-Rrëfenjë e jetuar e ditëve tona-
Veterani i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hysni R. Kurti banues në një qytet të lashtë, kish marrë vendim disi të çuditshëm: të kënaqte shokët e tij veteranë e pasardhësveteranë të kryeqytetit, me rastin e 90 vjetorit të tij të lindjes. Ndaj organizoi atje, në metropol, siç i thonë në këto vite me njoftime ‘on lajn’(on line) një ceremoni konkrete modeste, por tepër kuptimplote. Shokët e tij të ftuar ishin nga tërë Atdheu për të cilin ata, veteranët, luftuan deri sa e çliruan nga fashistët italianë, nazistët gjermanë dhe tradhtarët vendas. Një nga Gjirokastra e një nga Mirdita, tjetri nga Skrapari dhe i katërti nga Tepelena. Njëri profesor nga bërthama e Labërisë, një tjetër gazetar profesionist dhe më i riu ishte nga Lushnja. Shumica ish-kolonelë, si dhe vetë veterani. Ai, 90 vjeçari, kish kërkuar që në atë ceremoni ta përfaqësonin edhe dy pasardhësit e ndarë prej një zjarri me të, njëri 71 e tjetri 78 vjeç. Kishte ftuar edhe veteranin 97 vjeçar, një ndër më të përveçmit e veçantë, partizan, nga më të rralluarit e këtyre ditëve, kur kanë kaluar 79 vjet nga 29 Nëntori 1944, dita e Çlirimit të Shqipërisë. Ky është vlerë realisht dhe absolutisht kombëtare dhe vendlindja e tij mund të jetë kudo, në çdo pëllëmbë të vendit tonë, sepse ai është një ndër partizanët e paktë ende i gjallë, që e përshkoi territorin e shqipeve me këmbë, me maliher në krah e me luftime të pashembullta nga Skrapari në Kukës, e më pas u vlerësua me titullin më të lartë të kohës ndërtimtare, Hero i Punës Socialiste. Ky është Qemal Hysen Bego, shtatlartë, syshqiponjë, krenar për jetën, mendjekthjellët, përgjatë thuajse plot një shekulli, i papërkulur dhe i papërlyer. Dreka kaloi si jo më mirë. U ngritën dolli për veteranin e largët dhe atë të këtushëm, u ndanë stimuj, u kënduan këngë, u treguan shkrime dhe ngjarje nga jeta e veteranit që na mblodhi, u fol për detyrat që ai kreu shumë mirë në disa qytete të Shqipërisë, u evidentua takimi edhe me foto të cilat veterani 90 vjeçar i ndiqte që nga shtëpia e vet, atje larg. Doemos që veterani 97 vjeçar do të merrej e do të përcillej me taksi. Si në fillim ashtu edhe në përfundim të festës së ditlindjes së nëntëdhjetë të veteranit tepër të nderuar, Hysni Kurti, u thirr një taksi dhe Qemali i shoqëruar nga një pasardhësveterani u përcoll deri në shtëpi, në afërsi të kodrave të Liqenit të Tiranës. Qemali fjalëkursyer sa vuri këmbë në makinë tha:” Na shkoftë mbarë udha, more bir; se tani shumë janë në timon, por pak janë shoferë.” “Të faleminderit gjyshi, e mos ki merak”,- shqiptoi me respekt taksisti që nga fytyra tregonte se nuk i kishte më shumë se 32 vjeç. Qemali tha edhe dy fjali të tjera për drekën që kaloi shumë mirë, duke falënderuar edhe veteranin 90 vjeçar për atë na mblodhi këtu dhe shtoi: ” Sa pak kemi mbetur!” “Pak, por jeni hekur dhe keni edhe të tjerë që do ta ndjekin gjer në fund mbrojtjen e idealeve dhe heroizmave tuaja”- ia ktheu pasardhësi nga ndenjësja e prapme e taksisë. Sakaq taksisti iu drejtua veteranit:”O gjyshi, ore me të vërtetë kanë luftuar gjermanët me partizanët këtu në Shqipëri apo vetëm sa kanë kaluar në këmbë e me makina drejt vendit të tyre?” Veterani buzëgazi ironikisht dhe çehreja iu mvrenjt. Ish-koloneli, tani pasardhësveterani, që ishte prapa, mbeti i mahnitur nga kjo pyetje e beftë dhe ndoshta provokuese. Por Qemali iu përgjigj po me pyetje: “Po pse more bir, nuk e keni mësuar në shkollë ju, që Shqipërinë e çliruan nga pushtimi fashist italian e nazist gjerman, vetëm partizanët shqiptarë?” Taksisti me vështrim nga asfalti, tha fjalinë:”Ne tani po na i tregojnë si telenovelë e jo si luftë të vërtetë këtë që thoni ju.” Ra heshtja. Kishim ardhur para derës së pallatit ku banon veterani. Ai zbriti, përshëndeti, falënderoi dhe pyeti thjeshtazi:”Sa do paguaj?” “Janë të paguara”, thanë në një gojë dy të tjerët. Në kthim, taksisti, pasi vendosi që do t’i binin rrugës më gjatë, për të shkurtuar kohë, se tani është trafiku i rënduar, deshi të vijonte bisedën, por ish-koloneli e pyeti: ”Ku ke lindur ti?” “Në një fshat të Përmetit”, -tha shoferi. Dhe vijoi “por kemi kohë që banojmë në Tiranë. Shkollën e kemi bërë hopthi-topthi. Shkollë i thënçin!”. Pasardhësveterani nisi të fliste thjeshtazi për luftimet në Kuqar e për betejën e Tendës së Qypit që janë afër fshatlindjes së tij; për përleshjet me gjermanët në Qafën e Shkozës e për luftimet që u bënë nga partizanët për çlirimin prej gjermanëve të Beratit e të Kuçovës; për luftimet e gjata e të furishme për çlirimin e Tiranës, ku kishte marrë pjesë edhe Qemali që sapo zbriti nga makina. I tregoi edhe episodin e bukur të nënës së baxhanakut të vet shkodran e cila qe martuar më 29 nëntor 1944 dhe që shpesh kujtonte: “Njat’ditë, ta marsha, a din, partizanët luftojshin n’tan Shkodrën dhe në lagjen Dudas ku unë hyna nuse, thirrshin njerëzit: “U çliru Shkodra, hej!” Dhe pasardhësveterani e mbylli:”Të faleminderit që më dëgjove. Kurrë mos u beso llafeve, por lexo dhe dëgjo ata që thonë të vërtetën. Gjaku i 28 mijë dëshmorëve të asaj lufte epopè tashmë është bërë si dielli që nuk i lë kurrë njerëzit në errësirë, paçka se ka e do të ketë shumë tymnajë dhe baltë.” Zbriti, pagoi, u përshëndosh dhe u largua paksa i tronditur, por optimist se Lufta jonë Antinazifashiste Nacionalçlirimtare do të mbetet faqja më e lavdishme e historisë sonë.