Suplementi Pena Shqiptare/ Halil Rama: “Një shaka e vogël me vdekjen” nga Bashkim Hoxha

313
Sigal

Trilli artistik befasues i Bashkim Hoxhës në romanin “Një shaka e vogël me vdekjen”

 

Bashkim Hoxha befason sësish lexuesin me romanin e ri “Një shaka e vogël me vdekjen”. Pasi ka befasuar me “Kronikat e mjegullës” (si dhe romanet e mëparshëm “Një ditë si Skënderbeu”, “Heronjtë e viagrës”, “Gruaja e shiut” e “Duartrokotësit”), me dramat e komeditë e inskenuara e të ndjekura nga mijëra shikues, Bashkim Hoxha vjen sërish me romanin me titullin intrigues “Një shaka e vogël me vdekjen”.

Me një trill artistik befasues, autori e vendos personazhin kryesor Hektor K. kundra rrymës. Zhdukja e tij e mistershme, pas eksperimenteve bajate me zhguallin e breshkave, për të provuar jetëgjatësinë e njerëzve deri 300 vjet (po aq sa dhe të breshkave), dhe rikthimi i tij po i befshëm, kur shumëkush e pandehte të vdekur, janë një qasje e veçantë e këtij autori, duke sjellë kështu risi në prozën e sotme shqipe.

Vetë struktura e veçantë e këtij romani, me 13 episode, duke vendosur në krye të secilit një citat nga autorë të famshëm botërorë, e bën atë mjaft tërheqës për lexuesin.

Ky personazh, pra Hektor K, që kur e pyesnin se si i shtynte ditët në vetminë e tij brenda një shtëpize të vjetër në qytetin provincial, përgjigjej me atë batutën pa kuptim: “Ja të shtyjmë edhe këto treqint vite të tjera, që na kanë mbetur”, vuri në lëvizje policinë dhe prokurorinë, për ta gjetur dhe hetuar, për eksperimentin e tij me breshkat….Kështu nëse në episodin e parë shtjellohet mjaft bukur hutimi i Akil L për Hektorin, episodi i dytë është befasues që në rreshtat e parë, ku autori shkruan: “Ditën e dytë mungesa e Hektor K. dhe e një vajze të panjohur bashkë me të do të ishte harruar, po të mos ishte shpërndarë lajmi se ai ishte zhdukur duke marrë me vete një zbulim të rëndësishëm – kishte mundur të gjente formulën se si njerëzit të zgjasnin jetën, të paktën 300 vjet, aq sa jetonin breshkat”. Pas këtij perifrazimi, gjithkush do të mendonte për vajzën e panjohur që “arratiset” me një njeri pothuajse të lajthitur si Hekor K. Dhe fantazia e autorit kulmon në ndërtimin e skenave dashurore mes këtyre dy personazheve, jo në hotele apo motele luksoze, por në shpellën e një mali të lartë, ku pas aktit seksual nuk kanë dushin me ujë të ngrohte por ju duhet të lahen me ujin e ftohtë të një katarakti (dhe me myshqe në vend të sapunit), të cilin B.Hoxha e sjell për lexuesin me tërë bukurinë dhe madhështinë e tij, nga ku buron ujë gurror dhe ku në vend të sapunit mund të përdoret myshku i drurëve apo gurëve. Pikërisht në atë befasi natyrore i vendos autori dy personazhet e romanit të tij, Hektorin dhe Ritën, të cilët “në rrotullim e sipër, me ofshama pa fjalë, përfunduan të dy lakuriq, duke u llapashitur në ujin e ftohtë akull të malit”. Kësisoj, me mjeshtri të rrallë artistike autori e paraqet Rita (Margaritën) si studenten që do të eksplorojë skena të veçanta dashurore, jo si ato të bashkëmoshatarëve të saj studentë nëpër bare e lulishte, por atje majë maleve e nëpër shpella, duke gënjyer edhe prindërit për këtë “turne” të jashtëzakonshëm…, për t’u arratisur atje ku vetmia e malit duket si titull poezie!. Dhe e gjitha kjo, ndonëse ishte e vetëdijshme se ia kishte lënë në dorë jetën e saj një të çmënduri.

Brenda kësaj strukture lëvrijnë edhe personazhe të tjerë si mësuesi i kimisë Akili, i cili nuk e kishte vrarë shumë mendjen për gjëra të jetës. Autori e vendos atë në pozitën e një mësuesi të dëshpëruar që qëllimet e jetës i kishte harruar me kohë. Në këtë kontekst shpaloset filozofia e autorit për krizën e shoqërisë së sotme, duke na e paraqitur mësuesin Akil me mentalitetin se “Ata që krijonin lloj – lloj krahasimesh për jetën apo dashurinë, apo ata që në Facebook postonin aforizma shkrimtarësh, si për shembull, jeta është një rrugë që fillon në maternitet dhe përfundon në varreza, apo, jetën dhe lirinë e meriton veç ai që në luftë për to shkon përditë, apo dashuria i jep kuptim ekzistencës, e të tjera si këto, që i dukeshin sikur mundoheshin kot më tepër për të rënë në sy, se sa për të kuptuar se çfarë është në të vërtetë dashuria apo jeta. Më tej tek episodi “Janë të bukura marrëzitë”, ku autori perifrazon Servantesin (Don Kishoti): “Kam lindur i lirë dhe për të jetuar në liri kam zgjedhur vetminë e fushave, miqtë e mi janë pemët e malit, ujërat e kristalta janë pasqyra ime” trilli i tij i kapërcen kufitjë e imagjinatës, kur shkruan se “…midis jetës dhe vdekjes njeriu e ka sofistikuar jetën e tij me rregulla morale, fetare, ligje, shtoju këtyre edhe teori dhe ideologji nga më të ndryshmet, të gjitha së bashku në emër të përsosjes së jetës, por që shkonin kundër natyrës fillestare të njeriut dhe e bënte atë më të komplikuar”.(fq.67).

Pikërisht si kapërcim epokal B.Hoxha përcjell nëpërmjet këtij romani mesazhin e thyerjeve të tabuve, ndonëse na çojnë në shthurje e degradim moral të shoqërisë së sotme. Më konkretish në episodin “Pavdekësia dhe trazimet e saj”, ku perifrazon Milan Kunderën “Njeriu nuk e di si të bëhet i pavdekshëm”, autori e paraqet personazhin kryesor të romanit të tij në një një tjetër qasje dashurore me artisten Helena, e cila “…u trishtua kur mendoi se sa shumë jetë dashurore të të tjerëve kishte jetuar në skenë dhe jetën e saj shumë pak e kishte shijuar. Kishte vuajtur brengat e tradhtisë së Ana Kareninës, kur ishte fare e re vuajtjet e Ana Frankut, më pas dredhitë e vogla të sekretareshave dhe dashnoreve të fshehta. I kishte vuajtur seriozisht, kurse ndarjet e saj i kishte pasur pa asnjë shqetësim….”.  Dhe më tej tek episodi “PASIONI”, ku sipas Flober (Madam Bovari) “Një pafundësi pasioni mund të ngjishet brenda një minute, si një turmë në një hapësirë të vogël”, i marri Hektor arrin të bëjë dashuri edhe me Helenën. “Ishte ajo e para, që u afrua te Hektori dhe e puthi. Hektori qëndroi për pak çaste pa lëvizur, pastaj e mbështolli të tërën brenda vetes dhe u rrokullisën në qilimin dekorativ me motive të vjetra”. (fq.108). Këto, si dhe varrmihësi Demka tek episodi “Kënga e varrmihësit”, i cili dëshpërohet me eksperimentin e Hektorit për zgjatjen e jetëgjatësisë së njëriut, sepse kështu do të rralloheshin varret e ai do të ngelej pa punë, apo dhe dramaturgu Vili Sh. që detyrohet ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në dramën që po shkruan, janë personazhe që të risjellin në mendje heronjtë e letërsisë antike e klasike.

I promovuar bujshëm vetëm para disa ditësh romani “Një shaka e vogël me vdekjen” është ndër më të kërkuarit në libraritë e Tiranës, të Durrësit e pothuajse në gjithë vendin. Kjo për faktin se, gjuha e pasur, mjetet shprehëse dhe përshkrimi brilant i ngjarjeve e personazheve e bëjnë këtë një roman mjaft tërheqës, i cili lexohet me një frymë.