Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Ndjesi…

104
Sigal

Kishte ditë që ndjente diçka brenda vetes. Donte të shkruante, kërkonte një emër, një histori si gjithmonë kur i vinte ai frymëzim dhe hapte celularin e shkruante pa u ndalur. Sa e mbaronte e postonte në çast, nuk i kthehej, nuk mund ta korrigjonte. I dukej sikur do merrej me ndjenjën e saj dhe do e përpunonte, por nuk mundej ta risillte atë në gjendjen e saj emocionale, ashtu si i vinte si dallgë deti, herë e qetë, herë e zhurmshme, nuk mund ta kapte përsëri atë dallgë, që ikte. Ajo ishte vetëm një herë, një dallgë me jetën e saj aq të shkurtër të pa përsëritshme. Ashtu ishte dhe emocioni i saj nuk mund të shfaqej përsëri, nuk mund ta kishte më. Nuk e gjente të njëjtën ndjesi, ajo humbiste e bëhej diçka tjetër, nuk ishte ajo që kishte shkruar! Historia tjetërsohej, emocionet, përjetimi ishin të ndryshme, ndaj e linte ashtu atë ndjesi si i kishte ardhur, ndjesi e atij çasti, kjo ishte e bukura për të, të linte të shkruar ngacmimet e shpirtit të saj ashtu të pastra të pacensuruara pa futur analizën, mendimin, rregullin… Ato ishin vetja e saj që shpërthente si një reze drite përtej shpirtit dhe shkruhej. Por sot e ndjente përbrenda që donte të thoshte diçka por nuk po mundej. Ajo gjendej brenda saj. Donte të dilte, përshkëllihej, por nuk i gjente fjalët. Historia ishte e mjegullt, por emocioni vërtitej dhe ndjente dëshirën të merrte celularin e saj dhe të shkruante.

Shkoj në ballkon, shiu i pranverës vazhdonte të binte. Qetësisht, u ul në poltronin e saj, kishte marre me vete një gotë vere, nga vera e saj e preferuar, një verë e ëmbël italiane quhej Frogolino, rrotullonte midis gishtërinjve gotën dhe mendonte.

-Dil më jep një shkëndijë nga brenda më ndihmo ta nxjerr atë që ke aty. Por filloi të shkruajë për gjendjen në të cilën ndodhej. Historia nuk po shfaqej, kishte lexuar disa vargje, që e ngarkuan më shumë dhe ajo historia e saj mbeti aty, ndoshta do shkruhej një ditë tjetër …