Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: Në kërkim të një epitafi

811
Sigal

Shpëtimi, djali i madh i të ndjerit Fatbardh K., ish-biznesmen i njohur, kishte menduar që në qivurin e të atit të vendoste një epitaf sa më të goditur. Bënte muaj që vriste mendjen për të. Për këtë qellim kishte vënë në lëvizje disa nga miqtë e vet. Këtë detyrë ia kishte lënë sidomos Fatjonit, të cilin Shpëtimi e mbante si njëri tepër të zgjuar për të tilla punë.

– Këto dy javë me këtë punë merruni, – i kishte thënë, – sepse do t’ju paguaj shumë mirë. Po shkoj te Shoqata e Biznesmenëve, se mundet të gjej aty ndonjë formulim interesant – kish menduar Fatjoni. Dhe nuk kish vonuar të shkonte atje.

– Një epitaf për të ndjerin Fatbardh?! – i qe drejtuar dikush në atë Dhomë. Kish hedhur sytë te kolegët brenda Dhomës dhe ishte shprehur:

– Para të vdekurve na duhet të jemi tepër të sinqertë!…

– Atë kërkojmë, – ia kishte kthyer Fatjoni. – Shkruaj: “Nga kjo jetë, Fatbardhi u largua fatzi.” Tjetri, që priste ndonjë tjetër formulim, mbeti i shtangur.

– Ç’është ky epitaf?!

– Dhjetëra punëtorëve në bizneset e veta Fatbardhi nuk u pat paguar Sigurimet Shoqërore prej shumë vjetësh!… Fatjoni u largua tepër i zemëruar. Dhe nga këtu, frymën e mbajti në bibliotekën e qytetit. I qeshi fati. Sapo u fut në sallë, sytë i shkuan te një profesor – doktor në letërsi, të cilin e njihte prej kohësh.

– Dua një epitaf, që mendohet të vendoset në një qivur, – i tha Profesorit. Profesori mbeti në mëdyshje. Si mundej të kërkohej një epitaf pa pasur parasysh njeriun konkret të ndarë nga jeta! – Për cilin njëri e kërkoni? – pyeti Profesori.

– A, më fal se s’ta thashë. E dua për të ndjerin Fatbardh K., biznesmen i njohur i qytetit tonë… Sapo i dëgjoi emrin, profesorit iu kujtua diçka e ndodhur. Një shkrimtar i njohur i kish pas kërkuar të ndjerit sponsorizimin e një libri, por ai i paskej propozuar t’i jepte një drekë të mirë ku ta dëshironte, qoftë edhe jashtë shtetit. Pra, s’kishte qenë i gatshëm të hidhte lekë për libra me përralla, siç qe shprehur. Ndërkohë që profesori bënte sikur mendohej, Fatjoni nxori stilolapsin. – “Këtu prehet një i njëri me kokën mbi lekë dhe me këmbët mbi libër.”

Fatjonit i mbeti stilolapsi mbi fletën e bllokut. E shikoi në sy profesorin, sikur të donte t’i thoshte: “seriozisht e ke, profesor?!” Dita e vendosjes së qivurit po afrohej. Vrau mendjen dhe i shkrepi të shkonte në Ministrinë e Ekonomisë. Aty takoi një zëvendësministër. E njihte shumë mirë. Pa e zgjatur më tej, i kërkoi një formulim epitafi.

– Si, paska vdekur Fatbardhi?! – shprehu habinë zëvendësministri.

– Kërkojmë një epitaf, që mund t’i shkonte më përshtat karakterit të tij… Zëvendësministri uli kokën, u mendua dhe, duke ngritur kokën, foli:

– “Pasurimi nën këmbët e ndershmërisë”. Kjo do t’i shkon shumë. Fatjoni rrudhi buzët dhe e futi bllokun në xhep. Tjetri e vuri re pakënaqësinë dhe, për t’ia sqaruar përmbajtjen e epitafit që i sugjeronte, shtoi:

– Gjatë tenderëve që organizoheshin, ishte gati të shiste edhe të atin… S’e zgjati më tej Fatjoni, u ngrit dhe largua. Teksa vazhdonte për në shtëpi, çuditërisht iu kujtua emri i një shoqate, ku të ndjerit i përmendej emri. Madje aty i qe dhënë stimuli moral “Nderi i Shoqatës …”.

– Mbushi një vit që është ndarë nga jeta?! – shprehu habinë kryetari i asaj Shoqate.

– Ikin vitet, Fatjon vëllai. Mos shkofsh atje, se… Kryetari i Shoqatës atë çast sapo kishte mbaruar së lexuari një libër. Si të ish porositur, aty për aty i vuri përpara një shënim që kish nxjerrë nga ky libër.

– Lexojeni vet! Të ndjerit mund t’i shkonte ky epitaf: “Njeriu që luftoi ta bënte lekun të shenjtë, për ta vendosur mes gjithë shenjtorëve të tjerë.” E lexoi Fatjoni tekstin që i sugjeronte kryetari i Shoqatës për epitaf dhe, duke shprehur një farë pakënaqësie, i dha dorën dhe u largua. Erdhi dita e vendosjes së qivurit, kështu që duhej vendosur epitafi. “Do të pyes dajën e të ndjerit, fundja le të vendosë vetë ai” kish menduar Fatjoni. Edhe daja ishte një farë biznesmeni, por nuk i kishte ecur mbarë. Thuhej se i kishte kërkuar ndihmë nipit të vet, Fatbardhit, por ky s’kish pasur kohë të merrej me dajën e vet!

– Kam ardhur t’ju marrë një mendim, – hyri drejt e në temë Fatjoni.

– Dakord, ç’kërkoni prej meje? – ia kishte kthyer daja.

– Siç e dini, mbas dy javësh mbush vitin që është ndarë nga jeta nipi juaj, Fatbardhi. Kërkohet një epitaf për ta vendosur në ballinën e qivurit. Sapo i dëgjoi kërkesën që i drejtohej, daja uli kokën. Iu kujtua fakti, se nipi i tij, Fatbardhi, ishte divorcuar me të shoqen, duke lënë pa kujdesje prindërore katër fëmijë! Dhe ishte martuar me një vajzë shumë të re! Iu kujtua motra e vet, domethënë e ëma e të ndjerit, që ishte lënë në mjerim të plotë për shkak të tij.

– Ju e kërkoni të gjatë epitafin, apo me pak fjalë? – pyeti daja.

– Sigurisht, me sa më pak fjalë, por ama të thotë shumë.

– Atëherë mbaj shënim. Fatjoni hapi bllokun dhe vendosi mbi një faqe majën e stilolapsit. “Lindi njëri dhe vdiq gomar”! Fatjoni mbeti tejet i habitur. Si mundej të sugjeronte këtë epitaf daja!

– Ky epitaf do të pëlqehej nga ata që e njohin, por edhe nga vetë familjarët, – shtoi daja. Fatjoni u ngrit, e përshëndeti dajën dhe u largua. Sakaq, mallkoi veten që kish marrë përsipër të kërkonte një epitaf për një biznesmen të tillë, si për të ndjerin Fatbardh K.