Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Pena “e pagjumë” e Luman Cakës

589
Sigal

 

Nuk ka gjë më fisnike se të jesh “i pagjumë” për të shkruar e hedhur në letër historinë e vendit tënd, e ca më shumë të krahinës tënde, të qëndrosh e të mbetesh “gur i rëndë”, i palëkundur në krahët e të vërtetës e progresistes, për disa dekada, ashtu si po e ngys jetën një nga intelektualët më në zë të Skraparit, Luman Caka. Në këtë pikë kaq të çmuar të karakterit të njeriut ai mbetet superior, duke na mësuar ne të tjerëve, bashkëkohës të një udhëtimi të gjatë, sesi mund të mbahet ndezur zjarri për të nderuar e respektuar të kaluarën, heronjtë dhe kapedanët, të cilët ai në shkrimet dhe librat e tij na i ka sjellë ashtu si ishin, trima legjendarë, duke i përjetësuar në mënyrën më të bukur të mundshme. Nëse një shkrimtar, ashtu si Luman Caka, di dhe shfaq mjaftueshëm thelbin e shpirtit të madh të heronjve të tij, në fakt ai realisht shpalos dinjitetin, botën e brendëshme të tij e që gjen rastin ta bëjë e ta bashkokjë me atë të personazheve që ka për zemër. Nuk mund të jetë frymëzim i çastit fakti që përsonazhet e përzgjedhur nga Luman Caka, siç është “Heroi i Popullit” Riza Cerova, luftëtari i Luftës së Dytë Botërore Asllan Osoja (Caka), emrat e kapedanëve të para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, heronj të tjerë të pushkës e të penës të një periudhe për më shumë se gjysmë shekulli, të jenë përzgjedhur si me dorë dhe të skaliteshin aq mjeshtërisht në “studion” e tij të ca hapësirave të paanë. Madje nuk gabojmë nëse pranojmë të bëjmë krahasimin e librave të tij si të ishin një ajzberg, i cili qëndron vetëm në faktin se një e nënta e tij është mbi ujë. Pra ndjenjat njerëzore, formimi dhe forca e karakterit të tij vërtet përcillen me fjalë të përzgjedhura, me merak e kujdesin prej shkrimtari të përgjegjshëm, por një lexues i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të zbulojë diçka shumë më me vlerë: Për Luman Cakën gjërat e mëdha janë gjithmonë të thjeshta dhe modeste.Kur e do dikë, e do për atë çka është dhe jo atë çka ti dëshiron që ai të jetë. Ashtu ka ngjarë edhe me shkrimtarin Luman Caka. Ai ka ditur t’u rrëmbeji personazheve të tij momentet e mira të jetës, ata që ua kanë lartësuar figurën, emrin, çastet kur kanë shpalosur madhështinë si luftëtarë e patriot, element të dashurisë së pafundme për familje e Atdhe. Për këtë shkrimtar “të pabindur” e vërteta, vetëm e vërteta është i vetmi realitet që ekziston, të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi. Të duhet t’i lexosh krijimet e këtij autori serioz për të kuptuar se ai është edhe poet rebel, një “krengritës” i pashoq kur është fjala për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, ashtu siç kanë ndodhur e ngjarë, pa e kursyer fjalën “e hidhur” edhe kur dikush përfaqësonte “njeriun e zotit”. Nga kjo pikpamje ai ka guxuar të dalë në fushën e betejës me bindje të plotë se kundërshtarin e ka mundur, nëmos e ka deskritituar. Por edhe ua ka hequr maskën dikushve, të cilët mund të buzëqeshnin, të hiqeshin si njerëz “të pertëndisë”, por që në fakt ishin djalli vetë. Duhet të të digjet shpirti zjarr që të mundësh t’u thuash diçka të tjerëve. Besoj se shkrimtari Luman Caka është një model i tillë. Ai në të gjithë librat e tij ka arritur të na thotë diçka, të na përciellë virtytet më të çmuara të shoqërisë njerëzore, madje të ndikojë për të korigjuar shënjestrën nëse ti mban e ushqen brenda vetes prapësinë. Sidomos në librat me poezi gjej rastin të gjej fjalën e duhur se ai në një farë mënyre, siç ka thënë T. Eliot, ka shkruar kohën e tij. Në këtë sens na shfaqet poet që di fshehtësinë se nga rrjedh loti, njeh historinë e tij, njeh shkaqet nga të cilat ai u shtrëngua të rrjedhë nga syri e që lexuesi e gjen të shkruar e argumentuar mjeshtërisht në elegjinë “Fluturoi e shkoi si një shqiponjë”.  Shkrimtari në një farë mase paraqet në veprat e tij vetveten. Ashtu si e gjejmë edhe në librat e shkruara nga Luman Caka. Sidomos në librat me poezi gjen njeriun që di të jetojë jetën, të thërrasë, të qeshë, të shajë e të zihet, të dashurojë, të urrejë, ashtu si i ka ardhur jeta. Thuhet se shkrimtari edhe mund të shkruaj kundër vullnetit të tij. Tek Luman Caka kjo nuk ngjau asnjëherë. Madje ai që nuk e njeh, që nuk ia di huqet dhe qëndrushmërinë në çështje bindjesh dhe detaje të tjera që kompletojnë karakterin e njeriut, s’ka nevojë për t’u ballafaquar fizikisht me të, mjafton të lexosh librat e shkruara nga ai. Aty, në çdo rrjesht e midis rrjeshtave, mund “të lexosh” portretin e tij nga brenda e nga jashtë, si t’i kesh bërë “skanerin” e karakterit dhe shpirtit të tij, të botës së tij të madhe e që meriton ta quash njeri.  Është mirë që udhëtimi në krijimtarinë letrare të ketë një fund. Por, siç kam lexuar diku, në fund është vetë udhëtimi ai që ka rëndësi. Për shkrimtarin skraparas Luman Caka e them me bindje, deklaratë që më del nga shpirti, se ai u përpoq dhe ia arriti të realizojë një udhëtim të bukur në fushën e krijimtarisë letrare. Por, si na këshillon F. Noli, duke mësuar jetën e një autori, mund të kuptosh më mirë veprat e tij. Jeta e Luman Cakës s’është as më shumë e as më pakë, por vepra e shkruar prej tij.