Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Shpendi Topollaj

814
Sigal

Nuk është turp të dashurosh

 

 

Nuk kam më nge që të trishtohem,

Dhe s`kam as lot të zë të qaj,

Më nga “morali” s`do pengohem,

Bile, për të kokën s`do çaj.

 

Nuk është turp të dashurosh,

Të kesh një mike gjithmonë pranë,

Të thotë një fjalë e ta dëgjosh,

E ta pushtosh pa fund e anë.

 

Turp është të heshtësh, burracak,

E të mos hapësh kurrë gojë,

Se dashurinë një frikacak,

Nuk ka sesi ta meritojë.

 

 

 

 

 Tani ti je e largët

 

 

Tani ti je e largët dhe e huaj je,

Si ylli në të gdhirë që ftohtë sheh mbi ne,

Mornica nëpër trup, më shkojnë kur të kujtoj,

U shua edhe zjarri që desh më përvëloj.

 

Ti ishe një dëshirë, ti ishe një krijim,

Që kurrë s`ekzistove, veçse në trurin tim,

Ti more dit`t e mia dhe netët ti i more,

Siç merr rrebesh i çmendur një lule në bregore.

 

E ndoqa prapa hiçin, asgjënë ndoqa pas,

Dhe veten e gënjeva, me shpirtin tërë gas,

Në ëndrra fluturova, si zogu shpresëplot,

E ku nuk të kërkova, por gjeta vetëm lot.

 

Në pemë ta shoh fytyrën, në er` zënë ta dëgjoj,

Ti kurrë nuk ke qenë, por unë të dashuroj,

Ti dole nga peneli, nga pena dole ti,

E prapë kemi një jetë që bëjmë dashuri.

 

 

Se pemë edhe erë, gjithmonë do të ketë,

Dhe zemra tërë ndjenja, përherë do të jetë,

Prandaj dhe pse e largët dhe e huaj je,

Si diell do të ngrohë, dashuria përmbi ne.