Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Një mësim edhe për mësuesin

128
Sigal

Ndodhia, në një fshat të thellë, por të dëgjuar të jugut, edhe pse kanë kaluar afër njëqind vjet ruan të paprekur vërtetësinë, freskinë, moralin dhe mesazhin e saj. Në krahinë kishte pesëmbëdhjet vjet që kish nisur shkolla shqipe, sipas vendimeve të qeverisë së Vlorës.Të rinjtë e pesë-gjashtë fshatrave, vetëm djem, ishin të etur për dije, ndaj në shkollë gjeje edhe “nxënës burra” për nga mosha, shtati e fuqia. Mjaft syresh i dërgonin prindërit që “të nxinin dy kërraba” për të bërë tutje në jetë, se, siç thoshin pleqtë ” vetëm shkolla të hap sytë”. Shkolla kishte vetëm një mësues i ardhur që “nga poshtë”, Jorgon. Kështu thuhej asokohe për ardhësit aty, për pak ditë apo për të qëndruar gjatë, nga rrethet Berat, Elbasan, Vlorë etj. Ai vinte pak i hollë nga trupi, por ishte shumë i ditur dhe i sjellshëm e kësisoj qe bërë si bir i fshatit. Për më tepër që ai, me një farë radhe që e caktonte kryeplaku, flinte dhe ushqehej nëpër familjet e tërë fshatit. Shkolla kishte vetëm një dhomë shtëpie me dysheme të shtruar me dërrasa lisi, që shërbente si klasë dhe mësimi bëhej me orë të shkurtuara kur binte dëborë. Nuk kishte dërrasë të zezë, as banga, por vetëm fletore dhe pak libra e ndonjë muliv-siç e quanin lapsin. Mësuesi mbante një lloj dhoge të hollë katrore të lëmuar që e mbërthente te muri përballë ku shkruante mësimin e radhës, me tebeshir -kështu i thoshin shkumësit- ndonjëherë edhe me kongjill. Ai mbante një fletore për punën e tij dhe rezultatet e sjelljet e nxënësve. Kishte edhe një lloj regjistri me emrat e tyre.Gjithashtu mbante edhe një thupër thane që ndëshkonte të padisiplinuarit.  Një ditë prej ditësh  mësues Jorgua,po shjegonte aritmetikë dhe donte që ta dëgjonin mirë mësimin e ri se kishte disa vështirësi. Kur ktheu kokën nga klasa vuri re se nxënësi Veli Musaku po bisedonte duke ‘çuçuritur’ me shokun që kishte pranë, aty ulur në dysheme. Pa u menduar shumë dhe pa i folur, ‘fap’e qëlloi fort nxënësin me pëllëmbë në faqe. Dhe pas kësaj i dha urdhër: “Çou në këmbë!” Veliu u çua, pa reaguar, por i heshtur e i prekur në sedër. Ndjehej tepër i zëmëruar nga kjo ndodhi para shokëve brenda në klasë. Dhe u ul menjëherë. Mësues Jorgua e qëlloi përsëri kur ky u ul pa marrë lejë.Veliu prap nuk foli e as qau. Mësuesi e urdhëroi me zë të ashpër që të delte para klasës e të rrinte me një këmbë të cepi i murit. Duke çapitur për atje ku u urdhërua,Veliu, me shpirtin e tij rebel, nuk duroi dot më dhe i dha një kthesë të vetëtimshme trupit të tij, e kapi mësuesin për fyti, e tërhoqi zvarrë deri tek këndi i majtë i dhomës ku ishte dera e binxës së dyshemesë. Me një dorë hapi kapakun e binxës, me tjetrën mbante mësuesin për gryke. Me tërë fuqitë e tij duke e tërhequr zvarrë e futi mësuesin poshtë në binxë. Kapakun ia mbylli me forcë. Kjo ndodhi befasisht e shpejt sa hap e mbyll sytë, aq sa as mësuesi nuk mundi të kundërveprojë.Veliu po qëndronte në këmbë mbi kapakun e mbyllur, ‘triumfator’, por i djersitur, i skuqur në fytyrë dhe gjithë inat. I hodhi një shikim shokëve të klasës. Ata të strukur, habitur e tromaksur nuk folën, por shpejt njëri thirri:” Nxirre mësuesin, o Veli!” Sakaq të tjerët morën yrysh dhe u sulën tek kapaku i binxës. Veliu me fuqinë e krahëve të tij nuk i lejoi. Kaluan disa çaste të rënda rrëmuje dhe nxënësit nuk dinin se ç’të bënin. Veliu turfullonte tërë inat e maraz. Përsëri shokët së bashku i thonë:”nxirre mësuesin se do ta kemi pisk punën të gjithë!” Shokët bashkëfshatarë dhe ata të fshatrave fqinjë, që vinin në shkollë më këmbë për afër tre orë rrugë vajtje-ardhje, i folën me frikë e me guxim për këtë veprim të rëndë që kreu karshi mësuesit. Ai shfrynte gjithë mllef e tërbim. Dikur, pas disa minutash,Veliut i ra inati dhe hapi vetë kapakun e binxës. E kapi mësuesin për krahu dhe e nxorri ngadalë mbi dysheme. Një skenë prekëse, rënduese që mund të kishte edhe të papritura të tjera. Mësues Jorgua, i zverdhur thuajse i mekur, pasi shkundi pakëz pantallonat dhe pallton, u tha nxënësve: “Mësimi për sot mbaroi. Nesër përsëri do të nisim në orën tetë e gjysmë.” Dhe nuk nxorri asnjë fjalë tjetër. Nuk bëri asnjë veprim apo gjest karshi askujt, por shkoi tek tavolina e tij. Ndonjë orë më pas, mori udhën për te shtëpia e babait të Veliut, Iljazi. Donte ta takonte dhe t’i rrëfente për atë “të pabërë” që i kishte bërë djali i tij. Ishte ndodhi e padëgjuar ndonjëherë edhe si fyerje edhe si dëmtim fizik. Iljazi, aty tek të pesëdhjetat, qe vëlla i vetëm midis gjashtë motrash. Ishte një patriot i lidhur me atdhetarë të tjerë të trevave jugore. Burrë me trup të madh, i ngjeshur, me llërë të mëdha, trim dhe sedërli që shikonte hallin e vet. Atij i dëgjohej shumë fjala në fshat mbasi kishte dhënë shembuj se mbante drejtësi në vlerësimin e zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo sherreve që lindnin në katund. Kish qënë në kurbet në Stamboll pak vite. Ishte shumë punëtor. Vlerësonte së tepërmi pronën dhe punën e ndershme. I martuar me Hatixhenë, kishte tre djem dhe një vajzë. Veliu ishte djali i tretë që erdhi tepër i shëndetshëm dhe i lëvizur. U rrit i fortë dhe në shkollë shkoi i formuar fizikisht, me trup të fuqishëm. Mësuesi ia shkoqiti Iljazit fill e për pe ngjarjen dhe priti mendimin e burrit të mençur. Iljazi, që ishte i njohur si një nga njerëzit më të ditur, i vuajtur, i gjezdisur dhe që ndante sinorët e drejtësisë, pasi e dëgjoi me kujdes deri në fund, i thotë qetësisht mësuesit: “Gabimin e ke pasur ti mësues, e pastaj faj ka bërë djali im. Aliu nuk duron ta poshtërojnë, ti i nxituar, i ke hequr pëllëmba dy herë në sy të klasës dhe atij i është sosur durimi.” Dhe vijoi paksa mendueshëm,”I thonë një llafi: ti o burrë me mend, shtjere në trupin tënd; siç të dhemb, ashtu më dhemb!” Kjo qe edhe zgjidhja përfundimtare e “sherrit” midis mësues Jorgos dhe nxënësit Veli Musaku. Ishte viti 1928. Ngjarja mori dhenë.Veliu, tepër i mërzitur, shumë i përgojuar, e braktisi shkollën, u bë firar nëpër miq e farë e fis dhe një vit më pas emigroi në Francë. Edhe pse i penduar që la atdheun, ndoshta për të shlyer edhe fajin, atje në emigracion, punoi për bukën e gojës, rebel e luftëtar ndaj padrejtësive, shfrytëzimit dhe keqtrajtimit, duke dërguar letra në vendlindje, deri sa u nda nga jeta 86 vjeç.