Suplementi Pena Shqiptare/ Ilir Hebovija: Pleqtë…!

Ilir Hebovija

Shkurticat e se premtes

Treni mbylli dyert, familja u nda, gjysma mbeti, gjysma u nis. Të dy përcollën me sy imazhin e lagësht të trenit që largohej.

NOA

Dy hije të copëzuara nga emocione që binin furishëm e thyenin gjithçka. Gjithçka shpirti e mishi e kishin lënë aty, në atë stacion treni, ulur në gjunjë.

Ajo qenia e vogël e tyre, që kishin pritur të vinte në jetë, që kishin qarë nga padija e frika për ta rritur të shëndetshëm. Që e kishin parë të luante me shokët e të vritej në lojë. Ajo qenie për të cilën siguroheshin çdo natë të ishte mbuluar mirë. Ajo pjata e ndarë veçmas për t’u ngrënë në kohën e duhur.

Ajo qenie ishte shkëputur nga trungu, për t’i riprovuar të gjitha vetë, përtej çka ishte mësuar një jetë.

Dyer që hapeshin, gate që mbylleshin, zhgënjime, rënie, ngritje, porta e shtëpisë që priste me mall çdo kthim — ashtu të rrëmbyeshëm, të përhumbur, anashkalues, fitimtarë.

E pjesë e një rutine ishte për të takuar ata, hijet. Dy jetë ishin thyer e reja që zotëronte të vjetrën. E vjetra e paditur, që duhej të mësonte çka jeta pas e kish lënë, të resë t’i përshtatej e të dukej si e ardhur në kohë. Një lojë çfilitëse mes dy “uneve” në gap-in e madh të brezave.

Valixhe që mbushen e zbrazen, lahen e të reja blihen, matin kohën mes ikjeve. Hije që presin të formëzohen në qenie të prekshme, si dikur.

Kur valixhja e fundit, e lodhur, e shqyer, e mbushur me rraqe, vjen në prag të derës, i bie ziles.

Një hije që pret krahëhapur të jetë e dukshme, buzëqesh me mall e dhimbje.

— Bab, erdha.

Lëshuar në krahë që zgjaten për të mbërthyer kohën e humbur, e gjithçka që mban aromë fëmijërie, në ofshamë gërthet:

— Sa qekeni plakur!