Suplementi Pena Shqiptare/ Dr. Eris Rusi: “Një mungesë e gjatë” nga Luan Rama

193
Sigal

Në kërkim të pranverës së fjetur

Le ta nisim nga titulli i këtij romani: Një mungesë e gjatë. Pa nisur akoma shfletimin, të krijohet ndjesia e dikujt që ec në botën e madhe, mes hijesh të atyre që ishin dhe nuk janë më, nëpër rrugë që janë fasada bosh, ku zërat e dikurshëm janë jehonë, mungesë. Ti si lexues, bëhesh gati të përjetosh humbjen, brenda kësaj bote të panjohur, të brishtë, të huaj, që është përmbajtja e veprës letrare. Dhe që në faqet e para të romanit, nis t’i zësh besë intuitës. Personazhi kryesor, kolonel Ordion dë Bretanj, është tanimë një ushtarak në kohë paqeje, një albatros i zbritur nga lartësitë e qiejve, që në turmën e njerëzve që ecin në tokë, ngjan i ngathët, i lënduar një invalid lufte që e ndajnë plot dhjetë vjet nga ditët me shkëlqim e lavdi të terrenit të luftës.  Ambienti ku çelet sipari i veprës është një shtëpi e vjetër, dykatëshe, që njerëzit e quajnë kështjellë, edhe pse nuk është e tillë, tepër e vjetër, me kohën e varur si rrjetë merimange përsipër. Duket sikur rrëfimi do të jetë një frymëmarrje gotike, ku do të shpërfaqen fantazmat e së shkuarës, e megjithëse diçka e tillë ndodh, vërtet, nuk kemi hijen e rëndë, të ekzagjeruar, të artificit letrar, por rrëfimi na shpalos një tragjedi të vogël njerëzore, që të kujton një temë të ngjashme me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, për nga zanafilla e veprës. Dy prindër të gjorë, austriakë, që trokasin në derën e shtëpisë së ish armikut të vendit të tyre dhe kërkojnë të dinë ku janë varrosur eshtrat e djalit të tyre të vetëm. Ky incipit, vë në lëvizje rrëfimin, krijon linjat e subjektit, që shtrihen me një lehtësi të natyrshme falë mjeshtërisë tregimtare të Luan Ramës. Merita e autorit përkon me një cilësi që ata që e njohin nga afër, e gjejnë edhe tek tiparet njerëzore të tij. Luan Rama shkruan me një elegancë të rrallë, që e bën frazën të zbresë butë mbi letër, i afron skenat me jetën dhe njerëzoren e të bën të shohësh nga fare pranë tiparet e personazheve, të depërtosh në sytë e tyre e të zbresësh deri në brendësi të shpirtit. Ndoshta, kjo mjeshtëri bën që ti si lexues të përjetosh të gjitha nuancat që prek vështrimi i protagonistëve, të bëhesh pjesë e përshkrimeve ku ajri vjen si fllad i freskët dhe nga faqet e tekstit, fryn lehtas mbi ty. Kjo lehtësi e rrëfimit, është çelësi për të mbushur me dritë të gjitha skenat e librit. Kolonel Ordioni vendos të rikthehet në Shqipërinë e lënë pas krahëve në mbarim të luftës së madhe, në kërkim të vendit “të pranverës së fjetur”.

E quaj kështu këtë vend, sepse diku në Malin e Tomorricës, dhjetë vjet më parë koloneli me ushtarët e tij kishin ndeshur trupat pa jetë të disa ushtarëve austriakë, mes të cilëve dhe djali i vetëm i çiftit vjenez, që nuk kishin ndërruar jetë nga plumbat, por nga stuhia, i ftohti i maleve, natyra vetë. E në prag zgjimi të asaj pranvere, dhjetë vjet më parë, trupat e tyre ishin të bukur e të paprekur nga koha, e në gjumin e madh ku i gjeti koloneli, ata u varrosën me nderime, jo si armiq, por si njerëz të larguar prej kohësh në tjetër botë.

 

“Kur mbërritën aty, pranë shkëmbinjve të lartë që binin si thikë, koloneli dalloi gjashtë ushtarë alpinë austriakë, të shtrirë dhe të ngjeshur me njëri-tjetrin.

– E çuditshme. Nuk janë të vrarë. S’ka asnjë gjurmë luftimesh!

Ata ishin aty, në paqe dhe dukej sikur flinin. Flinin në gjumin e tyre të përjetshëm, në një përgjumje të ngadaltë, ndoshta në ëndërr.”….

Pikërisht kështu, si një ëndërr e gjatë, e veshur me tylin e hollë të mjegullës, është shtegtimi i kolonelit të rikthyer në Shqipëri dhjetë vjet më pas. Gjithçka që ai sheh e prek të ndërmend ëndrrën. Duket sikur koloneli thotë: Në hapësirën e një ëndrre përmblidhet jeta jonë e shkurtër”. Çfarë imazhi dhe përfytyrimi ta gjesh njeriun të njëjtë me ëndrrat e tij, që flet, frymon dhe gëzohet brenda asaj ëndrre të shkurtër që është vetë jeta.! Një gjest mirësie, një akt zemërgjerë, një fjalë e ngrohtë, një premtim i mbajtur, të gjitha mund të përkthehen në ëndrrën e bukur gjithkush të shohë dritën e shpirtit, që ndrit për të tërë. E mes këtyre ndjesive, autori shpalos fijet e padukshme, që lidhin kolonelin me qytetin e Korçës, që lidhin Korçën me botën franceze, që gjejnë në kontaktet e lidhura në kohë mes Shqipërisë dhe Francës, një ekuilibër që në roman, ka emrin dhe fytyrën e Petros, jetimit të vogël korçar, që merret me vete nga koloneli e është si rikthim në jetë i Marselit, djalit të vetëm, të vdekur të çiftit francez. Korça është pjesë e dashurisë që e ushqen me letra koloneli sa herë që i shkruan bashkëshortes së tij, Henrietës:

“…E dashur Henrietë…Akoma nuk kishte perënduar dielli kur hymë në qytetin e Korçës. Dua të them se një atmosferë paqeje dhe lumturie zotëron në qytet. Disa nga rrugët këtu mbajnë emrat e Viktor Hygoit, të gjeneral Sarajit, të Lamartinit. Shqiptarët e duan Francën …Ngado ndesh gjurmët e lëna nga Franca…”

Këto gjurmë, duken edhe në lëndinën e freskët, ku zë vend gjumi i përjetshëm i ushtarëve të rënë francezë. Në varrezat e francezëve, një ish pushkëtar i dikurshëm shqiptar përkujdeset dhe kryen shërbimet e mirëmbajtjes çdo ditë, kujdeset për shokët e rënë të luftës.

 

Më dhemb t’i shoh kështu, të vetmuar, – tha koloneli. – E ndiej veten fajtor. Vallë çfarë kanë thënë prindërit e tyre për komandantin e regjimentit nga, i cili pritën aq vite që bijtë t’i sillte në shtëpi?”

Koloneli po mendohej. Ndiente dhimbshuri për ata ushtarë, që kishin rënë në lulen e rinisë, në një vend të huaj, tremijë kilometra larg Francës.

“Komandant, mos ki merak për trimat e tu. Prandaj kam ardhur këtu, që t’iu shërbej dhe të mos i lë vetëm…”

Një dialog që ngjan të bëhet në një kohë surreale, pas një mungese të gjatë, mes një francezi dhe një shqiptari, ku ky i fundit thotë që në këtë tokë dheu është i butë edhe për të ikurit përjetë, të ardhur nga larg…Më tej, rrëfimi i ngjarjeve gërshetohet me erudicionin e autorit, që sjell fragmente episodike, përshkrime, nga bota e Ali Pashës deri tek toponimet që të kujtojnë Francën, në relievin shqiptar. E gjitha bëhet me një thjeshtësi ku gjithçka ngjan e mundur. Rrëfimi  shtrohet si një lëndinë e freskët, ku mund të zëmë vend, të mbyllim sytë e të përjetojmë. Është një rikthim. I protagonistit, por edhe i lexuesit. Pas një mungese të gjatë. Kur Gjithçka është ëndërr dhe jetë njëherësh. Dhe frymëmarrja e së mirës, mbush kraharorin e tokës, të pemëve, të lumenjve, gjoksin e njeriut dhe shpirtin e hareshëm të krejt botës. Ku Franca dhe Shqipëria, Parisi dhe Korça, shëmbëllejnë së largu, veçmas e të shkrirë me njëra-tjetrën, kohë pas kohe. .

 

Dr. Eris RUSI