Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga Gjik Kurtiqi

1207

Po cili do të ishte morali i kësaj gjendjeje të përgjithshme e të përvitshme në kaosin ku është zhytur deri në grykë në mjerim njeriu i zakonshëm dhe ku noton në dehje e lumturi pushtetari e politikani i babëzitur si përbindësh, qoftë dhe ai i partisë së milingonës, apo i partisë zhapik, të miratuar çuditërisht, sipas gjarprit hartues të ligjeve, të këtij dheu të bekuar nga vetë perënditë!

 
Dhelpra dhe fiqtë
Sigal

Një fabul shkrova,

E qava me lot,

Për dhelprën dhe fiqtë

Që s’i kapte dot.

Dhe si u mundua

E s’mundi t’i zërë

Tha: “S’janë për mua;

Janë të pa bërë”.

Dikush i nxituar

Mund ta ngrejë zënë:

“Fabulën Ezopi

Me kohë e ka thënë”.

Kjo s’është e vërtetë,

E di mirë gjithkush,

Fabulën Ezopi

E ka thënë me rrush.

Pra ka një ndryshim,

Kam vënë pak dorë,

S’kam bërë veç përkthim

Si disa autorë!

 

Ujku dhe pusia

Gjatë gjithë kohës

Ujku qimezi

Bëri batërdi

Në dhen e në dhi.

Vetëm kur pa

Se qe zënë pusia

Iu kujtua më kot

Biografia!

Viçi i pa lëpirë

Demit azat

Që vriste lart

E vinte vërdallë

Stallë më stallë,

Kau i tha:

  • Me gjithë se u rrite

E të kanë dalë brirë,

Prapë ke mbetur

Viç i pa lëpirë!

Rosaku novator

Një rosak

Torrollak

Që fliste përçart

Për gusto e shije,

Pa një mëngjes

Të bënte vezë

Pulën në furrik.

  • Ta them açik,

Vezët që bën ti

Nuk kanë vlerë,

Në ngjyrë e në formë

Janë arkaike…

Pa mendo një herë,

Do të ish ideale,

Do ish fantastike,

Ca të qenë katrore,

Ca të qenë kubike !

Qeshi pula:

  • Ka, ka, ka…

Ato vezë që po më flet

Bëji vetë !

Ngjala dhe rrjeta

Ngjala në rrjetë

Kur u përplas,

-S’e kam zakon,- tha,-

Të rrëshqas!

Tha peshkatari:

-Është e vërtetë,

Ti nuk rrëshqet…

Kur ngec në rrjetë!

Helmimi i Gjarprit

Ishte vapë, zagushi,

Një njeri

Që intrigën

Kishte mjeshtëri,

Shkoi për freskim

Në burim.

Piu ujë dhe u shtri

Mbi bar

Ku një gjarpër

Qe mbledhur kular.

Gjarpri me helmin

Që kish’ në dhëmbë

E kafshoi në këmbë.

Ju do pyesni kureshtarë,

Se ç’pati ngjarë

Më pas te burimi?

Ngordhi Gjarpri

Nga helmimi!