Suplementi Pena Shqiptare/ Hasan Gremi: “Epopeja e maceve” – një vëllim që sjell risi në poezinë shqiptare për fëmijë

170
Sigal

Vëllimi i fundit i studiueses dhe shkrimtares Klara Kodra “Epopeja e maceve” të befason me pjekurinë e re e arritur prej autores, e cila ka lëvruar prej shumë vitesh poezinë dhe prozën për fëmijë. Ky është vëllimi i saj i katërt me poezi për fëmijë që pason vëllimet “S’ janë lule bore” (1987), “Pasqyra magjike” (1999), “Vjen pranvera” (2008). Këto vëllime janë pasuar nga proza të ndryshme për fëmijë dhe adoleshentë (tregime – përralla – novela). Rikthimi i autores në poezi shënon një hap krijues nga ana e saj, që ka ecur ndjeshëm në problematikë dhe në formë. Në këtë vëllim mbizotërojnë fabulat dhe vjershat me subjekt. Trajtimi i llojit të fabulës shpreh një pasurim në poezinë për fëmijë të Klara Kodrës. Një nga temat qendrore të këtij vëllimi është dashuria ndaj kafshëve si “Vëllezër të vegjël” të njeriut që mund t’u japin fëmijëve një dashuri të madhe, të çiltër dhe të pakushtëzuar dhe gjithashtu mund t’u mësojmë atyre dashurinë dhe dhembshurinë ndaj më të dobtëve, ndaj qenieve, që kanë nevojë për mbrojtje. Edukimi i dashurisë për kafshët te lexuesit e vegjël është si një shkallë e parë për t’u thelluar në dashurinë për njerëzit, për të zbutur agresivitetin e natyrshëm, që gjen mbështetje në shoqërinë e sotme ku po humbasin vlerat etike dhe për ta shndërruar në butësi. Fabula gjithashtu si lloj jep mundësinë që figurat e kafshëve të antropomorfizuara të bëhen simbole të cilësive dhe të metave e veseve njerëzore. Në fabulat e K. Kodrës në këtë vëllim dallohet një origjinalitet përsa i përket subjektit.

Autorja nuk i përsërit si shumë shkrimtarë të tjerë, qoftë edhe duke i rinovuar subjektet tradicionale që i kapërcyen shekujt të trashëguar nga Ezopi ose Fedri. Ajo shpik subjekte të reja, madje edhe personazhe të rinj, që ndryshojnë nga heronjtë tradicionalë të fabulave dhe të befasojnë. I tillë është gomari, jo i durueshëm dhe i nënshtruar, po rebel që mbron dinjitetin e llojit të vet nga përbuzja e padrejtë e njerëzve, dhelpra që ngjan jo negative, po simpatike në dy fabulat e vëllimit ku kërkon liri ose mbron të drejtën e vet që të luftojë për mbijetesë për vete ose për fëmijët, macja që kundërshton me vendosmëri mendimin e padrejtë që është përhapur për simotrat e saj si servile dhe interesaxhie, të paafta për dashuri dhe besnikëri të vërtetë “Bisedë e maces me qenin”. Përmes këtyre personazheve zbulohen dhe evidencohen veçori të kafshëve që janë errësuar nga vështrimi i tyre tradicional si negativë. Ka vjersha ku nxirren në dukje veçoritë biologjike të kafshëve për t’i krahasuar me njerëzit siç ndodh në vjershën kur fluturimi karakteristik nusëror i bletës mbretëreshë krahasohet me atë që ndodh me rastet nga soji i njerëzve me të cilët bleta ka të përbashkët bukurinë, po zotëron edhe diçka më tepër, aftësinë për të fluturuar. Ka edhe vjersha ku theksohen pikërisht ato tipare të kafshëve me të cilat, për çudi, ato ua kalojnë njerëzve si aftësia instinktive e majmunit për të mos përsëritur gabimet. Kjo kafshë krahasohet me qeniet njerëzore, të cilat çuditërisht, pavarësisht nga mençuria dhe logjika, mund të gabojnë disa herë me radhë “Bisedë me majmunin”. Me interes është edhe veçoria e hardhucës për të rigjeneruar gjymtyrët e veta që u mungon njerëzve “Hardhuca”. Vjersha të tilla zgjojnë te lexuesit e vegjël admirimin për përsosmërinë e natyrës, pra, nuk u trasmentojnë atyre thjesht vlera njohëse. Në disa vjersha të tjera vihet re një paralelizëm midis botës shtazore dhe njerëzore për të evidencuar cilësi dhe të meta, që u përkasin njerëzve. Vetitë biologjike të harabelit dhe lejlekut, njeri zog shtëpiak, tjetri zog shtegtar përdoren për të trasmentuar cilësinë e fuqishme të lidhjes shpirtërore me atdheun dhe gatishmërisë për sakrifica në  emër të këtij që i kundërvihet dukurisë dramatike të emigracionit. Vihet re që në fabul të dyja shpendët e antropomorfizuara thonë secili “ të vërtetën “ e vet, pra, lejleku që simbolizon mërgimtarin nuk dënohet, po simpatia e lexuesit fëmijë shkon te harabeli që thotë fjalën e fundit. Në dialogun e përfytyruar midis grenxës dhe bletës, të ngjajshme në disa pika, po të ndryshme në thelb në fabulën “ Grenxa dhe bleta” jepet ideja e lartësimit të punës së dobishme dhe talentit që i kundërvihen mendjemadhësisë boshe që madje ngre lart agrevisitetin te personazhi i grenxës që e quan veten të njëjtë me bletën. Shumica e vjershave të vëllimit janë ndërtuar mbi dialogë ose monologë,, çka bën që mesazhi të gjallërohet dhe të mos jepet me një frymë të mërzitshme didaktike. Në këto vjersha dhe fabula dënohen vese të ndryshme midis të cilave mbizotëron mendjemadhësia, çka në disa raste del tepër qesharake se mishërohet te insekte të pista si miza e cila megjithatë gjen, për çudi, te vetja disa epërsi me të cilat i kundërvihet maces ose te qenie si bretkosa zë-shëmtuar që pretendon të matet me një zog zë-mahnitshëm si bilibili dhe, çuditshëm gjen qenie të llojit të vet që e mbështesin dhe e vlerësojnë, siç ndodh edhe në botën njerëzore ku në disa raste mediokriteti triumfon mbi talentin “Bretkosa këngëtare”. Tej mase qesharake është, gomari që pretendon të bëhet kryeministër. Autorja nuk mjaftohet me botën shtazore për të shprehur idetë e veta, po në ndonjë rast përfshin edhe trupa qiellorë të antropomorfizuar “Hëna dhe dielli”. Edhe në këtë fabul dënohet mëndjemadhësia, duke e mishëruar atë te hëna që mburret për larminë e ngjyrave dhe formave të veta, duke harruar, në mënyrë mosmirënjohëse se dritën e merr nga dielli. Në ndonjë rast vjersha bazohet te një gjetje që mund të marrë kuptim të veçantë ( fakti që edhe maçoku dhe macja kanë mustaqe, çka krijon midis tyre një lloj barazie që nuk njihet nga njerëzit dhe që harrohet për një çast nga maçoku mëndjemadh, i cili do të kopjojë të zotin dhe të shprehë epërsinë e vet ndaj së shoqes). Mbi gjetje të ngjajshme janë ndërtuar vjershat “Milingona arkitekte” dhe “Merimanga për pëlhurën e vet” që lartësojnë vetitë e këtyre insekteve, të cilat në një farë mënyre mund t’ua kalojnë njerëzve me zotësinë e tyre. Antropomorfizimi i kafshëve, trupave qiellorë, madje edhe sendeve është një shndërrim magjik i realitetit që pranohet lehtë nga fëmijët meqënëse për ta tërë bota është plot magji dhe i bën të aftë ta thithin më lehtë frymën edukative. Mendojmë gjithashtu kontakti me botën e kafshëve i lidh fëmijët më tepër me natyrën me mjedisin natyror që është në rrezik.

A do t’i shkonte ndonjerit mendja se do të rrezikoheshin specie të tilla kaq të bukura dhe delikate si fluturat? E pra, tani, në kushtet e sotme, një rrezik i tillë është realitet. Prandaj në vëllim dy vjersha u kushtohen pikërisht fluturave që bëhen madje bartëse të vështrimit optimist për jetën përmes vemjes që gëzohet se u bë flutur, vetë fluturës, që nuk lakmon veti që s’i ka si të zogut dhe të bletës, po i gëzohet atyre që ka si fluturimi dhe rroba e larme. Një pjesë e madhe e vjershave të vëllimit i kushtohet botës tepër të veçantë të maceve, bukurisë dhe forcës joshëse të tyre, kurreshtjes së tyre, dëshirës së tyre, për të qenë të lira dhe të pavarura, dëshirës për shoqëri, dashurisë së tyre për njerëzit, që i strehojnë. Në vjershën e gjatë, gati si poemth “Epopeja e maceve“ autorja i drejtohet historisë për të kujtuar një betejë të çuditshme të fituar nga luftëtarët persianë dikur në sajë të maceve, duke u mbështetur te hyjnizimi i tyre nga egjiptianët. Mandej autorja rrëfimtare i drejtohet tashmë maces së vet të dashur që nuk shquhet për trimëri të veçantë, as në kapjen e minjve, po duhet njësoj prej saj. Macet në vëllim dalin me veçoritë e veta biologjike, po edhe si bartëse e cilësive dhe të metave të fëmijëve. Në vjershat e vëllimit ka tipa macesh me karakteristikat e veta të veçanta – edhe macet si njerëzit mund të kenë veçori të papërsëritshme. Këto mace (a maçokë) kanë emrat e tyre. Pranë figurave të maceve dalin plot kafshë të tjera: qeni, dhelpra, milingona, hardhuca, bretkosa, gomari, bilbili, harabeli, lejleku, grenxa, flutura. Ka vjersha ku tipa të ndryshëm kafshësh kritikojnë njeri-tjetrin siç është rasti i palloit me bilbilin që vënë re secili të metën e tjetrit: shëmtimin në zërin e palloit dhe në pamjen e bilbilit, po jo bukurinë e pendëve të palloit dhe të këngës së bilbilit. Në këtë rast ndërhyn një personazh objektiv si dallandyshja për t’i pajtuar. Teknologjia moderne ( kompjuteri, celulari,  CD-ja, etj. ) kanë vendin e vet në këto poezi; disa herë ndeshen me çudinë dhe kurreshtjen e botës së kafshëve. “Qeni dhe kompjuteri“, “Celulari dhe macja“, “ Macja Mimi për frigoriferin“, “Maçoku Fofi sheh televizor“. Disa vjersha japin thjesht tablo nga realiteti; në disa zë më tepër vend veprimi si në fabulën “Dhelpra prokurore“ ku dy personazhet negativë, dhelpra dhe ujku, në rolin e prokurores dhe gjyqtarit dënojnë me vdekje pulën e pafajshme, ndërsa ndërhyrja e qenit besnik e ndërron befasisht fundin me arratisjen e “prokurores“ e cila nga “e tmerrshme“ shndërrohet në frikacake. Ka vjersha ku vihet re se këndvështrimi i ndryshëm jep një pamje të ndryshme të botës “Ndryshim“, “Topi dhe peshku“. Në këtë mënyrë, përmes karaktereve të gjalla u jep fëmijëve një ide për relativitetin. Në disa vjersha flasin vetë fëmijët me shqetësimet e tyre, naivitetin e tyre, kureshtjen dhe dëshirën për dije “Shqetësimet e Ornelës“, “Pyetjet e Erletës“, “Vajza e vogël dhe mami“. Gjithashtu me ndonjë të metë a mungesën e vullnetit “Gëzimi“ ose dashuria e tepruar për lulet që i vret ato “Lulet dhe fëmijët“. Vjershat me subjekt dhe fabulat alternohen edhe me vjersha lirike dhe tablo pejzashi si “Hapat e pranverës”, “Kënga e shiut”, “Pamje dimri”, “Perëndim dielli”. Vëllimi, pra, shquhet për një larmi temash dhe personazhesh nga bota njerëzore, shtazore, bimore, qiellore, madje edhe nga bota e sendeve që animizohen edhe ato “Dialogu i dy librave në bibliotekë“. Në vëllim ndërthuren vlerat njohëse dhe edukuese që kanë gjetur një formë të qartë, njëkohësisht plot forcë shprehëse që komunikon me lexuesit fëmijë, duke nxitur mendimin e tyre dhe duke u zgjuar emocione, pa i lodhur dhe pa i trembur. Vëllimi “Epopeja e maceve“ spikat edhe për një figuracion të larmë dhe të qartë dhe një muzikalitet të veçantë. Në drejtim të muzikalitetit mund të bëhen edhe vërejtje për ritmin disi të çrregullt të disa vjershave, zëvendësimin e rimës me asonancën.  Po në thelb është një vëllim i goditur që e pasuron poezinë tonë për fëmijë. Mund të thuhen edhe disa fjalë për ilustrimet e gjalla me të cilat shtëpia botuese “Erik” e ka shoqëruar këtë vëllim, ilustrime që e bëjnë për vete lexuesin e vogël, që nisin nga kopertina dhe vazhdojnë në çdo faqe, me ngjyra të ndryshme. Zgjedhja e ngjyrës së gjelbër për kopertinën na ngjan me vend: