kanalet televizive të kohës , në pritje të ardhjes së mezes dhe gotës së rakisë, para se të shtrohet darka, bashkë me të shoqen fytyrë
rreshkur e çemberbardhë. Ajo ka lidhur fort përmesi përparsen e përhime që edhe vetë e di se nuk e mbron aq shumë nga cërkat e të zjerave dhe enëve të mbushura, për të mbyllur punët e mbrëmjes dhe ulet pranë të shoqit me të cilin kanë provuar gëzime e hidhërime për dyzetetetë vite rradhazi. Macja laragushe afrohet me kujdes poshtë tavolinës , duke fërkuar trupin e saj qimebutë pas këmbëve të të zonjës së shtëpisë.
Tingëllimat e rralla të zileve të bagëtive gjimbushura dhe heshtja e zogjve të shumtë të korijes cicërima shuar e kanë mbyllur tashmë portën dykanatëshe të ditës.Balua çapitet me putrat e rënda rreth shtëpisë dhe selishtës duke rrëfyer se ka filluar punën e tij fisnike ndaj njeriut, mikut të vet shumëshekullor. Yjet shndrisin në kupën qiellore si rruazat farfuritëse në gushën e vajzës fshatare, mbesës së të zotit të shtëpisë,që llërëpërveshur, cullufeprerë pranë pasqyrës ëndëron të nesërmen rrezellitëse me të dashurin e saj të pashpallur.



















