*Udhëve të Gjirokastrës*
(18 shtator 1944 – 18 shtator 2024)
Ismail Xhaferri
Udhë që zbresin, udhë që ngjiten;
një kala me ca bedena.
Ec ngadalë, o udhëtar,
ec ngadalë, se zgjon legjenda!
Legjendë e parë e Argjiros,
që prej shekujsh s’mund të flerë!
Ja, shiko, si një shqiponjë
ulet mbi malin e Gjerë!
Ndalu pak te Topullarajt!
Derë me kanata të rënda,
hapen-mbyllen dalëngadalë,
gjithë lavdia s’nxë dot brenda.
Ndalu te busti i Çerçizit!
Prapë në këmbë për mëmëdhenë!
Kapedanët kurrë nuk shtiren,
Luftëtarët kurrë nuk flenë.
Ec ngadalë, o udhëtar,
dhe shiko diku mbi male,
se zbret Muzo Asqeriu
me një trastë me ideale!
Ndal te Bulja, Persefoni,
që dhe vdekja s’i ka ndarë,
Tek dy vajzat që i varën,
ndalu pak, o udhëtar!
Ec ngadalë në Gjirokastër,
siç ecën në qiell reja,
se diku nëpër sokaqe
mund të shfaqet Musineja!
Ndal te porta e Çabejt!
Rri në heshtje dhe dëgjoje,
gjuha shqipe gurgullon,
porsi uji në “Shtatë kroje”!
Gjithë qyteti me lavdi,
në çdo pllakë e në çdo gur,
Frymë merr nga Kadareja;
“Një kronikë” që nuk vdes kurrë.
Udhë që zbresin, udhë që ngjiten!
Një kala me ca bedena,
ec ngadal o udhëtar,
se kudo zgjohen legjenda!






















