Në librin e tij më të ri poetik “Po rrëfej ëndrrën”,Shefik Arifi ,na sjell një mozaik ndjenjash, rrëfimesh dhe kujtimesh që burojnë nga jeta e përditshme .Ai nuk flet me zë të lartë ,por me zërin e shpirtit ,për gjërat e thjeshta që shpesh i harrojmë ,për njerëzit që ecin mes nesh ,për dhimbjen e fshehur pas një buzëqeshjeje ,për dashurinë dhe përmalljen që s’e shuajnë vitet.Në vargjet e tij gjejmë poezinë e jetës së përditshme të mbushur me dashuri për prindërit ,mall për vendlindjen dhe krenari për Atdheun e tij Kosovën.Por Shefik Arifi nuk i shmanget as anës së errët të realitetit ,ai flet për fshatin që mbeti bosh ,për shtëpitë që heshtin në pritje , për njerëzit që ikën një e nga një .Një nga poezitë që prek më shumë është ajo për një lypës të mbetur rrugëve,një figurë që poeti e sheh jo me mëshirë ,por me dhimbje njerëzore.Me realizëm poeti shkruan për fatin e këtij lypësi ,simbol i dhimbjes dhe vetmisë që e ndjek njeriun sot.
“Po të rrëfej ëndrrën” është një libër që i jep zë shpirtit dhe jetës së sotme ,me një sinqeritet që prek çdo lexues.Kur jeta mori rrugën e mërgimit ,autori e la nënën dhe babain vetëm,në atë vënd që e donin aq shumë ,me besimin se do t’i takonte sërish.Vdekja e nënës ,ishte një humbje që u bë plagë që nuk mbyllet ,mall që s’shuhet ,kujtim që kthehet çdo mbrëmje në vargje e lot.

Malli që s’shuhet kurrë.Në fshatin që po zbrazet nga zërat ,ku shtëpitë kanë mbetur të heshtura e rrugicat i ka mbuluar bari jetojnë kujtimet e prindërve,që dikur i dhanë jetë e dritë çdo cepi.Kujtojmë këtu fshatin që mbeti i braktisur ,me vargjet:
Dhe stinët presin njera – tjetrën me durim!
Është ritual i përvitshëm që në lashtësi.
Unë kot mundohem të gjej ndonjë shpjegim,
që sa herë vij këtu nuk më pret njeri.
Poeti la atje prindërit e mirë , të fshehur mes heshtjes , mungesës së fëmijëve të ikur në dhe të huaj , në fjalët e përlotura të nënave, që presin fëmijët t’ju vijnë nga larg .Po jeta se pret mallin.Vdekja e nënës e gjeti larg në dhe të huaj ,pa mundur që t’i freskonte pak ballin , pa i puthur duart për herë të fundit.E, ai mall , që s’u shua dot me lot , u kthye në dhimbje të heshtur,ku poeti i përjeton në vargje.
Poezia për mësuesen që ende e ndjen erën e librave të vjetër dhe zërin e nxënësve në bankat e dikurshme .Ja si këndon poeti në vargjet e mëposhtme:
Këtë vit u bënë më pak dasma këtu!
Dhe zogj verës më pak erdhën.
Buzëqeshjet e nxënësve në sytë e t’u,
si një dritë hëne u derdhën.
Në poezitë e këtij libri , nga faqja e parë e gjer te faqja e fundit , ndjehet një frymë e pastër poetike , ku fjala ka peshë dhe heshtja ka kuptim.Vargjet janë të përmbajtura , të ndërtuara mbi ndjesinë dhe përvojën ,jo mbi stolisje. Shefik Arifi , në poezitë e këtij libri ,ka ruajtur ritmin e brendshëm të ndjenjës pa e tepruar me fjalë. Te poezia “Fundviti”, kemi një ton më melankolik , një reflektim mbi mungesën e frymëzimit dhe zbrazëtinë shpirtërore që sjell fundi i një viti jo i begatë.Poeti përshkruan një botë të ftohtë,të lodhur , ku dhe poetët , simboli i ndjeshmërisë kanë humbur muzën .Ritmi i vargjeve dhe përsëritja e fjalëve “të egra “, krijon një ndjesi të përditshme të rënduar ,ku fjala simbol i shpresës dhe krijimit është pa muzë, pa dashuri.Vargjet e kësaj poezie shprehin një realitet të hidhur . Dhe poeti këtë realitet e ngrë në art me vargje, duke qenë këto një kambanë për të dëgjuar ata që kanë në dorë për të ndryshuar gjëndjen, për të ecur përpara.Një temë e preferuar për këtë autor është edhe tema e dashurisë. Ja si shprehet ai tek poezia “Edhe një fjalë”
Pa të vënë re s’më ke shpëtuar,
kur vije si ajër i ngrohtë prilli.
Se edhe një fjalë e vetme ne,
dhe një fjalë e vetme na lidhi.
Në vargjet e kësaj poezie ,kemi të bëjmë me fillimin e një ndjenje dashurie.Vargu “Kur vije si ajër i ngrohtë prilli” ,e ngarkon figurën me ngrohtësi e aromë rinie,duke krijuar një atmosferë ringjallje emocionale.Poeti arrin të tregojë se mjafton dhe një fjalë e vetme për të lidhur dy njerëz që duhen me njeri – tjetrin.Minimalizëm me fjalë,por maksimalizëm në ndjenjë.
Te vargjet e poezisë “vdekja e poetit” autori nëpërmjet kësaj elegjie shpreh një dhimbje për humbjen e një njeriu që me vargjet e tij zgjonte mëngjeset .”Vdekja e poetit” është një poezi e shkurtër ,por që prek thellë me thjeshtësinë dhe simbolikën e saj.Ajo ndërtohet mbi kontrastin midis heshtjes dhe krijimit,midis jetës që ndërpritet dhe fjalës që mbetet pezull.Në vargun e parë”. Atë ditë të vunë ca fletë të bardha dhe një stilolaps” ,poeti shfaqet si një figurë që edhe në vdekje mbetet krijues ,sikur fletët dhe stilolapsi ,të presin ende për të shkruar.Kjo poezi mbart një trishtim të heshtur ,sepse shpreh ëndrrën e papërfunduar ,librin që mbeti në mes ,metaforë e jetës së ndërprerë para kohe.
S’u njohëm tani. Këto janë vargjet e një poezie plot ndjenjë e dashuri:
Hiqe drojen,vendos vet,
të hysh tek deti kaq bujar.
S’e sheh hënën që vjen shpesh,
tek hynë e del si pulëbardhë?
Kjo poezi është një ftesë , një thirrje për t’ju lënë vend ndjenjave. Ka ton të përzemërt, si një ditë e zgjatur për të lënë drojen dhe për të hyrë në një botë të re dashurie.Tek vargu”Hëna që hynë e del si pulëbardhë” është një metaforë e ritmit të ndjenjës , e diçkaje që vjen, ikën , por kthehet gjithmonë. Poezitë e Shefik Arifit nuk lindin thjeshtë si vargje, por si gjurmë ndjenje .Ato s’janë thjeshtë një libër , ato çelin ngadalë ,siç hapen gonxhet në syrin e pranverës, me dritë, me një brendi, që kërkon të preket e të dëgjohet. Libri është një ftesë për të hyrë në botën e një poeti që i jep zë përditshmërisë ,prindërve, mallit, dashurisë dhe figurave të harruara të qytetit ,duke e kthyer çdo detaj në vargje poezie. Autori tregon se ëndrra mund të jetë dhe një rrëfim i heshtur , edhe një dritare drejtë së vërtetës.Kjo ndjesi e prekshme mbetet tek lexuesi edhe pasi faqet e këtij libri i ke mbyllur.




















