Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: Tapeti

379
Sigal

Rrëfenjë nga Hyskë Borobojka

Një makinë qëndroi te porta në një nga dikasterët më të rëndësishëm të vendit. Prej saj zbriti  Fane Murrizi, një korrozi, ballë shtypur, me qime të ralla në majën e kokës. Ai zbriti nga makina një deng të rrumbullakët. Në korridor u gjend ballë për ballë me Bame Dallamangon, që e ka hararet e nuk e zë gjumi, po mos mori vesh se kush hyn e kush del në zyrat e dikasterit. -Ç’e ke këtë more Fane? – pyeti duke ardhur rrotull dengut. -Nuk e sheh! Tapet, do të zbukurojmë korridorin e zyrave të dikasterit! Bamja, kur dëgjoi këto fjalë, i vajti edhe më afër dengut dhe si e pa me vërejtje, ngriti vetullat e trasha dhe u dha pas flokëve të gjata, që i binin si furçë mbi jakën e këmishës. Mblodhi buzët nga pakënaqësia, si macja kur e ngacmojnë prapa veshit. -Bobo, ç’ngjyrë! – psherëtiu Bame Dallamangoja -Shumë e mirë, nuk ka të sharë!- iu përgjigj Fanja -Me këtë palo tapet do të zbukurojmë  korridorin? – pyeti me shpoti Bamja.  Pastaj, si i erdhi edhe njëherë vërdallë tapetit, duke vënë në përdorim, jo vetëm shqisën e të parit, por edhe atë të të prekurit e të nuhaturit, tundi kokën. -Eh, si të duket? – e ngacmoi Fania. -Hiç ! -Si hiç? -Nuk bën fare! Ç’ngjyrë!… -Shumë i bukur. Do të shkëlqejë korridori. Kush ta shohë, do të lerë sytë e mentë në të! -More lumëzi, sheh me sy, apo ke pësuar ndonjë iluzion optik?! Blihet me para kjo ngjyrë tapeti ?!.. -Nuk ka të dytë ! – ia ktheu Fania. Kjo nuk durohej më, kur tjetri ta bën gomarin e druve kalë me shalë, prandaj iu qas ballë për ballë dhe i foli me shpoti: -Me tërë mend i ke ato që thua ? -Pse me gjysmat! Balli i tapeteve, nuk ka të sharë ! -Bishti, thuaj! Kur nuk di not pse futesh në ujë? Nga e psonise këtë lule të vyshkur, që kush ta shohë të mbledhë buzët e të thotë: -Me këtë palo tapet do zbukurojmë zyrat e reja, që i modifikoi, i sistemoi dhe i derdhi paratë lumë titullari ynë që ky tapet i shplarë në mes të zyrave të reja, të duket si dhia e zgjebosur në mes të dhenve rudë. Këtë shëmti s’do pranoja ta shtroja as në oborrin e shtëpisë! I erdhi edhe njëherë vërdallë tapetit, mblodhi buzët e zieu: -Phë! Ç’shije!? Të kripsha trutë. Të bukur të hedhur ta paskan bërë, more lumëmadh! Fania nuk deshi ta zgjaste më tej me shpjegime e i ra shkurt: -Atë e ka pëlqyer dhe ka zgjedhur tjetër burrë!. Në këto e sipër doli nga zyra përballë, Nafi Avazi. Ky ishte një nëpunës i shkurtër e rondokop, me një pamje të ftohtë. -Ç’keni kështu, xhanëm? Njëri gërr, tjetri vërr! S’na lini të punojmë rehat! – thirri ai. Por Fania, sikur qortimin e tij të mos e kishte dëgjuar fare, e pyeti: -Zoti Nefi, si të duket ky tapet?  -Nuk më pëlqen fare! – iu përgjegj pa e parë. -Shikoje, shikoje, mos folë kot! – nguli këmbë Fania. -Të thashë njëherë, hiç fare dhe mbaroi! – foli prapë Nefiu dhe, si e preku pak me dorë, vazhdoi: – Ç’ngjyrë e venitur! Përse na e solle këtu? -E ka sjellë, zoti Nafi ta shtrojmë në korridorin e zyrave që u sistemuan e u bënë të reja!  -Me këtë ngjyrë?!  -Ja, me këtë! – përqeshi Bamja. -Jeni në vehte, ç’thoni kështu?! -Është goxha ngjyrë! Përse ma shani, zoti Nafi?  Tjetri i vajti pranë, i hodhi dorën mbi shpatulla e i tha: -Dëgjomë mua ! Mos e zgjidh fare dengun, por ktheje ku e more se parja kallpë, vete tek i zoti. Në këto e sipër kishte dalë nga zyra drejtuesi i dikasterit dhe pyeti Fanen:  -Hë, e solle?  -Siç e sheh, zoti ministër! Zgjodha ngjyrën që pëlqyet ju!  -Të lumtë! – e uroi e u kthye nga Bamja e Nafiu, që tani kishin marrë një pamje të tillë, që të vinte keq t’i shihje. Të gjorët ata, hapnin sytë e shikonin njeri -tjetrin të trembur, sikur donin t’ia linin shoku-shokut qortimet e bëra për tapetin e zgjedhur nga vete titullari. Kushedi sa do të rrinin ashtu, si dy guhakë, sikur të mos i kishte përmendur zëri i titullarit:  -Hë, si duket, mirë e kam zgjedhur?  -Shkëlqyshëm! – foli  me zë të plotë Bame Dallamangoja.

-Ç’ngjyrë! – vazhdoi Nafi Avazi.

Dhe të dy, si të vënë në garë, vazhduan:

-Çfar shkëlqimi!

-Ç’hijeshi!

-Ç’bukuri!

-Ç’harmoni!

-Ç’pamje!

-Ç’mrekulli!

-Ç’pastërti!

-Ç’freski!

-Ta shtrojmë që tani! – propozoi Nafiu. Nxori nga xhepi syzet, dhe i vendosi mbi kurrizin e hundës.  -Nuk po shtrohet mirë! – bëri vërejtje ministri.  -Do të shtrohet se s’bën. Ma lini mua këtë punë. Babai im ka shtruar e ka bërë zap mushkat xanxare e qetë e sertë e jo më, i biri i tij, të mos shtrojë dot si duhet një tapet kaq të bukur e madhështor! Pamja ishte për të qeshur edhe për të qarë. Dy goxha burra po ropatashin ta shtronin sa më mirë, që t’i bënin qejfin titullarit të dikasterit.  -Të kishim një rul! – foli Fanja, që deri aherë vetëm kishte heshtur  -Shtrihem unë! – i gatshëm Bame Dallamangoja.  Hoqi menjëherë xhaketën dhe u rrokullis, sa gjatë gjerë mbi tapetin, që kishte hapur Nafi Avazi.  -Pse po i ngrihen çipet përpjetë, si veshë lepuri! – tha titullari  -Mos e prish zemrën, zoti ministër! Ke zgjedhur lulen e ngjyrave  e modën e tapeteve. Si mund të shkelte në dërrasë të kalbër një titullar i lartë mbi të lartit, siç jeni ju?! Dhe të dy, si të vënë në garë, vazhdonin të ngrinin lart e më lart cilësitë e ralla të tapetit që nga ngjyra e deri te bukuria e tij.