Nuk është e shenjtë vetëm kjo kishë,
ngritur lart mbi një bregore.
Edhe kjo shkollë që është braktisur,
dikur më ngjante si shenjtore.
Nuk është e shenjtë vetëm kjo teqe,
ku s’reshtin njerëzit jashtë e brenda.
A s’është i shenjtë edhe ky spital,
ku shkojnë gratë e bëhen nëna?
I shenjtë është pragu që na lindi!
Është toka jonë, i gjithë vatani.
E shenjtë është abetare shqipes,
siç është dhe Bibla e Kurani.
A s’është e shenjtë ajo ninulla
që nëna i këndon të birit?
A s’janë të shenjta nënat tona?
A s’është i shenjtë qumështi i gjirit?
A s’është e shenjtë një fjalë e vetme:
“Asgjë s’kërkoj, vetëm më duaj”?
A s’është e shenjtë edhe çdo grua
që strukur rri në zemrën tuaj?



















