Suplementi Pena Shqiptare/ Hysni Milloshi: Atdheu

(Fragment nga poema ATDHEU)

 

Sigal

Ti, Atdhé je busull jete!

Ti Atdhé je Komisari!

Ti, Atdhé je kryefjala!

Ti je buka, ti je ajri!

 

Ti je drita, ti je kënga,

ti je gjiri brenda gjirit.

Ti je malli, ti je brenga,

ti je syri brenda syrit.

 

Ti je dashuria ime,

rrënj’ e ëndrrës sime je!

Ti je sofra që nuk shkelet,

kryedielli je Atdhé.

 

Ti je guri ku ka gdhendur gjithë kujtesën historia,

Ti je djepi ku ka hedhur shtatin shqipe Shqiptaria.

 

Shqiptaria quhet lindje

e rilindje shpresë drite.

Shqiptaria quhet era,

që nuk lidhet dot për gryke.

 

Shqiptaria quhet lulja,

që çel mbi kratere flake.

Shqiptaria quhet zjarri,

që djeg rrënjët e një nate.

 

Shqiptaria quhet gjiri,

që gatuan uraganin.

Shqiptaria quhet tmerri,

që fashit në ferr tiranin.

 

Shqiptaria quhet himni,

që këndon për drejtësinë.

Shqiptaria quhet feja,

që beson në shqiptarinë.

 

Shqiptaria quhet kulla,

që bën zjarr në vend të vet.

Shqiptaria quhet nderi,

mes planeteve planet.

 

Shqiptaria quhet jeta

– barrikadë me epopé.

Shqiptaria quhet zemra,

që rreh veç për ty Atdhé.

 

Ti je pasuria ime, trashëgimi i pashterrshëm,

Ti je krenaria ime,

në një emër të pavdekshëm;

 

M’u në majë të universit,

s’dua, them flori e ar!

Dua vetëm që të rroj,

e të vdes si një SHQIPTAR!