Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Po ti ku je?…

86
Sigal

Po ti ku je?…

Po ti ku je moj mike e vjetër,

që shpirtin ëmbël ma ke dehur.

Në këtë pranverë tretesh si vjeshtë,

në cilën ëndërr qëndron fshehur?

 

Po ti ku je moj mike e bukur?

Mos kjo e gjitha është një trill?

Në cilën zemër qëndron strukur,

cilin mëngjes gdhihesh si yll?!

 

Po ti ku je moj mike qeshur,

që gjurmë le në jetën time!

Në cilin shpirt po qëndron ende,

si psherëtimë edhe si dhimbje?

 

Po ti ku je moj mike vjetër,

që shpirtin ëmbël ma ke dehur…

Në cilën zemër përveç times,

ke hedhur rrënjë e rri e fshehur?

 

Zgjidhni edhe merrni: 

 

Zgjidhni kë të doni!

Andej baba Edi,

këtej baba Mondi.

 

Me dy baballarë,

Edin edhe Mondin,

një për bektashinjtë,

tjetri për gjithë kombin.

 

Por nuk e kuptoj,

pse do vihet gardh?

Një Atdhe i vogël,

Në Atdheun  e madh?

 

Nuk e di pse druaj;

kam frikë këtë herë,

se hapet oreksi

për shtete të tjerë.

 

Ndoshta myslimanët,

do lëvizin vendit,

dhe të bëjnë shtet,

Xhaminë e Hetemit.

 

Edhe ortodoksët

nuk do rrinë të qetë;

bëjnë një kishë të madhe,

dhe e shpallin shtet.

 

Kur shikon ligjvënësit,

ç’i bëjnë kushtetutës,

mund të kërkojë shtet,

edhe prifti i Lushnjës.

 

Ndaj ka disa ditë

që i rri larg gjumit:

Mos kërkojnë dhe romët

ndonjë shtet buzë lumit.