Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Për dashurinë

146
Sigal

 

Dashuria fillimisht është e turbullt!

Dashuron,

po cilin aspak s’është e qartë.

Dhe agimi kur vjen,

është i mugët.

Sendet s’kanë as formë e as trajtë.

Dita zbret dhe gjërat dalin të plota:

forma, trajta, konture e vija.

Dalëngadalë e tillë vjen bota.

Ja,

fytyrën kështu e zbulon dashuria.

 

Për ty

Mendoj për ty kur buzët skuq në pasqyrë,

kur fle dhe era vërshëllen në xhamet,

kur rri e shfleton një libër të vjetër,

kur flet e përhumbur pa ditur as vetë se ç’thua.

Mendimet e tua të gjitha veç unë i marr vesh

dhe as tjetër me gjuhën e shpikur nga ti dhe unë.

Sa keq që në Zot s’kam besuar,

sikur të besoja,

i lutesha që ti të mos plakeshe.

Nesër pemët do gjelbërojnë,

të dy do të shtrihemi mes gjelbërimit.

Rreth nesh le të gumëzhijnë bletët

dhe qëngjat le të blegërijnë.

Ç’ti bëjmë natës që vjen?

ç’ti bëjmë mëngjesit,

kur në pasqyrë

i kuq çel trëndafili?