Ideja e rrugës, që më pas u quajt “e Arbërit”(u quajt kështu nga ish Kryeministri A. Meksi, kur u njoh me idenë e saj në vitin 1992), ka qenë si ide projektuese që në vitin 1988, kur në një MASTERPLAN potencial të Rrjetit Rrugor të Shqipërisë, sëbashku edhe me autostradat dhe rrugët kryesore, që duhet të kishte vendi, ishte dhe kjo rrugë. Nga afërsisht 170 km që duhej për të arritur në Dibër dhe Peshkopi, ajo shkurtonte distancat në rreth 70 km.
Nga Qeveria e parë e vitit 1992, nuk u përfshi në prioritete, pasi në atë kohë luftohej për Korridorin e 8-të, ai konsiderohej dhe sigurisht ishte më i rëndësishëm.
Në vitin 2002, ish ministrit të transporteve Spartak Poçi, i vjen një letër nga Këshilli i Ministrave me kërkesë nga komuniteti dibran, për një rrugë të shkurtër, që në thelb ishte Rruga e Arbërit. Ministri kërkoi mendim nga inxhinieri Faruk Kaba, projektues i shumë veprave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kur kuptoi rëndësinë e madhe të kësaj rruge dhe pasi mori një informacion të plotë se egzistonte një studim për këtë rrugë, u befasua dhe menjëherë, mblodhi stafin dhe planifikoi sipas sugjerimeve, planifikimin e studimit të Fisibilitetit, që u realizua brenda atij viti (2003). Pastaj vazhdon historia: u realizua projekt zbatimi (pak më ngadalë në kuptimin e financimit të tij, por gjithsesi u realizua) nga studio e projektimit e udhëhequr nga inxhinieri Faruk Kaba. Për ndërtimin e kësaj rruge u ofrua një firmë kineze, e cila propozoi me shumën 194 milion euro ta ndërtonte këtë rrugë për 36 muaj. Qeveria Shqiptare nuk pranoi dhe ndërtimin e kësaj rruge ja dha me dashamirësi një firme shqiptare me shumën 260 milion. Firma shqiptare pasi dyfishoi buxhetin e dhënë, dyfishoi dhe kohën e realizimit në 70 muaj. Ja pra kështu vazhdoi historia e tejzgjatur e ndërtimit me projekt të sistemit PPP (absurde), që filloi më shumë se para 5 vjetësh dhe “shyqyr”, që sot përurohet përfundimisht.
Regjisori, aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu si dibran i entuziasmuar, për këtë sukses të zvarritur të qeverisë që i bëri dibranët me zemër nga kjo pritje kaq e gjatë ka krijuar një poezi humoristike.
Përurimi
Më në fund erdhi dita e përurimit,
rruga e Arbërit quhet në projekt,
u zvarrit, u përurua copë pas cope,
gjoja tuneli na kishte një defekt.
U mblodh komisioni i ceremonisë,
festa duhet të jetë madhështore,
të ftuarit e parë, antarët e qeverisë,
asnjë personalitet nuk duhet lënë pas dore.
Nisën në listë emrat të shkruhen,
të parët ata të rangut ministror,
më tej të gjithë personat që shquhen,
ata që cilësohen vipa shtetërorë.
Në fund të listës u vunë autorët,
që direkt në rrugë kishin punuar,
shofer, buldozier, brigadier e punëtorët,
emrat e personave më të dalluar.
Meqë festa e përurimit duhej masive,
u shtuan miq, shokë e farefis,
dhe për komshinj u bënë miratime,
lista e pjesëmarësve paq u qëndis.
Me soj e sorollop, thotë fjala popullore,
në festën e rrugës janë të ftuar,
vetëm një gjë e vogël u la pas dore,
PROJEKTUESI i rrugës mbeti i harruar.