Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Fytyra e rrudha

102
Sigal

Fabul*

-Ç’bën ti lart e poshtë, moj e marrë?

Kush të ka thënë të më vizatosh?

Fillon në mollëza, gërmon në ballë;

hiq dorë kur unë të them:

“Mos!”

-Motër, po kërkon qiqra në hell,

(kështu thotë një fjalë shumë e vjetër).

S’mund të jemi përgjithmonë e dielë;

sado që çdo ditë e ka një vlerë,

patjetër…

 

“Shtriga”

Ma hiqni “titullin”, s’e dua,-

tha Shtriga përrallash arratisur.

Mjaft më: e keqe, e shëmtuar!

Pa shihni se si janë stisur

(me llafe e dëngla palë-palë)

sozitë e mia midis jush!

Edhe pse lyhen karnaval

e bëjnë poza papushuar,

nuk kanë në shpirt asfare prush.

Ma hiqni “titullin”! S’e dua…

 

Gomari dhe Kaprolli

Teksa me dru po e ngarkonin,

Gomari i fliste një Kaprolli:

Se si më dukesh ti, more vëlla,

të më falësh… pak si budalla.

Shkon e vjen as punë as zanat;

për kurrgjë s’do ishe ti në fshat.

Më në fund, o mik, me sa shikoj,

ti nuk paske fare as patkonj…

Në këto e sipër, qe ngarkuar,

tek lëkundej, sa nuk ra në përrua

dhe i hëngri vithesh ca shkopinj…

Tha Kaprolli i urtë: -Miku im,

tash për tash kam vetëm një këshillë:

çoje këtë barrë shëndoshë e mirë,

pa njëherë tjetër e gjejmë fjalën,

se kush është e kush nuk është budall…”