Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferri: Baladë për Ismail Qemalin

109
Sigal

500 vjet të robërisë,
mbledhur tek balli si rrudhë,
lëvizën malet e rënda,
që t’i hapnin plakut udhë.

Mbi karrocë të historisë,
ecte plaku i menduar,
erdhi dita që Atdheu,
të mos ketë zinxhirë në duar.

Flisnin shekujt të përgjakur,
gjëmonte zëri i vatanit,
ndal kafshimit nga Europa,
ndal kafshimit nga Ballkani!

Ç’ish ky plak thinjosh i bukur
që kish ca trima me vete,
brenda gjoksit të zhuritur,
mijëra-mijëra amanete.

Zbardhte dita, ikte nata,
s’ndalej plaku flokë borë,
brofnin nga varret të rënët,
kush nuk desh të ish në Vlorë!

Dhe dy dete bënin dallgë,
sipër shtizës tek bajraku,
njëri ishte deti i Vlorës,
tjetri ishte det prej gjaku.

Det me gjak derdhur në shekuj,
(Shqipëri, kështu të doja!).
Shkundte supet historia,
binin plumba dhe gëzhoja.

500 vjet të robërisë,
mbledhur tek balli si rrudhë,
lëvizën malet e rënda,
që t’i bënin plakut udhë.