Suplementi Pena Shqiptare/ Miho Gjini: Dy helikoptera në Piqeras?!

Mbi fshatin tim të lindjes, nuk kishin fluturuar avionë që nga koha e Luftës e jo më të uleshin në “sheshin e një shenjtori” ! Në “Shën Thanas” u mblodh i madh e i vogël, bile ia mbrijnë edhe banorët e rinj midis Piqerasit e Borshit, ata të lagjes “Shkallë “, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk dihet se si erdhën nga veriu i vendit që para se të shpallej “Ligji i Famshëm” 7501 dhe do të regjistroheshin si banorë autoktonë. ”Afër detit e afër Mbretit”, si ia thonë një fjale që paskish qenë e vërtetë.

Ato ditë, kur në Piqeras u ulë “fluturaku i parë”, më 3 gusht 2022 i shkruaja Niko Ninos nga Athina, se: “edhe qyteti të duket bosh, kur të mungon një mik e shok i dashur, me të cilin këmben dy fjalë, pi një kafe a bën një lojë domino. Pa le kur vete në fshatin tim, ku jeta “rrëshqet e ikën” si pa u kuptuar…Dhe që ndofta nuk do ta gjeja më gaztorn e fshatit, që atëherë krijonte shfaqje estrade të lezetshme për bashkëfshatarët e që më mbrapa do të provonte edhe mërgimin si të gjithë ne, por që edhe do të kthehej në strehën e dashur, si njeri prej të parëve…Po natyra, koha, mjekësia e njerëzia, bëjnë edhe mrekulli!

Sigal

Njeri i mirë ky Niko Ninoja, i pa fjalë e modest. Që do më bënte të “ç’kulesha” edhe unë “nga ana e anës” e të veja aty, sa do ta merrja vesh lajmin se të dyja herët , helikopteri, qe ulur të merrte mikun e njeriun tim të afërt, “regjisorin e madh të fshatit të vogël”,-siç e quanin kryeplakun tonë të nderuar në tri legjislatura. E gjeta në shtrat, gati pa ndjenja, që mezi ma ngriti dorën e zëmrës…Te koka i rinte Melpoja, bashkëshortja e merakosur, djali Spiro, njeri nga mjeshtrat më të mirë të “Video-Klipteve” dhe ku hynte e dilte shpesh Dr. Aristidh Ali, pediatri i njohur i Sarandës , po ja që për ne ishte e bënte shumë më tepër, si piqerasiot që ishte…Unë mundohesha ti jepja kurajo, nga që e “pata pësuar edhe unë një “traum të tillë”,-i thashë, pas kthimit nga tri festivale teatri, ku ia kisha “shkelur gazit!” nëpër tryeza dhe e pashë veten në një spital të Dibrës së Madhe dhe më pas, në atë të Athinës!. Ndërsa me fabulistin do të sajonim para tij, enkas, njëfarë “ngasje” (për ta bërë të buzëqeshte), se sa përqindje uji e raqi kishin nxjerrë në Janinë nga barku i tij “i flluckosur”!

Vinin me e pa që të gjithë me rradhë, bile edhe ata “banorët e rinjë” tashmë, që gjithashtu, pse jo, e quanin edhe “Kryeplakun e tyne!”.”Pasha, Zotin , or Nikë, -qe shprehur njeri,- s’ka ba vaki m’u ulë dy herë rradhazi Alikapteri, si me t’thanë: “e paç jet’n e gjatë e me na u kthye sh’nosh si kokra e mollës!””.

Po askush nuk do ta merrte vesh “shkakun e uljes së avionit”. As kur mori drejtimin e Tiranës e as kur mori drejtimin e Janinës. Më kishte mërzitur dyfishi kjo “ngjarje e pazakontë”, jo vetëm se e doja shume djalin e Babë Ninit, qysh kur isha i vegël e bëheshim “maskar”, në festën e karnavaleve e më kishte djegur majën e kandillanafit prej letre në krrye dhe unë pata përfunduar, nga frika, me rrokullimë në fundin e shkallëve me dërrasa të katit të dytë!. Atëhere as që bëhej fjalë për ndonjë mjet tokësor e jo më për ato “mjete” që fluturonin qiejve, por Babë Nini, më mori në krahët e tij e më qetësoi me fjalë të ëmbla e shakara, siç dinte vetëm ai..

Dhe vetëm kur të birin e kthyen nga Spitali Janinës, në gjendjen e mëparshme, do të lumturoheshim e do të luanim domino së bashku në “BAR BUFE PIQERASI”, pas “përbuzjes” që na kishte bërë të dyve fabulisti se ishim “amatorë të pandreqshëm” dhe “humbësa të mëdhenjë”, që nuk dinim të loznim dhe të fitonim, e jo më të “pinim raqi me okare”,-siç thoshte Arëza ime….E pas këtij debati plotë humor, do të mësoja arsyen se si Kryeplakut i kishte ndodhur “hataja e mbushjes së barkut me ujë” e raqia që pinte “fshaçe” s’dihej se si e nga i avullonte!”…

”Rakipirësat duhet me kenë DIVA.- paskish thënë ai banori i “shkallës”, -e jo me e përzi me ujë langun e tërbuem, or te , e jo si nji ky Nika juej…Nj’ashtu “thatë fare” e pa kurfarë meze thiu! E shyqyr ma, për t’madhin Zot , nuk ka me ardh ma njaj Alikapteri me na i marë Nikën tonë të dashtun”!

Veçse, ai banori i “shkallës” , s’kishte si ta dinte, se tani, as “Bar Bufe Piqerasi” nuk na begeniste më, si anëtar të saj”, qofshim si “Rakipirësa fillestarë”, qoftë edhe si “lojtar dominoje” të rangut të tij! Me demek ,“na persekutuan”! Dhe kush?: miku ynë i “pirostisë”!

Pa kurfarë shakaje, helikopteri nuk besoj se na ulet përsëri në fshatin tonë të bekuar nga ZOTI: Pi (edhe) Qeras! Edhe pse Niko Nino tani, nuk e pranon më qerasjen më tepër se një “teke”! Shëndet e jetë , i dashur Niko e mos ardhtë më të ulet mbi Piqeras ai “Ali Kapteri”!, si e quanin ata të “shkallës”. Pa le të mos na pranoje të lozim më domino ne të dy pensionistëve që erdhëm përsëri në jetë, ai njeriu më i gjatë se ne,“këmba e tretë e pirostisë”!