Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Në vetvete

118
Sigal

 

Sonet

Tani më shpesh më qeshet dhe qesh vetë,

nuk qesh me dhelpëri si plak me huqe .

I degustova ndofta gjithë idetë,

siç degustohet vetëm verë e kuqe.

Zë qesh tulitur dhomës me kolltuqe,

përze një mizë që ulet në xhaketë,

apo këput nga lulja një burbuqe,

gjë tjetër s’më çudit dhe jam i qetë.

Jam dëshmitar i gjithë marrëzive,

po jam dhe pjesëtar në marrëzitë!

Ndaj nuk habitem fare prej çudive,

mbase nga kjo me vete qesh përditë

dhe pakëz nikotinë u jap mushkrive,

kur s’e largoj cigaren nga gishtrinjtë.

 

Malli

Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat…

Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.

Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban.

Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.

Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej.

Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.

Edhe unë u dashurova dhe me jetën pata fat,

ndofta edhe puthjen time e dëgjoi një fillikat.

Ndofta ndezi një cigare pranë shelgut tek ky vend,

ndofta buzët i lëvizi dhe diç solli nëpër mend.

Ndofta, ndofta! …Lumi derdhet,

flladi thinjat m’i shpërndan,

natë e viseve të mia rreh

në xham me jargavan.