Suplementi Pena Shqiptare/  Mimoza Çobo: Kur gruaja të do me shpirt

66
Sigal

Një grua e ndien aromën e burrit që do,

edhe kur vesëholla gjurmët ia ka fshirë,

kur karafili stinëve kundërmon ngado

dhe kur dorëzonja deh ditët, me të mirë.

Një grua sheh syrin e burrit që dashuron,

mes muzgut kuqalosh, që mbledh bukuritë,

nën velin e agimit, kur nata lodhur shkon

dhe trëndafilja ditë shtron gjithë mirësitë.

Një grua njeh zërin e burrit që dashuron,

mes këngës së valës, që ligjëron në breg,

mes korit të zogjve në shtegtimin e vonë,

kur vjeshta zverdhon gjethet nëpër degë.

Një grua e ndjen pranë, burrin që dashuron,

kur ai folenë ngre brenda zemrës së saj,

kur diellin e dashurisë, pa kusht ia dhuron

dhe frymën e shpirtit gjer në vdekje ia fal.

 

Dashuria e gruas kthen dimrin në verë

Kur një grua të do, të lidh me fashë të zjarrtë,

avullon djersën e saj të ngjitesh reve lartë,

zbret ujvarë magjepsëse mbi lëkurën e thatë,

spërkat me bulëza uji, zambakët e pritjes së gjatë.

Kur një grua të do, lumturia troket në derë,

dimri me flokë ngrice nga dritarja del,

se dashuria e një gruaje kthen dimrin në verë,

gonxhes së paçelur, me frymë i thotë, ccel!

Kur gruaja loton, si reja në vjeshtën e parë,

ti mblidhi gjithë ndjenjat në tufë jargavan,

shtratin martesor, bëje luadhin e ëndrrave të saj,

sa t’i japësh një puthje, ajo dashurohet prapë.

Shpirti i gruas ëngjëll, s’ka mister nëpër fletë,

është besnike fronit, ku ulur presin të tjerë,

nëse e do me zemër, s’ngrihet sa të ketë jetë

edhe vdekjen ëmbëlsisht sipër fronit e pret.

Kur të do një grua,të lidh me fashë të zjarrtë,

avullon djersën e saj,të ngjitesh reve lartë,

zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,

një bulëz uji nga shpirti i saj,ushqen një oqean.