Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Gjoka: Udhëtim mes yjesh

1032
Sigal

Kujtimet e regjisorit dhe spikerit Dhimitër Gjoka:  Kur isha në gjimnaz pasi më pa në një rol Liza Laska më tha: -Gjoka, mos iu nda teatrit!

-Si mora “Fletë-lavdërimi” me motivacionin: “Për interpretimin e shkëlqyer të rolit të Ernestit në dramën “Një vajzë kërkon përgjigje”

-Si më afruan aktorët e talentuar Vangjel Panozaqi, Liza Laska, Andon Qesari, Resmie Ruci, Albert Vërria, Aleksandër Pogaçe, Jorgaq Tushe, Zhuljeta Kulla, etj

-Më jepte shumë forcë katërshja e pazëvendësueshme e humorit Agron Hamo, Mane Lumani, Afrim Agalliu dhe Muhamet Lika

-Mësova shumë nga regjisori i suksesshëm Piro Savame kur vinte në skenë dramën “Sinjali i kuq” të dramaturgut të mirënjohur Bashkim Kozeli

– Si interpretova për RTSH  poezinë “Krevati i Perandorit” të Dritëro Agollit

Përgatiti për botim Albert Z. ZHOLI

Kur u regjistrova në gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë, në shkollën tonë erdhi Aleksandër Pogaçe, aktor i teatrit profesionist të Vlorës. Së shpejti do të organizohej takimi i teatrove të shkollave të mesme të qytetit, ndaj dhe ai së bashku me drejtoreshën e shkollës Afërdita Abazin, dolën klasë më klasë për të zgjedhur vajza dhe djem që do t’u përshtateshin roleve që kishte pjesa, e cila do të vihej në skenë nga gjimanzi ynë. Ishte hera e parë, që regjinë e një aktiviteti të rëndësishëm në shkollën tonë do t’a kryente një aktor profesionist si Aleksandri, ose siç e thërisnin shkurt Sandri. Kur erdhën në klasën tonë, Aleksandri si na vështroi  me shumë vëmendje të gjithëve, drejtoi gishtin tek unë, duke më thënë që të dilja e të shkoja tek zyra e drejtoreshës. I befasuar, por njëkohësisht edhe i lumturuar nga përzgjedhja, vrapova si rrufe drejt zyrës së drejtoreshës ku prisnin edhe pesë a gjashtë djem dhe vajza të tjerë. Ndjeva se isha i pushtuar thellë nga emocionet. E teksa më kalonin në mendje këto pyetje, mbërritën tek zyra Sandri së bashku me drejtoreshën.Të buzëqeshur, ata na ftuan të futeshim brenda në zyrë, ku u ulëm në karriket e vendosura rrotull tavolinës  në formë T-je. Në fillim foli drejtoresha, e cila na tha se ishim zgjedhur mes nxënësve të shkollës, si më të mirët, për të qenë aktorë në pjesën që do të vihej në skenë nën regjinë e Aleksandër Pogaçes. Duke e hedhur vështrimin e saj, herë nga Aleksandri dhe herë nga ne, nxënësit e saj, të cilët ato çaste qemë të mbushur me emocione të mëdha, ajo tha se, ishte një fat që ne do të punonim me një nga nga aktorët më të mirë të teatrit profesionist.  -Në bisedat që ne kemi bërë, – tha ajo një çast, – Aleksandri më ka premtuar se do të punojë me përkushtim dhe pasion për këtë shfaqje, me synimin e vetëm që ne si gjimnaz të zemë vendin e parë, në krejt qytetin tonë. Mua s’më mbante vendi. E vështroja i lumturuar drejtoreshën, atë grua zonjë e cila më ngjallte respekt, sado që nuk e njihja shumë, pasi nuk më jepte mësim, dhe shpesh herë kur fliste, tundja kokën në shenjë miratimi për çka ajo po na thoshte të gjithëve në atë zyrë të vogël, e cila mua herë më dukej shumë e vogël, si një kuti, e herë e madhe, një hapësirë e pafundme. Pas saj e mori fjalën Sandri, i cili menjëherë u përqëndrua tek pjesa që do të vinim në skenë. Ishte një dramë e cila fliste për dështimin e një dashurie të pafat të një çifti të ri në moshë. Pjesa titullohej “Një vajzë kërkon përgjigje”.

Drejtoresha na tha se çdo ditë para dite dhe pasdite do të bënim prova intensive në dhomën e mësuesve.

Si uroi suksese, ajo u largua dhe ne menjëherë filluam nga provat në fillim me leximin e tekstit, sipas personazheve që na ishin caktuar. Eli Nikolla ishte një nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe po ashtu edhe Vllasi Çomo ishte një nxënës shumë i mirë. Ai aktivizohej në rrethin letrar të shkollës si edhe me tej me botime në gazetën e qytetit tonë “Zëri i Vlorës”. Gjatë punës me Sandrin, vinim re se ai kënaqej me rezultatin tonë në interpretim. Për mua, ishte hera e parë që punoja me një regjisor dhe kjo më bënte të ndihesha mirë. E dëgjoja me shumë vëmendje për çdo orientim dhe vërejtje që na bënte dhe mundohesha të zbatoja me përpikmëri çdo sugjerim dhe këshillë të tij. Me Elin komportohesha shumë mirë. I përshtateshim njëri-tjetrit dhe nga dita në ditë bindesha se zgjedhja që kishte bërë Sandri, sidomos për mua dhe Elin, ishte shumë e mirë. Për çdo ditë gjatë apo pas provave, si unë ashtu edhe e gjithë trupa merrnim përgëzime nga regjisori. Orë të tëra pune në shkollë, por edhe në shtëpi, gjithashtu. Brenda një kohe të shkurtër, teksti u arrit të përvetësohej nga të gjithë, kështu që nuk vonoi edhe dita kur filluam lëvizjet e para në skenën e improvizuar me ç’gjenim aty në sallën e mësuesve. Ishte diçka e re për mua. E para herë që harmonizohesha më një trupë aktrimi. Ndieja brenda vetes se puna kolektive më sillte jo vetëm kënaqësi, por edhe më shtynte fort për të treguar vlera interpretuese. Ajo më sillte përkushtimin për një punë që unë e dëshiroja me gjithë shpirt. Aleksandër Pogaçe na mësoi me durim dhe përkushtim se, nuk ishim ne personazhi, por do të visheshim me lëkurën e një tjetër njeriu, e një tjetër moshe dhe konceptesh, që ne as që mund t’i përfytyronim. Dhe kjo për arsyen se nuk kishim eksperincën e duhur, ishim të rinj dhe nuk ishim përballur ende në jetë me asgjë që drama kishte në përbërje të saj. Unë isha shumë i ri në moshë, mbase me trup isha i zhvilluar dhe mund të mbushja nga ana fizike njeriun e duhur për atë rol, por përvoja jetësore më mungonte shumë, jo vetëm mua, por edhe personazheve të tjerë. Edhe pse ditët kalonin dhe takimi me orën e shfaqes po afrohej, provat  e vazhdueshme të lidhura tashmë edhe me muzikën e gjetur bukur, po formësonin një punë, sipas regjisorit, të frytshme, të bukur dhe me plot besim se në konkurim do të dilnim shumë mirë. Tashmë edhe dekori i shfaqes ishte gati, i thjeshtë, funksional, i punuar në punishten e shkollës. Bëmë shumë prova të lidhura, (kështu quhej në gjuhën profesionale, kur ato zhvilloheshin nga fillimi në fund me të gjithë aksesorët e duhur) sikur do të jepej para publikut. Gjithë çka ne përgatitëm, zgjati një muaj. Orët po afroheshin drejt shfaqjes dhe tashmë filluan emocione të tjera. Është ai emocion që kur mendon se do të paraqitesh para publikut për herë të parë, në një dukje tjetër, se ç’ndjen një si boshllëk, një si dridhje të lehtë që të shton më tepër angazhmin për të kaluar në mendje ato që ke përvetësuar. Kështu po ndodhte me mua. Jetoja mes emocionesh që nuk e dija nëse do të ishin të përballueshme apo do të më mbytnin, për të mos dhënë gjë. Më në fund erdhi dita dhe ora e shfaqjes. Gjatë interpretimit, e ndieva veten shumë mirë. Isha mësuar me spektatorët, dhe kështu, edhe pse salla ishte mbushur plot e përplot ku kishte edhe shumë që rrinin në këmbë,  nuk më bënë të tutesha nga roli. Kisha një përqëndrim të madh brenda vetes. Të gjithë si trupë dhamë atë që duhej, e ndoshta edhe më shumë. Sapo perdja u ul, nga salla shpërthyen duartrokitje të zjarrta dhe të gjata. Ishte dita e emocioneve të mëdha. Si rrallë herë, ato ishin brenda qenies time dhe refelektoheshin si buzëqeshje për spektatorët në sallë. Shfaqja jonë ishte e fundit në renditjen e konkurimit. Shumë përqafime, urime dhe emocione. Në këtë atmosferë, dëgjova dikë që më tha se më kërkonte Liza Laska, e cila ishte edhe anëtare e jurisë. Jo pa droje, iu afrova, kësaj aktoreje të madhe të skenës dhe ekranit shqiptar, e cila më përqafoi plot ngrohtësi duke më thënë:

-Gjoka, mos iu nda teatrit!

Pas pak do të jepeshin edhe vlerësimet. Edhe kur zbrita në sallë, vazhdova të merrja urime nga familjarët që kishin ardhur, të gjithë shoqet e shokët e klasës por edhe të shkollës, si edhe nga të tjerë që nuk i njihja. U komunikuan edhe rezultatet. Të gjithë në pritje me ankthin e pushtuar. S’ishim në vend të tretë, as në të dytin… Po. Ishim më të mirët, në vendin e parë. Kaq u desh dhe nuk u përmbajtëm dot. Mes lotëve të gëzimit e morëm Aleksandër Pogaçen, dhe e ngritëm lart me duar. Ia kishim arritur qëllimit! Na dukej sikur fluturonim!…Eh, çfarë emocionesh na pushtuan! Ishte një mbrëmje e paharruar. Unë mora një “Fletë-lavdërimi” me motivacionin: “Për interpretimin e shkëlqyer të rolit të Ernestit në dramën “Një vajzë kërkon përgjigje”. Edhe sot atë fletë-lavdërimi e mbaj si një nga gjërat me të shenjta të jetës sime. Isha ngjitur në skenë duke prekur përkushtimin ndaj punës. Çdo çast që kalonte, ndieja se kisha lënë pas emocione të mëdha, të cilat mund t’i përjetonte kushdo në raste të tilla. Kaq u desh.

Në muajt që erdhën më pas, më ofruan role figuranti në teatrin profesionist të qytetit

Gjatë kësaj kohe që kalonte si pa u ndjerë, unë fitova tashmë një eksperiencë të re dhe njëkohësisht besimin në vetvete se mund t’ia dilja në skenë. M’u ofruan edhe role me disa fjalë aty-këtu në drama të ndryshme. Sinqerisht, ndihesha i lumtur. Në teatrin e Vlorës gjeta mjeshtra të shkëlqyer të interpretimit skenik. Tashmë edhe pse i jashtëm, kështu quhen amatorët që marrin pjesë për të plotësuar hapësirat që kërkon një pjesë dramatike në pamundësi të aktorëve profesionistë, kur ata janë të gjithë të zënë me role, ndihesha si në shtëpinë time, përkrah aktorëve që më mbushnin plot me emocion në realizimin e roleve të tyre. Ishte privilegj të isha në skenë me aktorë të tillë që i dhanë teatrit profesionist të Vlorës role që mbetën gjatë në kujtesën e spektatorëve. Kujtoj aktorët e talentuar Vangjel Panozaqin, Astrit Hashon, Liza Laskën, Andon Qesarin, Adem Gjyzelin, Ali Roshin, Resmie Rucin, Vasillaq Godon, Agim Shuken, Zuhdi Kapajn, Arqile Nashon, Albert Verrinë, Aleksandër Pogaçen, Jorgaq Tushen, Margarita Pogaçen, Vasil Beqarin, Lavdie Bishën, Atiqet Bendon, Llambi Kaçanin, Efterpi Laçkën, Zhuljeta Kullën, Afërdita Tushen apo Fabit Beqirin, prej roleve të të cilëve pata se ç’të marr. Fitova shumë nga interpretimet e tyre, si në provat që zhvilloheshin në tavolinë, apo edhe kur mizanskenat merrnin rrugën për të plotëruar shfaqjet në skenë. Ata ishin një kolektiv i mrekullueshëm, kompakt dhe shumë të sjellshëm. Unë isha si djali i tyre. Megjithatë, të gjithë më trajtonin si koleg dhe respekti im për ata ishte i shumëfishtë. Me disa prej tyre pata lidhje më të ngushta edhe për arsye të angazhimit tim në disa role të dorës së dytë. Do të më qëndronin më pranë aktori i shkëlqyer në shumë role Vasillaq Godo, apo e mrekullueshmja Liza Laska, apo edhe e talentuara Resmie Ruci, me këshillat e tyre shumë të vlefshme në fushën e mjeshtërisë së aktorit si dhe të fjalës artistike. Angazhimi im në skenën e teatrit të Vlorës ishte për mua një shkollë e jashtëzakonshme. Fitova eksperienca të reja për aktrimin, por mbi të gjithë do të qëndronin regjisorët e talentuar të skenës së Vlorës që më përzgjodhën të isha pjesë e stafit në dramat që ata punuan dhe ngjitën në skenë.

Pranë aktorëve të mëdhenj të humorit vlonjat

Unë pata kënaqësinë të ndodhesha edhe pranë aktorëve të mëdhenj të humorit vlonjat, të cilët ishin të njohur në të gjithë Shqipërinë dhe sot qëndrojnë në konstelacionin e artë të artit shqiptar. Si për çdo vlonjat, edhe për mua ata ishin krenari. Pata fatin të isha pranë aktorëve të tillë të jashtëzakonshëm si Leka Kruta, Gaqo Vishi, Myqerem Fera, Qirjako Sava, Evgjeni Shtrepi, Petraq Gega, Meliha Fera e të tjerë, të cilët me talentin e tyre, ngritën peshë sallën e teatrit nëpër çdo shfaqje të vënë në skenë. Ishte koha kur sapo kishin shpërfaqur talentin e tyre parodistët e mrekullueshëm, katërshja e pazëvendësueshme Agron Hamo, Mane Lumani, Afrim Agalliu dhe Muhamet Lika. Ishte privilegj të rrija me ta, t’i vështroja se si punonin, si bashkëvepronin, sesi salla ndizej nga  duartrokitjet e pandalshme që zgjatnin minuta e minuta të tëra. Isha me fat që isha bashkëkohës me ata. U miqësova me këngëtarët Kostandin Thana, Reshat Osmanin, dhe Meliha Dodën – treshen e shkëlqyer të këngës qytetare vlonjate apo me pasuesen e denjë, Kleopatra Skarcon që arriti maja me zërin e bukur të saj, si dhe me të talentuarit Flamur Haxhiaj, Milika Meminaj apo Shaban Shabanin.

Regjisori i suksesshëm Piro Savame

Do të më bënte për vete me ekspresivitetin e tij i paharrueshmi regjisori i suksesshëm Piro Savame,  mënyren se si u kërkonte aktorëve të zbërthenin rolin, për të evidentuar tipin që do t’i vishnin personazhit. E mbaj mend se me çfarë pasioni dhe përkushtim lëvizte gjatë provave kur vinte në skenë dramën “Sinjali i kuq” të dramaturgut të mirënjohur Bashkim Kozeli, pjesë e të cilës isha edhe unë si figurant. Ajo dramë kishte shumë skena masive dhe ishte shumë e vështirë të disiplinoje dhjetra figurantë amatorë si të domosdoshëm për veprimet dramatike që pjesa kërkonte. Aty duhet të fliste edhe heshtja, edhe ecja, edhe veprimi i gjithë skenave masive që karakterizonin atë vepër. Gjatë shfaqjes, pas çdo akti, dëgjonim se si buçisnin duartrokitjet e pandalshme të spektatorëve, të cilat shpërthenin për një kohë të gjatë apo në fund kur u mbyllej sipari i shfaqes. Kjo pjesë ishte një nga më të bukurat drama të vëna ndonjëherë në skenën e teatrit të Vlorës dhe në të njëjtën kohë edhe shfaqja me më shumë spektatorë të parë ndonjëherë në sallën e Teatrit. Për një kohë të gjatë, qytetarët nuk gjenin bileta në sportelin e teatrit. “Sinjali i kuq” u dha aq shumë për spektatorët, sa që edhe sot mbetet  rekord për numrin e shfaqjeve. Fantazia regjisoriale i jepte dramës një fuqi interpretuese të lartë duke evidentuar mjeshtrat e roleve kryesore. Edhe tani pas kaq kohësh, ende më ka mbetur në mendje interpretimi i aktorëve të shquar Andon Qesari, Agim Shuke, Adem Gjyzeli, Astrit Hasho, Zhuljeta Kulla, Arqile Nasho, Llambi Kaçani e të tjerë të cilët me rolet e tyre ngritën peshë spektatorin vlonjat. Pas kësaj shfaqjeje, do të isha pjesë e kastës së aktorëve ku regjisorët e talentuar Nazmi Bunjaku apo Vladimir Balla, përzgjidhnin për punët që do të vinin në skenë. U bëra pjesë e shumë dramave të tyre të realizuara me një nivel të lartë artistik. Do të veçoj këtu dramën “Katër nga Armata” me regji të Vladimir Ballës, ku kisha pothuajse rol kryesor. Për mua ishte një vlerësim shumë i madh që regjisori më besoi një rol të tillë. Ndoshta tek unë, ky regjisor i mprehtë dhe sqimatar, kishte parë aftësi të cilat i përshtateshin rolit që më dha. Dhe unë nuk e zhgënjeva dhe për këtë u ndjeva sa i lumtur, po aq edhe mirënjohës. Ishte e para herë që unë, nxënës gjimnazi, do të isha interpretues me rol të plotë në krah të aktorëve të mëdhenj  Liza Laska dhe Albert Verria. S’më mbante vendi. Tashmë e ndjeja plotësisht veten se kisha hyrë në rrugën e aktrimit. Ajo dramë u regjistrua dhe u transmetua në Radio Tirana. Për mua nuk kishte kënaqësi më të madhe. Interpretimi im së bashku me aktorët e tjerë do të ishte tashmë edhe pjesë e Radios, në një prej transmetimeve më të dëgjuar siç ishte “Teatri në Mikrofon”, që transmetohej çdo të premte në mbrëmje në orën njëzet e tridhjetë minuta. Më ishte realizuar një ëndërr e kahershme. Do më dëgjonin nga Radioja të gjithë të afërmit e mi dhe shumë të tjerë të njohur dhe të panjohur.

Gjatë atyre viteve, unë do të isha pjesë e shumë shfaqjeve të tjera, si dhe do të merrja pjesë në turnetë e shumta që teatri realizonte nëpër fshatrat rrotull qytetit, por edhe jashtë Vlorës, si në Elbasan, Korçë, Ersekë, Përmet, Sarandë e gjetkë. Isha pjesmarës në dramën “Rruga Budi, numër 723”, të dramaturgut tepër të njohur Ruzhdi Pulaha, ku aktori  Arqile Nasho realizoi një rol të shkëlqyer. Aty isha figurant, por e përmend këtë dramë se regjistrimi i saj u bë shkas që  regjisori i Televizionit Shqiptar Ilir Bega, më pas kolegu im i talentuar, veç regjistrimit të dramës do të realizonte edhe një emision me recitime poezish nga aktorë të teatrit të Vlorës. Ishte fati im që gati shumë poezi i kisha të mësuara përmendësh. Mes aktorëve që recituan, Iliri më kërkoi edhe mua se mos kisha gati  ndonjë poezi.

-Po,- i thashë. – Sa do, një, dhjetë apo tridhjetë?

Mbeti pak duke kujtuar se mos unë po bëja shaka. I recitova me dëshirën e tij dy-tre poezi midis tyre edhe “Krevati i Perandorit” të Dritëro Agollit. Si i dëgjoi të gjitha me vëmendje, Iliri zgjodhi pikërisht këtë për të më regjistruar, pasi i pëlqeu më shumë interpretimi.