Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Terziu:  Mbreti Kanute dhe …

249
Sigal

Ndoshta duhet kthyer e treguara nga e pashkruara. Nga e imagjinuara. Ajo që është shkruar ka të bëjë me një Mbret dhe një Bregdet. Mbreti ishte anglez dhe deti po i tillë. E shkruara dhe e treguara kanë ndodhur kohë më parë. Pres saj mësojmë se Mbreti Kanute ishte i rrethuar nga njerëz që gjithmonë e mbivlerësonin atë. Sa herë që ai hynte në një dhomë, fillonin lajkat. E pashkruara nuk dihet, ashtu sikurse e patreguara që fshihet.  Le ta hamendësojmë. Mbreti Kanute është në breg të detit. Aty ka rërë. Ka ujë. Ka dallgë. Ka zhurmë valësh që vijnë e shkojnë. Aty ka batica dhe zbatica. Aty ka karrigen e tij Mbreti Kanute. Dhe aty ulet e ndjek tërë atë lëvizje me kujdes ky Mbret anglez. E gjitha lëviz në të vërtetë. E gjitha është e sinqertë, e rreptë. E vërtetë. E drejtëpërdrejtë. Lëviz ndonjëherë dhe mjaft shpejt. Dhe Mbreti si mbret, herë e ndjek e herë e lë të qetë. Mbreti tashmë është i lodhur dhe ka rënë … me fjetë. Ai është Mbret i vërtetë dhe ushtarët e oborrtarët i qëndrojnë në këmbë përjetë.

Aty ka gjumë. Ka dhe ëndërra. Dhe ëndërrat janë si në jetën e përditshme. Janë të gjitha të mërzitshme:

„Ju jeni njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë“, do të thoshte dikush.

„O mbret, nuk mund të ketë kurrë një tjetër aq të fuqishëm sa ti“, do të këmbëngulte një tjetër.

„Lartësia juaj, nuk ka asgjë që nuk mund të bëni“, do të buzëqeshte dikush.

„I Madhërishmi Kanute, ti je monarku i të gjithëve“, do të këndonte një tjetër. „Asgjë në këtë botë nuk guxon t’ju mos bindet“.

Mbreti e prish gjumin. Dhe kështu është lodhur si me sytë hapur, e po aq dhe me sytë mbyllur duke dëgjuar lajka kaq budallaqe. I afrohet një guaske. I pëshpërit. E ngre dhe e vendos në vesh. Komunikon. Dëgjon dhe hesht. Pastaj qesh dhe i flet. I flet dhe i flet me fjalë të pakuptueshme. Gjuha e tij nuk është më gjuhë e të tjerëve. Është përzgjedhur enkas si një gjuhë e vetme. E tija. Personale. E saposhpikur. E sapofolur. E sapodëgjuar.  Dhe ata heshtin. Habiten. Mërziten. Shqetësohen. Bo, bo Mbreti. Mbreti ynë i madh. Mbreti ynë është në hall. Mbreti ynë … luaj vend. Mbreti u çmend!  Dhe Mbreti pushon. Nuk flet më. Pastaj urdhëron. Një pupël, pak bojë dhe shtjellë të sheshtë, një rrasë mbi rrasë. Dua të shkruaj disa fjalë. Nuk dua më të flasë.

„Pra, ju thoni se unë jam njeriu më i madh në botë?“ – shkruajti ai dhe e hodhi rrasën në det.

„Dhe ti thua se të gjitha gjërat më binden?“ – dhe fap përsëri rrasa e shkruar në det.

„Bota përkulet para jush dhe ju jep nder“ – më thatë, dhe përsëri një gllaq i madh ndërsa rrasa ikte poshtë me shtrëngatë.

„E ndjej“, shkruajti Mbreti.  Dhe ata vetëm shikonin dorën që lëvizte puplën e ngjyer me bojë në ato rrasa… U bë gati e tridhjeta që hidhej në det. E secila kishte një të shkruar. Asnjë e shkruar nuk ishte sekret. E parafundit kishte shumë emra. Emra ushtarësh, obortarësh, sherbëtorësh…, gjithë rrethnaja që sillej përreth tij. Dhe pastaj nënqeshi me vete. Qeshi dhe një herë duke dihatur thellë. „Nëse unë do të isha budalla a duhet të jeni ju budallenj?“ Dhe përsëri plluq ne det. Por, përsëri nuk ishte i qetë. E trazonte më shumë se dallgët, ajo që s’i hiqej prej sikletit. Sidoqoftë e shkroi dhe rrasën e fundit. E fundit kishte një pyetje: „Ju të gjithë jeni trima mbi trimat. Besnikët e mi të palëkundshëm. A jeni të gatshëm të më sillni rrasat nga fundi i detit?“

Në breg të Detit në rërë kishte mbetur karrigja e Mbretit, Mbreti me këmbët në ujë, dhe disa pulëbardha që kishin lënë disa glasa mbi rrasa. Dallgët iknin e vinin, as për Mbretin Kanote nuk donin t’ia dinin…, duke përcjellë trupat e ushtarëve obortartarëve, sherbëtorëve…, gjithë rrethnajës që sillej përreth tij. Ai tashmë ishte i vetëm fill.