Publikohet për herë të parë/ Diana Gëllçi: Satira që i kushtoi shtrenjtë poetit Dhori Qiriazi

Habitesh vërtet nga kurajua e autorit Dhori Qiriazi dhe botuesit Niko Nikolla. Kjo satirë e fuqishme politike i kushtoi shtrenjtë poetit, të cilin e larguan menjëherë nga gjimnazi dhe e degdisën në Boshanj (një fshat 20 km larg qytetit) ku i duhej të bënte edhe 2 orë rrugë në këmbë dhe të priste për ndonjë kamion të rastit për të mbëritur aty.

Pas demokracisë, nga kjo poezi mori frymezimin dhe u realizua kinokomedia brilante ” Gjuetia e fundit” me të famshmit : Vasillaq Vangjeli, Koço Devole, Xhevahir Zeneli etj.

NOA

PREPOTENTI

Shtëpi e pritjes zjen e zjen si furrë

e tëra digjet në drit’ e valë korenti!

Përse? Ç’ka ndodhur ? Ta dinë gurë e drurë,

ka ardhur prepotenti!

 

Shpejt në oxhak të madh të vëmë kërcunë!

Të derdhet prushi tamam si zjarr xheneti.

S’ka prit të presim, s’ka më jo ti jo unë,

ka ardhur prepotenti!

 

Qilima shtroni e shilte me lesh rudë

për çdo moment hazër të rrijë urgjenti,

edhe postiqet mos i harroni kurrë!

Ku ulet prepotenti!

 

Punëtorja Reko le të rrahë ujë,

e dhallë të dhirtë në një tundës bredhi,

që leht e lehtë, pa dert të bjerë në gjumë,

si qengji prepotenti!

 

Sakën se shtroni sot kulaç prej gruri,

edhe raki të zjerë prej Përmeti!

Pogaçe bëni për nder të atij burri,

të hajë prepotenti !

 

Sakën në kokë se mos i bini berrit,

s’do mish prej qengji zogu i skifterit!

Do mish sorkadhe, pëlqen dhe misht’ e drerit

bërxolla prepotenti!

 

Mobilizoni përqark të gjithë gjahtarët:

Të zjejë pylli i madh, të zjejë si deti.

Përpjetë lëshoni corsat dhe zagarët

ti ndjejë prepotenti !

 

Dhe ju të tjerët batakut ndiqni ngjalën,

vështroni mirë që grepi mos t’ju ngeci.

Pastaj u ktheni me vezë ushqeni kalin

që hipën prepotenti!

 

Dhe leshkoja ynë të sjellë ca këngëtarë,

që të provojë këtu sa vlen talenti!

Ja ku e ka “gazin” të shkojë e t’i marrë;

t’ia sjellë prepotentit!

 

Klarinetistin e do i biri i botës:

Ta ketë aty t’i fryjë tek llap’ e veshit.

Edhe në çast t’i ngrihet lesht’ e kokës

nga qejfi prepotentit!

 

Dhe verë të pijë në gotë? Jo, në plloskë;

siç e do zamani ashtu siç e do lezeti.

Dhe leshkoja ynë të grryejë ndonjë kockë

përpara prepotentit!

 

Dhe me lëkurë qengji veten veshin,

kurse tani të bukurat pendë u ranë,

dhe për një mend kaq shumë na bëjnë të qeshim

me shpirt këta rrufjanë!

 

LEKA ( Dh. Qiriazi )

Botuar në revista “ HOSTENI “, 26 Shkurt 1975