Suplementi Pena Shqiptare/ Irma Kurti: Letër nënës

Si je nënë? Prej kohësh nuk flasim;

nuk kam marrë prej teje asnjë lajm.

Sigal

Ka shenja që nëpër ditë i deshifroj,

si sinjale që ti m’i sjell nga larg.

 

Premtove se vdekja s’do të na ndante

dhe vetëm për një çast ti do të vije,

të gjitha ditët e mia janë shndërruar

në rrahje të shpejta zemre, në pritje.

 

Tanimë unë s’mundem që të vij tek ti,

se udhën ma zënë vargje poezish plot,

të tjera ide të zbehta të përgjumura,

po më presin që mbi letër t’i zgjoj.

Nëpër ditë i sjell ndërmend aq shpesh

kujtimet tona, bisedat për dashurinë,

mbrëmjet e ftohta përreth një furnele

të vogël që ngrohte të tërë shtëpinë.

 

E shtrenjta ime ti i mbaje premtimet,

këtë herë diçka ka ndodhur me siguri.

Do të ta nis letrën në strehën tënde,

që rifreskohet nën hijen e selvisë.