Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Zhuljeta Grabocka Çina

648
Sigal

Zhuljeta Grabocka Çina

Këtë mbrëmje!

Në vatër u shua dhe thëngjilli i fundit
nën hi u harruan dhe të zjarrtat fjalë!
Veshur me avuj, jashtë nis kënga e erës
shiu, xhamave troket me vrull këtë natë!

Si degë pa fletë, në shtrat lëkundemi
si trung i gërryer, lëvozhgë e zgavërt e vrarë,
Këtë erë të vjetër, këtë të shi të athët e njohim,
si verën që kemi shijuar përherë bashkë!

Asnjëherë prej saj Ti s’u dehe, kur në gotën
me të lehtën tundje, me buzën në kristal nuhasje
diellin e ditëve, derdhur në lëngun e pinktë, e gëlltisje,
si mbi retë e bardha që gjëmojnë këtë mbrëmje!

Qielluar me shi dhe yjet e largët diku e vetisin dritën
në orbitën e spektaklit më të bukur të ripërtërritjes.
Eklipset e mbarsjes Diell – Hënë, në oazin e ngjizjes
prej siluetave të një Hëne të plotë e të re diel-lhënëzimi!

 

Gjuha e diellit

Nuk e di, pse s’po më njomin pikat e shiut?!
Nëpër drurë e mes fletëve të pemëve,
zjarri i pashuar i diellit ka ngritur folenë.

Zgjat krahët e ajrit të ngushëlloj rrebeshin e qiellit
të ngrohem me diellin e zemrave nëpër fletë…
…mes avujve të bardhë lektisjen e shpirtit të lë.

Nën spektrin e ngjyrave plot dritë përthyhet peneli
në telajon e purpurt tingujt e trishtë të tangos po ndiej.
Trupave tanë hyn e drithërohet si nëpër gjethe dielli,

…ka gjetur shtegun për të fjetur përjetësisht atje.
”Bota pa stine”