Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Shtyhet sërish seanca ndaj Arbër Paplekajt

137
Sigal

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj ish-efektivit të policisë, Arbër Paplekaj.

Seanca e radhës do të zhvillohet ditën e mërkurë të javës së ardhshme.

Paplekaj u arrestua për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Elbasanit dhe dyshohet se konflikti nisi për shkak të tensioneve zgjedhore gjatë atij muaji.

Kjo vrasje tronditi qytetin e Elbasanit, pati edhe përplasjeje të forta politike mes palëve, pasi Arbër Paplekaj dhe ish-efektivë të tjerë të forcave të rendit ishin përfshirë nga Partia Demokratike në Strukturën e Mbrojtjes së Votës dhe atë ditë kishin bërë ndalimin e shtetasit Mehmet Greca, i cili sipas tyre ishte duke blerë vota.

Por pas ndalimit të tij, ngjarja degradoi në shkëmb zjarri ku për pasojë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën dy shoqëruesit e Arbër Paplekajt.

Ndërkohë në dëshminë e tij në Polici, Paplekaj u shpreh i tronditur për humbjen e jetës së një personi, por shtoi se nuk mund të jepte më shumë shpjegime për rrethanat e ngjarjes.

“Ne shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh,” ka thënë Paplekaj.

Më tej mësohet se ai është shprehur se: “Duke qenë se jam tepër i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi dhe se nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur për të reaguar në mbrojtje të vetes dhe personave me të cilët isha nuk ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam.

Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit dhe nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët që unë kam për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime në këto momente. Unë nuk do të jap shpjegime, por kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë.

Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor.

Kërkoj aktualisht që të kryhet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kaq kam për të thënë. Procesverbali pasi u lexua dhe u gjet i rregullt u firmos pa vërejtje”, thuhet në dëshminë e Paplekajt.

Kujtojmë se nga numri i gëzhojave të gjetura në vendngjarje, mendohet se është përdorur më tepër se një pistoletë, pra jo vetëm ajo e të arrestuarit Paplekaj.