Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Lypësi i kohës

265
Sigal

 

Atij i ikën të gjitha: ditët, javët, muajt e vitet.

I ikën ashtu pa kuptuar sa gati s’arriti t’i shohë.

Ishin vitet e tij, kur njeriu urdhëron, vërtitet e rritet,

po ikën dhe mbeti pa kohë, dhe thotë: “na ishte një kohë”!

Njeri pa kohë, i zbrazur nga koha që pate!…

Të jesh pa kohë, më i mjerë se të mjerët,

askush s’të pyet ku shkove, ku vajte,

atëherë ti bëhesh lypës i kohës që kanë të tjerët.

Ai ushqehet e rron, po rron si kufomë.

Fle dhe zgjohet sipas instiktit dhe normës,

veçse ka mbetur pa kohë, ka mbetur një qënie pa formë,

nëse do ta quanim kohën përmasë të formës.

 

Lumturia ime

Ju dua, të vegjël dhe ju të mëdhenj!

Sikur të më derdhen të ligjtë përrenj,

u thyej dhe qafën, i çoj m’u në djall.

Me gotën përpara, me këngën me mall!

shpesh vuaj dhe dhëmbët kërcas domosdo,

po jeta është luftë dhe unë jam hero!

Ndaj jam i shkujdesur, pa pare në xhep,

as mbreti të drejtat nuk m’i merr e nuk m’i jep.

Më shtyp zgjedhë e skamjes nga viti në vit,

por mbrëmjes me miqtë unë vitin e ndrit:

Kur mbërrijmë qëllimin dhe gazi na djeg,

përse t’i kujtojmë ca ferra në shteg?

Ç’të merrem me fatin, me kalin gërmuq?

Pa hiqmu nga sytë, i poshtri thuthuq!

Kur brenga dhe gazi trokasin në xham,

u them: “Mirë se vini, një sofër e kam”!