E veshur me të kuqe, ti ike atë natë,
por ajo e kuqe mbet’ në zemrën time
e u bë tunikë, madje shumë e gjatë
trupin tënd mbështjellë edhe shumë kujtime!
E veshur me të kuqe si sonte më kujtohet;
meditoje hënën, në qoshen e preferuar.
Më the që dashuria nga qielli na dhurohet
ndaj i flasim hënës kur jemi dashuruar …
E veshur në të kuqe ashtu të merrte gjumi,
si nerajdë përrallash, në mes të ngjyrës zjarr!
Për fat të keq ne njerëzit, veç atëherë kur humbim
vëmë re atë që duhej, të shihnim që më parë!
Sonte e kuptova, ç’ka kurrë s’kisha kuptuar,
atë që shpesh e shihja e nuk e vija re!
E kuqja ishte ngjyra jote e preferuar
si nuk të thash njëherë, ‘’sa e bukur je’’!
Të njoha në të kuqe e në atë të humba!
Ndaj dhe ajo ngjyrë u gdhend në shpirtin tim.
Ndonjëherë të bukurën s’na lë t’a shohim, hunda,
kështu na ikën natën dhe kthehet në kujtim!