Hëna brirët lan në lumë,
uji yllin e spërkat.
Unë sillem nëpër shelgje,
sonte natën fillikat.
Bulku fshehur pas një drize,
lumit iso po i mban.
Natë e viseve të mia ,
mbushur plot me jargavan.
Si një rrahje flete molle ,
një të puthur afër ndiej.
Sonte njerëz dashurohen,
tek ky mal nën këta qiej.
Edhe unë u dashurova,
dhe me jetën pata fat,
ndofta edhe puthjen time,
e dëgjoi një fillikat.
Ndofta ndezi një cigare
pranë shelgut tek ky vend!
Ndofta buzët i lëvizi
dhe diç solli nëpër mend.
Ndofta, ndofta!… Lumi derdhet,
flladi thinjat m’i shpërndan.
Natë e viseve të mia
rreh në xham me jargavan .




















