“Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer vendit dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij ”- ka thënë Faik Konica. Kjo thënie model që mbart në thelb filozofinë e qenies, është një veshje emblematike, që i përshtatet portretit të njerëzve të trevës së lashtë të Beratit, të cilët i kanë shërbyer evolucionit njerëzor, nëpër shekuj me fuqinë e potencialit mendor e moral, ndonëse forca të errëta nëpër mjegullat e kohërave, iu vunë përpara pengesa cfilitëse të shumta. Por, koha dëshmoi se këta njerëz- promete dolën nga ferri i sprovës, më të fuqishëm e triumfatorë dhe ushqyen rrënjët e historisë jo vetëm me ide atdhetare e përparimtare ,por edhe me burimin e pashtershëm të trashëgimisë dhe bartjen e kulturës autoktone. Pjesë e kësaj historie kanë qenë në të shkuarën dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, shumë personalitete të trevës së Beratit, të cilët kanë zënë vendin e nderit në faqet e librit “Dritë në kujtesë “ të autorit Hajri Hima.“Dritë në kujtesë “ është një libër – ekspoze,që gdhend në kujtesën tonë kolektive, veprimtarinë jetësore të personaliteteve të shquar të kësaj treve të bukur e të begatë, të cilët kultivuan nëpër kohëra vlera fisnike dhe virtyte të larta atdhetarie e qytetarie, duke u kthyer për brezat në simbole të madhështisë e të humanizmit.
Për njerëzit e virtytshëm , atdhedashës e mendjendritur të kësaj treve, ka folur fuqishëm jo vetëm historia, por edhe kronikanë të huaj, një prej të cilëve është kronikani i shquar turk Evliha Ҫelebi, i cili gjatë vizitës së tij në trevën e Beratit, në nëntor të vitit 1670, e cilësoi Beratin, krahinë hijerëndë të Xhihadit, me një zhvillim të lartë e nivel të mahnitshëm qytetërimi. Për potencialin njerëzor të këtij qyteti , në shënimet tij, midis të tjerave, kronikani turk ka shkruar: “Nga ky qytet kanë dalë një numër i mirë njerëzish të rëndësishëm, vezirë, deputetë, si dhe dijetarë e fetarë të shquar. Njerëzit këtu janë shumë të përkushtuar, trima e guximtarë dhe qeverisen nga nëpunës e administratorë të matur e të urtë. Këtu ka shumë vjershëtorë, njerëz të ditur e që shkruajnë, me dije mjaft të gjera. Ata janë të sjellshëm e të hijshëm, të zgjuar e të pjekur.” Historia e çdo treve shqiptare është jo vetëm histori lufte dhe qëndrese,por edhe histori vlerash kulturore e përparimtare,e njerëzve liridashës ,paqedashës e dijedashës,që përkundi djepi i kësaj perle të Ballkanit nëpër tallazitje kohërash. Në këtë libër janë gdhendur profile të njerëzve me kontribute të veçanta atdhetare, intelektuale e profesionale, të sferave të ndryshme të jetës. Është një plejadë e tërë personalitetesh, e talentesh të rrallë, veprimtaria jetësore e të cilëve është aset i çmuar për historikun e trevës së Beratit dhe shembull frymëzimi për brezat dhe trashëgimi e mendimit njerëzor për ardhmërinë e kombit. Secila kohësi ka rëndësinë vet në qenësinë e një populli, prandaj është e rëndësishme të theksoj se, ky libër ngacmon ndërgjegjen njerëzore mbi ekzistencën dhe ruajtjen e vlerave kombëtare, si dhe merr trajta të fuqishme konceptuale, deri në shenjtëri të njerëzve që aspirojnë për paqe ,zhvillim dhe progres shoqëror. Historia e njerëzimit, ka fshirë nga kujtesa, shumë njerëz barbarë e luftënxitës, të cilët koha i shkërmoqi në thërrime pluhuri të vogla dhe i rrokullisi në gremina e hone, por ka ngritur në piedestalin e nderit,emrin e mendjeve të ndritura njerëzore, të cilët u bënë mal madhështor, në kujtesën e maratonës së ashpër të mbijetesës, ku vërtitet ekzistenca jetësore. Për mosvrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet ekzistenca e njerëzve të kësaj treve, në çdo fragment të këtij libri, fiton epërsi postulati :” Harresa e shkatërron njerëzimin, kujtesa e shpëton njeriun!” Kësisoj kujtesa për intelektualin poliedrik Kahreman Ylli apo enciklopedistin e shumëfushave , poetin, shqipëruesin dhe përkthyesin e shquar të letërsisë orientale,Vexhi Buharaja, si dhe për shumë personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, si mjeku i mrekullive Ymer Dishnica, intelektuali me kulturë të gjerë Agim Mehqemeja, profesori dhe mjeku i talentuar Pandeli Çina, Kryeredaktori gazetës “Kushtrimi”, Ramadan Hoxha, mjeku psikiatër Miltjath Veveçka, doktor profesor në gjeologjinë e naftës Irakli Prifti, intelektuali dhe atdhetari Mihal Bardhi, doktor profesor Lluka Heqimi, muzikanti i talentuar Fatbardh Dervishi, Heroi i popullit Zylyftar Veleshnja, doktor profesor Hazbi Shehu, farmacisti dhe intelektuali i dëgjuar beratas Xhovan Kajana, kompozitori ynë i shquar Agim Prodani, publicisti, shkrimtari dhe diplomati Ylli Polovina, kirurgu ortoped që ngjallë shpresë për jetën me tehun e mprehtë të bisturisë Maksim Prendi e për shumë të tjerë, kujtesa e popullit flet me madhështinë e veprave të tyre, që i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë historisë dhe prosperitetit të kombit. Por,”njeriu është një qenie aq e mrekullueshme, sa s’është e mundur kurrë t’i numërosh lehtë të gjitha cilësitë e tij “(N.Gogol), ndaj duhet theksuar se, madhështia e veprave jetësore të dhjetra personaliteteve, të gdhendur në faqet e këtij libri voluminoz, është unike në llojin e saj, madje merr përmasa universale me kontributet e veçanta që, këto personalitete kanë dhënë në fushën e kulturës, shkencës, në përparimin dhe modernizimin e arsimit shqiptar. Nëpërmjet këtij libri- ekspoze, autori Hima, përcjell për lexuesit jo vetëm potencialin e vlerave të intelektualeve e atdhetarëve ,me gjurmë të ndritura nëpër kohëra, por edhe vlerat e veprave jetësore të gjeneratës së re, që me energjinë e mendjes së ndritur, po ripërtërinë trurin dhe palcën e eshtrave të kombit.
Frymëzuese janë vlerat profesionale e humane, të intelektualit Albano Kora dhe aspiratat e larta të sopranos Alketa Çela, e cila përmes deputimeve virtuoze në skenat e Shqipërisë dhe kudo në Evropë, ka shpërfaqur efektin magjik të virtyteve dhe triumfeve të emancipimit të femrës shqiptare.Një meritë e veçantë i takon autorit të librit,edhe për trajtesën meritore që i ka bërë personalitetit të femrës beratase,në kapërcyellin midis dy periudhave historike, duke hedhur dritë mbi përpjekjet dhe aspiratat e saj,që kulmojnë si një uragan shpirtëror me origjinalitet të jashtëzakonshëm,mes luftës dhe triumfit, si metaforë e mprehtë e të gjitha kohërave.Teksa shfletoja faqet e këtij libri,u ndjeva e impresionuar nga profili intelektual e njerëzor i zonjave fisnike të trevës së Beratit dhe natyrshëm lindi dëshira të shkruaja fjalë shpirti, për të formësuar aureolën e nderit për këto zonja, që gëzojnë respektin e mirënjohjen e qytetarëve të Beratit e më gjerë. Për më të tepër, dua të shprehem se këto gra kanë në çdo qelizë të qenies së tyre energjinë diellore, që i duhet familjes dhe shoqërisë. Motivacioni për të ecur përpara dhe energjia e brendshme, që i shtyjnë drejt kthjellimit psikik për përpilimin e strategjive efikase dhe aftësia komunikative, i japin epërsi madhështisë së personalitetit të tyre,duke u kurorëzuar arkitekte të vërteta të familjes dhe të shoqërisë. Më kot nuk thoshte Sami Frashëri:”Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerëzisë!”Kur u njoha në libër me sfidat ,që këto gra mendjendritura kanë kaluar në jetë ,arrita të kuptoj,se ato zotërojnë aftësinë të shkelin me zgjuarsi jo vetëm udhë që kanë dritë,por edhe shtigje të mbuluara nga tisi i errësirës, në kërkim të universit të dritës e të dijes.Nuk është aspak hiperbolë, të shprehem se këto gra u përngjajnë panjave të bardha që blerojnë bregoreve të zhveshura në pyje. Stuhi apokaliptike godasin shtatin e tyre, por, ato shtrëngojnë rrënjët në thellësi të tokës dhe pas çdo stuhie gjethojnë lastarë të shëndetshëm. Prandaj veprat e ndritura të zonjave politikane,artiste e krijuese, historiane e koleksioniste sendesh antike, misionare të arsimit e profesioniste të fushave të ndryshme, mbartin në thelb mesazhe të vyera për të gjitha ato gra e vajza, të cilat thyhen moralisht dhe heqin dorë nga vepra e bërë nga mendja dhe gishtërinjtë e tyre,duke bërë që ëndrrat e tyre t’i mbulojë përgjithmonë pluhuri i harresës. Gra të tilla fisnike, si prefektja e Prefekturës së Beratit Valbona Zylyftari, Juliana Memaj, kryetarja model e Bashkisë Dimal, Mine Guri, Fatime Myftari Plaku, Parashqevi Shatciu, Elsa Vakëlliu, Alketa Syrja Çela , zooteknikja Leonora Bebi, Mirela Guga –historiane dhe hulumtuese shkencore, Margarita Gjani, mesuese dhe autore e librave për fëmijë, përngjajnë me trëndafilin diellor në gdhendje argjendi, që nuk iu humbet shkëlqimi asnjëherë, për sa kohë që ato e tërheqin njerëzimin, me fuqinë e gravitetit të inteligjencës së tyre. Por, mbi të gjitha, këto gra janë shpirti i bardhë i njerëzimit, energjia diellore e tij, janë kryetruri i shoqërisë dhe meritojnë nderim të lartë, si dikur mbretëreshat. E përgëzoj autorin Hajri Hima, për daljen në dritë të këtij libri me vlera të veçanta për historinë dhe brezat. Gjithashtu,dua të theksoj, se autori Hima, duke ju dhënë dritëzim veprave jetësore e profesionale të shumë personaliteteve të shquar të trevës së Beratit, ka arritur të përcjellë mesazhin madhor se, vlerësimi dhe kujtesa për potencialin njerëzor të kombit, është i vetmi mjet për të depërtuar në thellësi të kohërave, për të ruajtur vlerën e këtij potenciali, nga pluhuri i harresës që gjymton trurin e kombit dhe për të vjelë aty esencën e fuqisë së mendimit njerëzor, jehonën e shpirtit atdhetar, energjitë pozitive të njeriut të punës dhe eliksirin e pushtetit të vlerës së virtytshme, si i vetmi gjenerator i fuqishëm që vë në lëvizje të pandërprerë jetën. Si përfundim kam bindjen se ky libër do të ngjallë interes dhe do të entuziazmojë këdo, që do ta marrë në dorë për ta lexuar. Dhe kjo padyshim që është meritë e autorit Hajri Hima, të cilin e përgëzoj për përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe i uroj suksese në krijimtari.