Fabul
Atë ditë harboi shumë Drenusha;
dhe e humbi rrugën ndër gëmusha.
Iu qep Hiena: “Rri tek unë!
Hamë pakëz darkë edhe… gjumë.”
Pak më vonë,
më sfidues, Çakalli:
“Je me mua, për kënd s’të merr malli!”
Ishte zënë ngushtë Drenush’ e ngratë,
ndërsa muzgu sillte frikë dhe natë.
E pa veten nuse nëpër ëndërr:
vuuu muzika,
por nuk kishte dhëndër…
ZOÇKA
Zoçka e pakët,
topolake,
filloi të ndiqte pas me ëndje,
një shpend që fluturonte lart…
Por shpejt u lodh dhe ktheu mendje.
Qëndroi bash te një gëmushë,
që ishte pranë një plevice;
aty zu shoqëri të ngushtë
me Harabelin sa një gisht.
Sa bukur ndanë asaj plevice!
Dhe mizat ishin me shumicë…





















