Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Lec Gjoni: Gjyshet e mia

380
Sigal

Dy gjyshet që kam pasur unë ishin me kultura të ndryshme. Gjyshja nga babai quhej Maria, ishte një grua e bukur e besimit katolik.   Isha fëmijë dhe mbaj mend që në odën e saj ishin dy piktura në porcelan, ajo e Adamit dhe Evës dhe mes tyre qëndronte një kryq të cilin ajo e ruante fshehurazi.  Ndërsa në duar mbante një varëse me rruaza që perfundonte me një pllakë argjendi të gdhendur me portretin e Shën Mërisë.  Bënte kryqin duke ju drejtuar ikonave që kishte vënë në murë. Kur u rrita, për ta kuptuar më mirë, një ditë më shpjegoi përse ma vendosën emrin Eva! Halla ime e madhe u martua me një inxhinier italian para luftës dhe qëndroi  atje mbas mbylljes së kufijve. Ajo ja kishte sjellë gjyshes pikturat dhe kryqin kur vinte për vizitë nga Italia.  Gjyshja ishte grua e fisme, flokët i mblidhte mbrapa topuz dhe mbante një palë gjyslykë me skelet të zi nga ato modele pikë loti  siç është sot në modë.  Në shtëpi flisnin vetëm italisht, ishte grua aristokrate në menyrën e veshjes dhe bisedave. Xhinës, qenit që kishte, i qepte për dimër veshje të ndryshme, gjë shumë e rrallë për atë kohë në Tiranë. Të gjithë njerëzit kthenin kokën kur ajo shëtiste me të. Edhe gjyshja tjetër që më ka rritur mua, nëna nga mamaja, ishte grua me një inteligjencë të veçantë. Kishte një kujtesë absolute për gjithçka. Ajo mbetet gruaja që kam njohur dhe që nuk besoj s’e do më takoj fati të njohë tjetër, pasi ka qenë personi më i afërt për mua në jetë. Njeri e lindur në kohë të gabuar, shumë e hapur në mendim. Nëna ishte e fesë muslimane.  Dua ta theksoj se asnjëra nga gjyshet  nuk ishte praktikante e zellshme, ndoshta nga kufizimet e kohes, ndoshta ashtu e mendonin, por nuk kanë ushtruar asnjë ndikim tek unë për fetë e tyre .  Gjyshja nga nëna quhej Xhemile dhe mbante shami të bardhë në kokë.  Unë gjithmonë e përkëdhelja duke i thënë ‘pulebardha ime’. E përqafoja dhe i afroja kokën në gushë që t’i merrja erën e mire të sapunit që ajo mbante.  Ishte grua e fortë dhe bashkëbiseduesja më e mirë, e gjente fjalën me këdo. Ishte grua autoritare dhe për çudinë time edhe në atë kohë të gjithë që e njihnin e thërrisnin ‘zonja Xhemile’, sepse e respektonin për mençuinë dhe fisnikërinë e shpirtit. Isha shumë e afërt me të, bisedoja çdo gjë. Gjatë gjithë jetës ka qenë mikja ime më e mirë, ishte shtylla ime e mendimit. Mbaj mend kur ajo thoshte gjithmonë ‘bismilah’ kur niste ndonjë punë, ose hapte derën për të dalë jashtë. Por kishte dhe një merak!  Nuk e hante mishin e derrit dhe kur në shtëpi blihej sallam dhe proshutë, ajo e mbante veç bukën e saj dhe thikën. – Ma prekni me duar me mish derri thoshte!   Si fëmijë nuk e kuptoja këtë gjë dhe vonë më tha vetëm kaq se: – Muslimanet nuk e hanë mishin e derrit.  Edhe sot nuk e di arsyen! Nëna kishte një renditje mendimi  të admirueshëm. Fliste pak për të thënë shumë, nuk gjykonte askënd, vetëm jepte mendimin e saj. Ishte shumë e qetë dhe e durueshme. Kujtoj kohën kur merrej me fëmijët e mi, kujdesin ndaj tyre, ninullat aq të bukura që i këndonte çdo ditë ndryshe.  Dhe ashtu qetë-qetë, nën zë thoshte një lutje që unë nuk e mësova asnjëherë.  E mbaj mend që kendonte edhe kur gatuante.  Gatimi ishte pasioni i saj. Puna e parë që bënte ishte dreka.  Gjthmonë më thoshte; dëgjo ketu:  -Dreka duhet të presë burrin, jo burri drekën! Sot më vijnë të çuditëshme këto fjalë nga intensiteti i jetës që kemi.  E theksova më lart s’e asnjëa nga gjyshet e mia nuk kanë pasur ndikim tek unë në lidhjen me fenë. Unë vetë besoj në një fuqi mistike, kozmike, hapsinore, fuqi përtej kapacitetit tim për ta perceptuar të gjithë krijimin, ekzistencën dhe vazhdimësinë. Nuk e konceptoj dhe zoteroj shpirtin!  S’i ekziston s’i vepron dhe përse vepron ashtu siç vepron! Çfarë është shpirti, nga kush drejtohet dhe perse është i ndryshem tek çdo njeri! Si ndodh që gjënden shpirtrat me njëri-jetrin, përse shpirti ndjen, tërhiqet a vepron ndryshe ndaj shpirtrave të tjerë! Përse ai ndihet mirë vetëm pranë një shpirti të caktuar, nuk shikohen nuk preken nuk janë materie!  Pra çfarë është kjo që drejton materien ‘njeri’! Dhe nuk e di, kush është krijuesi!  Ndaj unë i lutem çdo ditë asaj fuqie që mund ta quaj ‘Zot apo Allah’. Në këtë mënyre jam besimtare.