Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Poezi e vonuar

19
Sigal

Tashmë;

në shtëpinë time je një hije,

natyrë mort e varur në mur.

Je një lëngim poezie,

varg i pashkruar kurrë.

Tashmë!

Për ty ndodhem larg

dhe rrugët më nuk më gjejnë.

Nuk më ndërrojnë më zemrën,

as lotët lumenj.

Tashmë!

Je një kujtim në letër,

harruar diku në sirtar.

Një e re, mbetur e vjetër,

një i prishuri kandar.

Tashmë!

Një vështrim në skaj kyçur,

në jetën time një dyshim.

Një mentesh porte e ndryshkur,

lule e tharë në kopshtin tim.

E tashmë

je zjarr i shuar.

Sa jetuam bashkë, u dogj,

lëngim i kthyer në lutje,

frut që stinës kurrë s’u poq!

 

Poezi e vonuar

 

Sesi më erdhe ashtu papritur,

s’e di ç’të solli, vërtet s’e di…

Kur gjumi befas më kish dremitur,

natën më ndrite si një qiri.

Të mora dhe në shpirt të futa;

më dhe gëzim, më dhe hare.

Ti s’ishe lule që të këputa,

po bij’ rrufeje që pranë më re.

Të përkëdhela dhe t’u dorëzova,

ti forcë më dhe, më le të ri.

Me ty në shpirt ngado që shkova,

si rreze dielli në kohë me shi.