Suplementi Pena Shqiptare/ Faik Konica, intelektuali i papërsëritshëm shqiptar

1288
Sigal

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F. Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F. Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA. ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA., ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A. Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.

FLAMURI

Skënderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë.

Një shqiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej.

Gjëmonin një mijë trumbeta
Suleshin treqind mijë veta.

Derdhnin gjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqiptarë.

Derdhnin gjakun pa peshuar
Për flamurin e bekuar.

Po trimat shkuan përjetë,
Shqipëria mbet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na ra flamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kanë dalë ca zuzarë
Që ulërinë shqiptarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë.

E punojnë nat’ e ditë
Që të mbetemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë,
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatlitë lirinë
E na shkeltë Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht’ afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Që na ka pët të shpëtuar,

Jo luftë kundër Turqisë,
Jo kundër mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë,
Që u lindnë shqiptarë,

E, armiq të Shqipërisë,
I fryjnë dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhtojnë.

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!

Vajtim për robëri të shqiptarëve

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

Helena e Trojës

N Trojë, nga maja e një kulle të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
posht nënë muret luftën që lufton
Menella syzi me Parin flokartë;

Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
Zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron,
E stolisur si ditën që hipi në fron.
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.

Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar,
Goditin me sulm për të mundur e për të vdekur,
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.

Gjaku u ka hyrë faqe e duar,
Kordhë më kordhë, hekuri me hekur,
Përpiqen, tingëllojnë, shkëlqejnë në diel.