Çuditërisht asnjëherë nuk jam vetëm
Sepse janë aq të rralla çastet e qetësisë
Kur mbetem vetvetja…
Aty në dhomën përballë dikush frymon
Ardhur nga fëmijëria apo rinia ime
Për atë që dua të përjetoj shpesh më kundërshton
Atëherë, dal në qiell dhe kërkoj veten,
Vjen shumë rrallë viteve tek unë,
Më dhuron pak dashuri dhe tregon shpresën,
Nga ecën ajo, dhe pse gjurmët janë plot zhurmë.
Nuk është engjëll, vetvetja ime,
Po të ishte e tillë, do ta kisha përherë në shpirt.
Është vetëm një rreze e bardhë drite,
Me fije artësuar sjell një çast mrekullitë.
Në këtë mesnatë ajo erdhi papritur.
Një dialog me të munda të bëj, pak gjatë:
“Tek ty s’mund të qëndroj, sepse e tillë është jeta,
Mendo se brenda shpirtit më ke dhe kur jam larg…”