Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Prilli dekorativ

452
Sigal

1.
i ftohti është brenda zemrës,
e ngrohta e diellit është dekorative,
gjymtyrë kujtese… nuk ka asnjë të vërtetë,
fjalime elektorale… rrënjë turpi në kryqëzimin përtej,
ku flukset e vdekjes dhe fantazmat janë të gjalla,
dhe rebele:
fije të dukshme shtypje hajnish…

2.
nuk përfundon kurrë braktisja
shkretia e shkretë e shtegut
gjethet e rëna ferrat e pakositura
qorrojnë vështrimin e një dallëndysheje
në piruetin e mëngjesit

çast i tmerrshëm: ngashërima e një luftëtari
zvarritet nëpër një labirint  kalbësirash
dhe shtyn rrezet e diellit të mos ja lëndojnë vetminë,

gurët po bien një nga një nga muret,
muret po treten,
nuk ka kush tu gëzohet pëllumbave,
arratisen dha ata nëpër dhera të largëta,
mbrapa diellit…

3.
kohë e mjerë për poezinë:
gjithnjë ka lindur nga vuajtja
dhe ka thurur fjalët të ndezë çika në sytë e njeriut,
është bërë nëpër furitë e dhimbjes,
frymë të japë, frymë e të ngrohë zemrat e mërdhira,
tani dremit dhe venitet
në udhëkryqin e absurdit:

ka kujt t’i këndojë e përse të këndojë,
nuk ka kush ta këndojë…