Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Do të doja që i gjithë viti të ishte Tetor!” -(dedikuar kujtimit të babait në 70 vjetorin e tij të lindjes)

92
Sigal

Do të doja shumë që i gjithë viti të ishte muaji Tetor!

Teksa po shfletoj librin e rradhës për të lexuar, me njërën dorë marr nxitimthi bllokun e shënimeve… Jo për të mbajtur shënim rreshta nga libri, sepse ato i kujtoj fare lehtë. Por për të shkruar kujtimet e mia. Asnjëherë nuk kam qënë tipi i shënimeve rreth librave, pasi ato nuk i humbas kurrë nga memoria. As kujtimet e mia nuk i harroj, por e vetmja arsye pse i mbaj në bllok është sepse në të ardhmen mos humbin nga të tjerët, por të lexohen. Kështu ato mund të përjetohen sërisht e sërisht si një cikël jete i pambarim. Muaji tetor është më i arti nga të 12-të muajt e vitit! Ështe ai më i ngrohti, jo vetëm prej rrezeve të diellit, dhe as prej çajit që më shoqëron nën avuj çdo mëngjes edhe darkë, por nga prania e njeriut tim më të shtrenjtë, që megjithëse mungon fizikisht, qënia e tij brenda zemrës sime nuk do të zhduket kurrë! Ështe pikërisht tetori që i dha jetë njeriut që më solli mua në këtë botë… Ai që i dha ngrohtësi gjithë familjes me dashurinë pa kushte, me buzëqeshjet spontane, me përkëdheljet e pashtershme.Tetori është muaji më i ëmbël. Jo prej frutave të pjekura të sezonit vjeshtor, por prej tingujve të kitarës që ende kumbojnë brenda skutave të shpirtit tim. Mikpritja në shtëpinë time nuk merrte asnjëherë kuptim pa kënduar nën tingujt e kitarës. Midis trokitjes së gotave, zëri i ëmbël melodioz ia kalonte edhe ëmbëlsirës më të mirë të servirur ndonjëherë, ishte qershia mbi tortë! E midis humorit dhe të qeshurave, dita mbyllej gjithmonë me këngë. Ashtu ndodhte edhe kur isha fare e vogël, qëndroja mbi prehrin e babait tim dhe e shoqëroja me zërin fëminor teksa luante në kitarë dhe më këndonte këngët rock që i kisha aq të preferuara. Ashtu me pafajësinë e një fëmije, pyesja veten nëse do të këndoja edhe unë një ditë po aq bukur, po aq me ndienjë, po aq ëmbël sa ai?! A thua se ajo dëshirë i ra në vesh Universit, për të ma kthyer si dhuratë të vazhdimësisë së këngës brez pas brezi…? Muaji tetor është më i lumturi. Gjithmonë do kujtoj shëtitjet nga parku, ku veshur me komplet xhins, vrapoja mespërmes pemëve dhe luaja me gjethet që kishin mbuluar rrugën. Mbrapa trungjeve, ai fshihej për të më kujtuar se duhet ta kërkoja me sy për t’u kthyer sërisht në shtëpi. Dhe ende e kërkoj. Tetori për mua do të mbetet muaji i kujtimeve dhe përjetësisë… Kujtimeve që pata fatin t’i jetoj realisht dhe t’i le të shkruara brenda në zemër, dhe me bojë të kuqërremtë t’i hedh në letër!

Do të doja shumë që i gjithë viti të ishte muaji Tetor…