Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: Si e adhuronte Dritëro Agolli, rapsodin e fshatit Brataj?

163
Sigal

Ku shkund gurët qafë e shpatit, mardhur bore, djegur vape, mbushe, xha Selimi i Bratit, dy hejbe me këngë labe.

  1. Duke shkundur pluhurin e kohës. 51 vjet më parë. E diel 11 shkurt 1968. Poeti Dritëro Agolli, boton një cikël poetik te gazeta: ”Drita”. Poezia e parë. Më e bukura e poetit. I kushtohet Selim Hasanit, këngëtarit të Labërisë, titulluar: “Rapsodi”. Janë të njohura vargjet e poetit:

Kur shkund gurët qafë e shpatit

mardhur borë, djegur vape.

Mbushe xha Selim i Bratit

dy hejbe me këngë labe…

Studiuesi Bardhosh Gaçe i pasionuar pas folklorit, diku nga fundi i viteve ’80 ka nxjerrë nga shtëpia botuese: ”8 Nëntori”’ një vëllim me shumë poezi dhe krijime të rapsodit popullor Selim Hasani, nga fshati Brataj i Vlorës, të titulluar: “Xha Selimi i Bratajt”. Rapsodi u njoh aso kohe me këtë emër. Xha Selimi, ishte nga fshati Brataj dhe shfaqet në të me krijimtarinë e tij për herë të parë gati i plotë. Xha Selimi njihej jo vetëm për rapsoditë e krijuara, por edhe për batutat e famshme. Lebërit e bënin më të njohur krijimtarinë e tij nëpër gëzime familjare, dasme, fejesa si dhe të tjera gaze kolektive të kohës. Edhe, nëse s’i kishte krijuar Xha Selimi, ata thoshin: “E ka thënë xha Selimi”. Aso kohe poeti Dritëro Agolli ka shkruar një poezi, por edhe një shënim në librin e autorit Gaçe, që edhe sot mbetet kaq domethënës për krijimtarinë e këtij rapsodi popullor. Brati, katundi në luginë të Shushicës: që nga dhjetori në mars, agimet janë të ngopur me shi, nga kreshtat e vargmaleve, shirat zbresin në tokë me rrebesh. Poshtë këmbëve të tij, në rrugën e zallit ecën herë e qetë, herë e fryrë.

2.Nga parathënia e librit kemi zgjedhur këto pjesë, që nuk kanë ndikimin politik të kohës: “Poezinë popullore e kanë krijuar ata mjeshtër të shquar të vargut që ne nuk ua dimë emrat. Ata kanë vetëm një emër, emrin e popullit poet. Me poezinë udhëton në shekuj shpirti i tyre i madh, i cili mahnit brezat, që vijnë njëri pas tjetrit valë-valë. Herë-herë në këtë udhëtim mes qindra anonimesh, shkëlqen edhe emri i ndonjë poeti, që del si kërcu i madh i ndezur, duke e ruajtur të pashuar zjarrin e tij të veçantë. Njëri nga këta është Selim Hasani nga Brataj i Vlorës. Ai nuk u interesua për emrin, po për këngën. E ngriti këngën dhe e dërgoi nëpër Labëri. Kënga hyri shtëpi më shtëpi e stan më stan, fluturoi nëpër çetat, batalionet dhe brigadat partizane, e kënduan djemtë dhe vajzat në shtigjet e lirisë dhe në udhët e revolucionit dhe erdhi kënga gjer në ditët tona. Udhëtoi me “këngë në gojë e me dyfek në dorë më 1920, në Luftën e Vlorës kur Selam Musai “zinte topin nga grika”, udhëtoi në Drashovicë me 1943 dhe zuri instikamin, tek vërshëllyen plumbat dhe predhat duke e plagosur rëndë, udhëtoi me partizanët në Kurvelesh, Lunxhëri, Zagori e Përmet, eci me Brigadën V në Sulovë, Gramsh e Dumre. Prandaj kënga e tij bart erën e pyjeve dhe vërshëllimën e plumbave, gurët e maleve dhe dertet e njerëzve, pikëllimin për shokun e vrarë dhe dufin për armikun e mundur, trishtimin për varfërinë dhe mallin për ditët e lumtura, shqetësimin për gërmadhat e lëna nga pushtuesi. Me këtë, vargjet e xha Selimit janë dëshmi poetike të ngjarjeve të zakonshme, të jetës dhe të ngjarjeve të mëdha historike, ku ishte dhe vetë  pjesëmarrës. Këto dëshmi nuk janë regjistrime të thjeshta, por dokumente poetike me një figuracion të pasur të një origjinaliteti të veçantë, me një gjuhë plot lëng, me figura të ndezura, me kundërvënie të papritura e plot lëvizje. Tek i lexon vargjet e tij të duket sikur e ka thithur nektarin e shëndetshëm të gjithë poezisë popullore dhe pastaj, këtë nektar të transformuar përmes sitës së shpirtit të vet, ua ka dhënë këngëve të tij burrërore. Kështu, ai nuk përsërit ato që kanë  thënë të tjerët, edhe të bukura të kenë qenë nuk i përsërit. Poeti popullor është krenar. Ai nuk pranon të “thotë gjëra të stërthena. Ato, që kanë thënë kolegët e tij anonim, ai i përvetëson që në fëmijëri, siç përvetëson sjelljen, zakonet, mënyrën e jetesës, historinë dhe filozofinë popullore. Këngëtari popullor nuk e mëson këngën kur është bërë burrë me fëmijë, por rritet me këngën, që në vegjëli. Pastaj këtë këngë e do si gruan dhe fëmijën. Dhe këngën e përkëdhel si të voglin: Një herë i kam folur xha Selimit për një këngëtar: Ai më dëgjoi i heshtur me buzën pak në gaz dhe më tha: “Mirë këndon. Vetëm nuk e përkëdhel këngën. Sikur ta përkëdhelte do të merrte më shume nam. Eh, kënga! Kjo lanete i do përkëdhelitë si vajza! Ta përkëdhelësh këngën nuk do të thotë ta sheqerosësh, por ta duash dhe ta çmosh: Të të burojë nga shpirti vetvetiu. Kënga është si e qeshura dhe e qara. Njeriu nuk qesh dhe nuk qan me urdhër: Neve na mahnit poezia popullore, pasi ka dalë nga shpirti. E qeshura dhe e qara nuk imitohen: Dua të them se Selim Brati këndonte me fjalën dhe zërin vet. Kjo fjalë dhe ky zë dallohej nga gjithë të tjerët. Janë të një poetike të rrallë popullore vargjet me patos qytetar, si këto: “E tunde, Parti, e tunde…”. Një poezi lapidarike si këtë, me një origjinalitet të veçantë, me një mendim të qartë e plot lëvizje dhe me fjalë si gurë të rëndë e plot reflekse e ngjyra, nuk mund ta gjesh në poetët e tjerë popullore: Ata kanë vulën e tyre, xha Selimi ka vulën e tij. Këtu qëndron edhe bukuria, përndryshe do ta kthenim monotoni, siç ndodh ndonjëherë në poezinë e kultivuar. Poezia e kultivuar ka variacione metrike në  vargje, që nga vargjet tradicionale tetërrokësh, gjashtërrokësh, dhjetërrokësh dhe gjer te vargjet jambike dhe të lira. Por variacioni i metrit nuk të siguron variacionin e përmbajtjes, të mendimit dhe ndjenjës. Mund të përdorësh të gjithë  metrat dhe mund të mos jesh poet. Është si në pikturë. Mund të dish të vizatosh dhe të pikturosh e të mos jesh piktor. Poezia popullore i ka të kufizuara metret, e vargut. Shkruhet me gjashtërrokësh, tetërrokësh  dhe ndonjëherë me dhjetërrokësh ose me variantet e tyre. Por ajo është shumë e larmishme, pasi ka përmbajtjen dhe mendimin e larmishëm, pasi e ka brenda shpirtin e madh të popullit, shpirtin shumëshekullor. Këto gjëra Selimi nuk i kishte mësuar në shkollë, por i kishte fituar në universitetin e folklorit. Prandaj ai nuk pranonte të  këndonte vargje standarde të përsëritura dhe pa fizionomi. Kënga e Selim Hasanit është anketa e biografisë së tij në mes të ngjarjeve të mëdha të kohës Nacionalçlirimtare, të viteve të para të Çlirimit dhe fillimit të marshimit të madh të socializmit. Mes gjithë këtyre ngjarjeve u ngrit kënga e tij dhe në vargje la gjurmë koha e jetuar nga poeti ynë popullor. Edhe sot ne i lexojmë dhe i këndojmë këngët e tij, që ruajnë freskinë dhe ngjyrën e ndezur të luftërave, trishtimeve, gëzimeve dhe ëndrrave tona. Vargjet e tij u bënë mësim për shumë poetë popullorë të Labërisë. Ndonjëherë këto vargje merren dhe vihen të pandryshuara nëpër këngët popullore, por ne i kuptojmë se të kujt mjeshtëri janë. Edhe po të ishte gjallë, xha Selimit, nuk do t’i mbetej hatri, por do të thoshte: «Merrini, bij. Unë për ju i këndova! Pasuria private, po të ndahet, pakësohet. Kënga po të ndahet, shtohet”. Jam i bindur që kështu do të thoshte mjeshtri i shquar i vargut popullor. Selim Brati lindi me këngën, u rrit me këngën, udhëtoi me këngën dhe vdiq me këngën. Kur mbylli sytë përgjithmonë, atij i kënduan mbi trup. Dhe pas vdekjes, kur udhëtari këngëtar kalon andej nga varri i tij, padashur këndon këngët e xha Selimit….

3.Nga enciklopedia lidhur me figurën e këtij rapsodi. Selim Hasani.(Brataj 1894  Brataj 1965)1886-1965. “Artist i Merituar”, një ndër rapsodët më të shquar shqiptarë. Në popull njihet edhe me emrin “Xha Selimi i Bratajt”. Mëson që fëmijë të këndojë e të kërcejë nga babai i tij Hasan Minga dhe nëna-Haxhika, të dy muziktarë të shquar popullorë të iso-polifonisë labe. Sipas Gaçes: më pas një ndikim të madh te Selim Hasani ka luajtur i vëllai, Matua. Sipas opinionit më të përhapur në popull, kënga e tij është dëshmi e ngjarjeve të mëdha historike të popullit tonë. Ndër këngë më të njohura përmendim “Ç’u zu dyfeku në Kotë”, “Ç’bën moj Shqipëri sërmaja” etj. Së bashku me rapsodinë tjetër të shquar të Bratajt- Mato Hasanin (Brataj 1868 Brataj 1966) këngët si dhe vallja bratçe e të cilit thirreshin “matohasançe”, edhe xha Selimi fitoi privilegjin që për këngët e tij dhe në mënyrë të veçantë për këngëtimin e tyre ato të thirren si “selimçe”. Një pjese të madhe të këngëve të tij sot u ka humbur autorësia duke u konsideruar me të drejtë si këngë popullore. Për Xha Selimin ka shumë këngë të kushtuara atij nga populli si dhe nga poetët tanë.

4.Poeti Dritëro Agolli, këtë krijim ja kushtoi xha Selimit të Brataj.

Rapsodi

(Selim Hasanit, këngëtarit të Labërisë)

Ku shkund gurët qafë e shpatit,

mardhur bore, djegur vape:

Mbushe, xha Selimi i Bratit,

dy hejbe me këngë labe.

Erë plumb e erë predhë,

erë prush e erë brengë,

erë dushk e luleshqerrë

binin-binin ato këngë.

Se hejbetë në sënduke

për t’u mykur nuk i vure,

po i more çukë më çukë,

Selim Brati me poture.

Dhe mbi malet e përpjetë,

mardhur bore, djegur vape,

prapë i zbraze ti hejbetë

mbushur plot me këngë labe.

I përcolle, larg i nise,

nëpër gjurmë gjelbërimi:

“Shikoni, bija, merrni viset.

Ju bekoftë xha Selimi”!

5.Ka shumë mendime, që një pjesë e këngëve janë krijuar më tepër nga i vëllai i xha Selimit. E pastaj në fund të fundit ato kanë dalë nga një derë folklori edhe pse mbetën shumica anonime: Ja dy prej tyre shkurtazi: Bledar Mucaj 15 nëntor 2016: Para pak ditësh jo më kot bëmë një pyetje ndërmjet ju që na ndiqni në fb se i kujt ishte krijimi me titull : “Është e jona Shqipëria” dhe se cili autor e ka shkruar. Shumë pak thanë Selim Hasani, por shumica thanë, që është e Matos të vëllait mbasi ai ishte patriot dhe jo partiak, dëgjuar dhe transmetuar nga bashkëkohës të tij nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, dhe shumë krijime të tij ja kaluan Selimit ,pasi ai shkruaji dhe për partinë e asaj kohe. Edhe unë vet pyeta shumë të tjerë, që e njohin mirë historinë dhe krijimtarinë e Bratit si dhe të moshuar, që e dinin të saktë, që ishte krijimi i Mato Hasanit. ( përmend këtu Mete Deraj dhe Xhezo Malaj që sot kanë kaluar të 90-tat dhe jetojnë akoma dhe sot). Për më tepër ky krijim është mbledhur dhe botuar në librin “Rapsodi Selim Hasani ” të prof.Bardhosh Gaçe dhe ndodhet në faqen 22 të atij libri e kënduar dhe incizuar në fshatin Brataj në vitin 1977 bobina 24543. I njëjti krijim gjendet dhe në librin “Epika Historike 3” të botuara nga Instituti i kulturës popullore. Pra themi se krijimi është i Matos, por më të bindur themi, që është krijim i rapsodëve të Bratit e padiskutueshme.

6.Agim Jazaj: Në Drashovicë, në përkujtim dhe nderim të kësaj date, kishin zbritur njerëz nga Kuçi i Jaho Gjolikut, nga Tërbaçi i Hysni Kapos, nga Shkoza e Kanan Mazes, nga Vërmiku i Abdurrahim Çirakut, Dushkaraku i Reiz Xhelilaj, Vranishti i Sali Vranishtit, nga Armeni i Osmën Haxhiut, Velça e Ali Beqirit, Sevasteri i Hysni Shehut, Kanina e Myqerem Hamzarait, Duro Shaska i Koculit, Namik Xhafa i Karbunarit etj, breza, pasardhës, përkujtojnë dhe nderojnë epopenë e Drashovicës. Krejt papritur vjen haberi-farmak. Pranë, aty nën hijen e rrapit shekullor, në Drashovicë, kishte ardhur një makinë mbuluar me qefin të zi. I çuan mandatën të atit, Selim Hasanit, burrit të njohur për burrërinë dhe për vargun “shpatë“. Brenda makinës qëndronte i mbuluar trupi i vdekur, i djali të tij, Hito Selimi. Dhimbje deri në palcë, por dhe qëndresë përpara dhimbjes së babait… Pak më tej gjëmonin këngët dhe vallet e festës. Rreth xha Selimit u mblodhën afro 10 burra, të moshuar. Plaku i moçëm dhe i mençur Selim Hasani, rapsodi i njohur dhe i mbetur në kujtesën e brezave afrohet. Dhe… mbi dhimbjen, aty për aty ngriti këngën:

Drashovicë bëhet festimi!

Vjen i vrarë Hito Selimi.

Në mos besoni e shihni,

Plot me gjak mbushur qefini“!

Xha Selimi ia mori këngës, burrat për rreth ia mbajtën këngën…

Pas festës morën rrugën për në Brataj, me xhenazen, birin e tij, me dhimbjen deri në palcë…

Kohët e marra, me marrëzinë frerëkëputur, e politikës-turinj thyer, ka bërë të tyren, deri dhe për të bërë të bardhën të zezë, për të zbehur edhe aktin më sublim të popullit shqiptar, si gjithë popujt për Liri dhe Pavarësi!