Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Monedha

Vangjush Saro

Një Monedhë e vockël, qesharake,

me qiellin, malin, detin

Sigal

bënte llafe:

“Në të gjithë botën ‘e lavdishme’

unë jam gjëja më e rëndësishme:

Blej e shes dhe kthej përmbys dynjanë.

Dorëzohuni pa kushte, o mjeranë!”

Heshtje.

Rrokulliset tej Monedha trime,

me gjet vendin ku pëlqejnë fjalimet…

 

Turma

Buajt kanë mbuluar krejt savanën!

Dielli djeg; bari me pakicë.

Tigrat aty rrotull thurrin plane,

për ndonjë gosti pa sakrifica.

Befas ata hidhen mbi një Buall

dhe e shqyejnë me egërsi e ngut.

Turma atje tej rri si e huaj;

nuk e dinë; i vjen radha gjithkujt…

 

 

Dordolec

Në arën ku Gallofët bëjnë festë,

po mban fjalim edhe një Dordolec:

“I shihni këto fusha, rreth e qark?

Janë në mbrojtjen time; pa merak!”

Po kur Moti dhëmbët i nxjerr jashtë,

shkalafitet trimi kokëkashtë;

bëhet fije-fije, e merr era,

bashkë me fjalime dhe idera…