Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Pandemi-Zilia”

22
Sigal

Telegraf.al / Dikush foli për zilinë,
me të kish’ rrënë në dashuri…
As vetë s’kuptoi çmendurinë,
kur kokën ia hidhëroi helm i zi!

Dikush e pa në sy zilinë,
dhe shpejt shikimi iu verbua…
Kjo ndjenjë e kaploi fatzinë,
sa me pasqyrën u dashurua…

Dikush e hodhi thellë detit zilinë,
me dallgën krejt u shkumëzua…
Mbi valën e ujit kriposur vetminë,
bregut u përplas shndërruar në krua…

Dikush pa ndrojtje përqeshi zilinë,
zemrat ngarkuar si qiell i vrenjtur…
Pas shpine shkreptiu pabesinë,
e shpirtin ia lau një shi i dendur…

Dikush nuk e njohu zilinë kurrë,
dhe fitoi jetën e një fatlumi…
Kur mposht ligësinë nën lëkurë,
gjithë botës përreth i ikën gjumi!

 

“Mos Harro! Të jesh femër!”

Kur vulgariteti të të përshkojë,
si një mandala përreth trupit.
Kur natyra përpiqet të të përçmojë;
mos harro të jesh femër, ndale turpin!

Kur vetvetja të mos vëzhgojë
qënien tënde në realitet;
kur një “gjeni” emrin të ta mohojë;
mos harro të jesh femër, pa fjalë vret!

Kur në provë të ve falsiteti,
dhe maskën e madhështisë heq;
kur modestinë e çmon dhe mbreti.
Mos harro të jesh femër, i miri s’bëhet kurrë i keq!