Flutura e bukur, plot pekule,
zuri miqësi me një Marule.
Atje tej, trazuar ishin retë;
këtu muhabeti shkonte vetë.
Flutura harbohej lart e poshtë.
Thosh Marulja: “Ç’bukuri, o Zot!”
Dikur Flutura la një tufë me larva,
që i bënë gjethet harta-harta…
Priste një shpjegim Marule e mjerë;
tjetra ia kish mbathur që kaherë.
Trumcaku ftillon Ferrën.
-Më mërzitën këto fluturime,
i thotë një ditë Ferra Trumcakut,
seç bën ca figura krejt pa sqimë;
m’u hiq për Zotin, njëherë së paku.
Si s’pashë rrotull një bilbil
ose skifter
a fundja një pallua;
veç ti, o humbameno, hyn e del;
ç’dreqin ke që më je qepur mua?
Ia kthen Trumcaku drejt e drejt:
-Ti mirë e ke, o mike e shtrenjtë,
nuk shtyhet gjithë jeta në një ferrë;
por ç’mund të bëjmë ne hallmëdhenjtë,
kur për njëri-tjetrin jemi prerë…
Ti kot mërzitesh kësisoj.
-E di, – qesh Ferra – qenka e thënë;
tani që ca më thellë po e mendoj,
më duket
pikës i ke rënë…


















